Zaev, keqkuptimi i anës tjetër të medaljes maqedone

Nga Arban Hasani.

Protestat antiqeritare të Zoran Zaev po shoqërohen me një entuziasëm të tepruar në hapësirën shqiptare kryesisht jashtë Maqedonisë.  Pjesmarrja e mijëra shqiptarëve në mitingun e së djelës dhe valëvitja e flamujve kuq e zi sëbashku me ata maqedonë,  ka krijuar për herë të parë përshtypjen se bashkjetesa mes dy etnive është tashmë e mundur dhe e keqja e vetme për vendin e vogël e ka emrin Nikolla Gruevski. Madje jo vetëm kaq. Në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë janë jo të paktë ata të cilët e lidhin gjendjen katastrofale të shqiptarëve jo vetëm me Guevskin por edhe me partitë e Ali Ahmetit dhe Menduh Thacit , që shërbejnë si paterica të rregjimit autoritar të kryeministrit maqedon. Rrjedhimisht, po krijohet përshtypja se me rënien e këtij rregjimi, me fitoren e opozitës, gjithçka mund të zgjidhet si me shkop magjik. Gruevski, e pas tij edhe Ahmeti dhe Thaçi duhet të shkojnë në shtëpi dhe e keqja sa hap e mbyll sytë merr fund. Por a është e tillë situata në Maqedoni? A mund të thjeshtëzohet gjithë sa po ndodh me ndryshimin e pushtetit politik?

Përgjigjen e parë negative rreth këtyre pyetjeve e dha pikërisht Zoran Zaev në tubimin e së djelës. Lideri i vetëm politik që shkoi në Kumanovë të nesërmen e masakrës, nuk e përmendi fare atë ngjarje përpara qindra mijëra protestuesve. Ai ju shmang jo vetëm Kumanovës por edhe rastit “Monstra” ku prej përgjimeve të publikuara prej tij, provohet se autoritetet shtetërore ja faturuan ato vrasje shqiptarëve. Zoran Zaev nuk tha asnjë fjalë për të drejtat e mohuara të shqiptarëve, nuk foli për integrimin e tyre, nuk bëri thirrje për bashkim të dy etnive në krijimin e një shteti demokratik ku secili do respektojë njëri tjetrin. Nuk foli për gjuhën, për marrëveshjen e paimplentuar të Ohrit, për ndarjen e pushtetit, për të drejtat politike dhe qytetare të afro 30 përind të qytetarëve të vendit që aspiron ta udhëheqë nëse merr pushtetin. Nuk bëri asnjë deklaratë se nëse vjen në qeveri  si dhe sa do të ndryshojë gjendja e qytetarëve shqiptarë. Zoran Zaev u mjaftua vetëm që në dekorin e sheshit të kishte flamuj kuq e zi, madje në triubunë disa të rinj t’i drejtoheshin në shqip audiencës duke fajësuar Nikolla Gruevskin për gjithë të këqijat e 25 viteve të fundit.

Por a mjaftojnë të gjitha këto për ta parë këtë politikan si shpëtimtarin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni? Dhe a duhet shqiptarët ti flakin tej udhëheqësit e tyre problematikë për të mbështetur  liderin e LSDM-së?

Minimumi që mund të thuhet për sjelljen e Zoran Zaev në këtë moment është mungesa e sinqeritetit përballë shqiptarëve. Ndërsa nga ana tjetër duhet të ngrihen shumë dyshime në lidhje me mënyrën sesi lideri i LSDMS-së po sillet karshi shqiptarëve. Zoran Zaev publikuoi përgjimet e Jankullovskës që i quante shqiptarët indigjenë në vigjilje të aksionit të Kumanovës, kur zërat se rregjimi po inskenon një përplasje etnike ishin ulëritëve. Ai publikoi përgjimin tjetër ku ish ministrja e Brendshme thoshte se i zhdukte shqiptarët brenda një ore, vetëm një ditë përpara protestës së 17 majit, duke marrë si shpërblim mijëra fjamuj kuq e zi në protestat antiqeritare. Në kafenetë e Bit Pazarit dhe Tetovës prej muajsh flitet se Zaevi do të publikojë bombën e plotë mbi rastin “Monstra” dhe çka ka dalë deri tani është vetëm maja e ajsbergut në atë proces të montuar që ju vesh shqiptarëve dhe dënoi disa syresh me burgim të përjetshëm. Pra, selektiviteti i publikimit të përgjimeve nuk po i shërben të vërtetës për zullumet e rregjimit, por taktikës politike të Zaevit për të përfituar prej tyre në kohën dhe vendin e duhur.

Nikolla Gruevski fitoi zgjedhjet e fundit me kërkesën ndoshta më ekstreme nacionaliste. Ai ju tha maqedonëve: “më votoni në shumicë që mos të kushtëzohem nga shqiptarët”.  Zoran Zaev duket se nuk është larg kësaj filozofie. Megjithëse nuk artikulohet në këtë mënyrë, ende deri tani nuk ka thënë asnjë fjalë sesi do të bashkëjetojë me shqiptarët. Ende nuk i ka bërë thirrje asnjë faktori shqiptar, në shumicë apo pakicë, tek partitë tradicionale apo ato periferike, shoqëri civile apo çdo lloj aktori tjetër të bashkohen jo vetëm për të rrëzuar Gruevskin por edhe për nesër, për të jetuar sëbashku si të barabartë në shtetin e vogël multietnik. Të gjitha këto duket se po i bën që të fitojë vetëm votat e maqedonëve . Njësoj si Gruevski.

Ndaj zërat në Tiranë, Prishtinë apo Shkup për të hedhur në kosh të plehrave bashkë me Gruevskin dhe klasën politike shqiptare në Maqedoni, përveçse të nxituara, tingëllojnë dhe naive. Nga ana e tyre shqiptarët duhet të reformojnë partitë që i përfaqësojnë, ti kërkojnë llogari se pse nëpërkëmben sistematikisht, pse nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit, pse liderët e tyre hyjnë në pazare meskine dhe korruptive  dhe pse jetojnë si qytetarë të dorës së dytë edhe afro 14 vjet pas luftës së vitit 2001. Po ata nuk mund ta presin shpëtimin nga  lideri i LSDMS. Shqiptarët nuk mund t’I hyjnë një basti të tillë në një kohë kur Zoran Zaev nuk ka treguar asnjë shenjë se ku ndryshon nga Gruevski  në raportin me ta. Deri tani ai është shfaqur si ana tjetër e së njëjtës medalje. Paçka se duket si një anë më e bardhë se ajo e zeza e kryeministrit aktual, është një monedhë që nuk ka asnjë vlerë të shtuar.

SHKARKO APP