Vrasësit dhe grabitësit e 10 milionë eurove, të lirë, por kapet urinuesi i Kryeministrisë!

Redaksia e gazetës “Koha Jonë” detyrohet t’u kërkojë falje lexuesve për termat banalë dhe fjalorin e papërshtatshëm që mund të hasin sot në këtë shkrim. Dilemës që ka çdo media për etikën gazetareske dhe ruajtjes nga vulgariteti, i kanë dhënë fund vet institucionet e shtetit. Ndaj nuk ka më asnjë vlerë të bësh debat për fjalorin në publik, kur Policia e Shtetit deklaron se është shpallur në kërkim “urinuesi i Kryeministrisë”, kur Prokuroria nis hetimet për “urinim” apo kur ministra dhe deputetët e përdorin fjalor të tillë në statuse në Facebook dhe lidhje direkte televizive. Në fund, si për të hequr çdo merak etik ndaj gjuhës së medias, ka dhe një fletë gjobe nga Bashkia që detyron Partinë Demokratike të paguajë 200 mijë lekë për këtë gjest të një protestuesi. Ndaj mos na vini faj sot si redaksi!

Dje, policia e shtetit shpërndau si “rrufe” një lajm të minutës së fundit dhe të gjithë mediat e transmetonin si ngjarjen më të rëndësishme të ditës dhe që tregonte suksesin e policisë. Pas 4 ditësh kërkim intensiv, Policia, Prokuroria, agjentët e SHISH dhe kush e di çfarë institucioni tjetër shtetëror kishin arritur të kapnin personin që në 13 prill, ditën e protestës së opozitës, çau gardhin e policisë dhe urinoi para derës së Kryeministrit. I riu quhet Florian Marku dhe që prej 13 prillit i ka pasur punët pisk. I gjithë shteti ishte vënë në ndjekje të tij dhe tashmë do të nisë dhe një proces i rregullt gjyqësor me akuzën për përdhosje të institucioneve dhe vandalizëm, shkurt padi për “shurrosjen e Kryeministrisë”. Gjesti, realisht jo normal i një qytetari, më shumë se vandalizëm ishte një formë reagimi, përballë një policie që rreh protestuesit apo i helmon me gaz dhe një Kryeministri që tallet çdo ditë me ata që janë në shesh kundër tij. Përballë një shteti që është vendosur me gjithë strukturat e tij kundër qytetarëve, protestuesi bëri gjestin që për mentalitetin shqiptar nënkupton shumë më shumë se zhvleftësimi i pushtetit. Në këtë histori të denjë për skenarin e një filmi komik, më shumë se akti  jo normal dhe mbase dhe i papërgjegjshëm i një protestuesi, bie në sy serioziteti më të cilin e kanë marrë çështjen qeveria. Që nga e shtuna e protestës, Policia e Shtetit ka lënë çdo detyrë tjetër dhe është venë në kërkim të “shurrëtarit të Kryeministrisë”. Zelli i zyrtarëve dhe mediave afër qeverisë bënë që i riu nga Shkodra të trajtohej sikur të ishte terroristi më i kërkuar në Europë. Ndërkohë dhe prokuroria që nisi hetimet për protestën, gjithë pyetjet ndaj të arrestuarve i lidhet me personin që në një moment sfidoi Kryeministrinë duke urinuar në portën e jashtme të saj. Zelli tejkaloi çdo parashikim, kur edhe vet njerëz afër kryeministrit u interesuan për të gjetur se kush ishte personi, kush e hartoi planin dhe a mos vallë kishte ndonjë pagesë ndaj tij për të kryer aktin. Teoritë e konspiracionit brenda mazhorancës janë nga më të ndryshmet, pasi ka dhe nga ata që thonë se pas urinimit në derën e Kryeministrisë mund të ishte dhe ndikimi rus! Të tjerë në qeveri kanë nisur të përdorin dhe termi “shurrtar me pagesë”. Tashmë në prokurori, personit të arrestuar i ka mbetur vetëm të sqarojë nëse urinimin para Kryeministrisë e kreu si akt “politik” dhe kjo mund të sjellë pasoja të rënda për të, apo thjesht nga koha e gjatë në protestë, i vetmi vend ideal për të kryer nevojat personale ishte dera e zyrës së Edi Ramës. Operacioni kombëtar për kapjen e shurruesit të kryeministrit përfundoi me sukses pasditen e djeshme dhe sigurisht që efektivët që kapën të riun nga Shkodra me “gjithë armën e krimit” meritojnë të gradohen. Ndërkohë po në Shkodër në më pak se një vit janë vrarë të paktën 11 persona. Vrasja e fundi ishte para një muaji, ku dy vëllezër u ekzekutuan në derën e shtëpisë. Të tjerë persona rezultojnë të zhdukur dhe nuk ka ende asnjë gjurmë prej tyre. Në Elbasan, një muaj më parë, një avokat i njohur u ekzekutua në një atentat të stilit mafioz. Shumë vrasje të tjera në këtë qytet edhe sot nuk kanë autor. 10 ditë më parë, 4 persona të armatosur në mes të Aeroportit të Rinasit grabitën para policisë 10 milionë euro dhe u zhdukën. Ende sot nuk ka asnjë të arrestuar dhe asnjë gjumë që të çon as të autorët dhe aq me tepër të paratë e vjedhura. Ndërkohë, për një ngjarje krejtësisht banale dhe pa asnjë rëndësi për rendin, siç është urinimi para Kryeministrisë, gjithë shteti vihet në lëvizje dhe bën spektakël të shëmtuar.

Dje me makina policie i riu shkodran u dërgua në qelitë e burgimit sikur të ishte ai hajduti i 10 milionë eurove në Rinas e jo një shurrtar që natyrisht veproi gabim. Ndërkohë që lajmi u dha nga qeveria për t’u bërë lajm kryesor si “lajm i fundit”.

Komedi e madhe! Për të vrarët asnjë fjalë, për 10 milionë eurot asnjë lajm, kurse për urinuesin e derës së kryeministrisë ishte lajm kryesor nga zyrat e qeverisë që më në fund u arrestua! /Qamil Xhani

SHKARKO APP