Zbret kryeserbi, bllokohet Tirana

 

 

Për herë të parë, Tirana do të vizitohet nga një kryeministër serb në vizitë zyrtare. Aleksandar Vuçiç dhe delegacioni që e shoqëron atë do të mbërrijë sot në Shqipëri në një vizitë dy-ditore. Rëndësia e kësaj vizite, por edhe tensionet dhe retorika mes dy vendeve ka bërë që autoritetet t’u druhen incidenteve të mundshme. Për këtë qëllim, gjatë dy ditëve Tirana dhe rrugët ku do të kalojë delegacioni do të jenë të blindura. Garda e Republikës dhe shërbimi i ruajtjes së personaliteteve, forca të shumta policie, si dhe agjentë të shërbimit sekret do të jenë të angazhuar për sigurimin e delegacionit. Si rrallëherë në vizitat e delegacioneve të huaja, në sigurinë e delegacionit do të jenë të angazhuara dhe forca ushtarake. Helikopterë të Forcave të Armatosura do të patrullojnë në ajër dhe në perimetrin ku do të lëvize delegacioni serb. Rrugët kryesore ku do të kalojë delegacioni sot në Tiranë do të jenë të  bllokuara për qarkullimin e mjeteve. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, gjatë dy ditëve të qëndrimit të delegacionit serb do të jenë të angazhuara 1500 forca policore. Ndërkohë që e njëjta situatë do të jetë dhe nesër në Durrës, ku do të zhvillohet Forumi Ekonomik me pjesëmarrjen e kryeministrave të rajonit. Masat e policisë synojnë shmangien e incidenteve që mund të ndodhin me delegacionin serb. Ndërsa forcat e ushtrisë me helikopterë kanë si qëllim shmangien e përsëritjes së ndonjë historie me dron si ai që u ngrit në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në tetor të vitit të kaluar. Masa të ngjashme sigurie janë marrë vetëm me rastin e vizitës së Presidentit Amerikan Xhorxh Bush në vitin 2007, si dhe gjatë vizitës që Papa Benedikti bëri vitin e kaluar. Veç policisë shqiptare dhe forcave të tjera të sigurisë edhe autoritetet serbe kanë marrë masat speciale. Mësohet se Vuçiç do të shoqërohet dhe nga një numër jo i vogël i strukturave të gardës serbe për mbrojtjen e personaliteteve.

Në historinë 103-vjeçare të shtetit shqiptar, Serbia ka qenë vendi më problematik. Marrëdhëniet kanë pasur ulje dhe ngritje edhe në vitet e para të vendosjes së komunizmit, 1945-1948, ku mes dy vendeve ka pasur raporte normale edhe pse ato kanë qenë në pozita vasaliteti të Enver Hoxhës kundrejt Marshallit Tito. Por edhe në këto vite, asnjë delegacion në rang kryeministri nuk e ka vizituar Tiranën. Më pas, gjithë historia e raporteve Tiranë-Beograd është mbushur me tensione, akuza për agjentura, diversione gjeopolitike dhe mungesë të theksuar bashkëpunimi politik. Kosova është një nga temat që ka ndarë historikisht dy vendet dhe do të jetë sërish një argument ndarës, deri kur pala serbe të pranojë realitetin. Urrejtjen shekullore ballkanase mes dy vendeve e kanë nxitur dhe zhvillimet e vitit të fundit. Një ndeshje futbolli që duhej të shërbente për afrimin e vendeve në tetor të vitit të kaluar, u kthye në një “betejë” nacionalizmi dhe zbuloi se shumë gjëra në rajon nuk kanë ndryshuar mes dy kombeve. Retorika denigruese për “Shqipërinë e Madhe”, rrezikun e “xhihadit mysliman”, si dhe deklarata për “paaftësinë e të bërit shtet të shqiptarëve” nga Presidentit Tomislav Nikoliç, nuk i kanë shërbyer krijimit të një klime normale mes marrëdhënieve të dy vendeve. Edhe një ditë para vizitës së Vuçiç, teksa ky i fundit jepte mesazhe më të pranueshme në mediat perëndimore, në Beograd, Presidenti serb fliste për rrezik të terrorizmit nga Shqipëria. Këto qëndrime të dyfishta tregojnë se edhe pasi vizita të ketë përfunduar, nuk mund të pritet që ardhja në Tiranë e kryeministrit serb, t’u japë fund njëherë e mirë marrëdhënieve problematike.

Megjithatë, vizita e kryeministrit serb në Tiranë është një zhvillim pozitiv, që edhe pse nuk zgjidh probleme, tenton t’i normalizojë ato si dy vendeve që janë pjesë e të njëjtit rajon.

SHKARKO APP