Zbuten serbët, inatosen grekët
Vizita e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë edhe pse nuk ka sjellë marrëveshje konkrete mes dy vendeve mund të cilësohet si një hap para drejt normalizimit të marrëdhënieve. Dita e parë e vizitës dhe konferenca e dy kryeministrave Rama-Vuçiç, ndryshe nga sa pritej, është zhvilluar pa tensione.Të dy kriministrat u treguan Burra Shteti dhe ishin të qartë se duhej integrimi europian e nuk kishte nevojë për sherre nacionaliste. Përveç disa elementëve sporadik gjatë deklaratave të Ramës dhe Vuçiç, nuk pati “provokacje”. Vuçiç përsëriti qëndrimin e njohur serb për Kosovën dhe u mundua ta paraqesë tezën e “Shqipërisë së Madhe” si një ide të frymëzuar nga Tirana. Rama kërkoi më shumë të drejta për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, si dhe vuri në dukje se “Shqipëria e Madhe” nuk është as ide dhe as projekt shqiptar. Përkundrazi, kjo tezë po debatohet më shumë nga fqinjët tanë, duke e prezantuar në konferencë si një rrezik real që vjen jo nga Shqipëria. Fakti që palët merren me termin “Shqipëri e Madhe” ka bërë që diplomacia jonë të harxhojë më shumë energji për të sqaruar të vërtetën lidhur me këtë pikë dhe të harrojë problemet e tjera. Kjo u pa edhe në konferencën e djeshme. Në konferencën e parë të një kryeministri serb në Tiranë, ishte i pakuptimtë moslejimi i gazetarëve kosovarë për të bërë pyetje. Një diferencim i tillë la shije jo të mirë, megjithatë vizita nuk gjykohet nga këto detaje. Jashtë konferencës dhe marrëdhënieve Serbi-Shqipëri kryeministri Vuçiç ka vijuar retorikën e njohur. Në një deklaratë të bërë disa orë më pas shfrytëzoi rastin të sulmonte Kosovën, madje duke thënë se nuk ka pasur geoncid serb në Kosovë. Sot është dita e dytë e takimit ku në një tryezë do të jetë kryeministri serb dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Nëse deri dje nga ana e protokollit dhe deklaratave zyrtare vizita ishte normale, sot do të shihet se sa vlen fjala ‘normalitet’ në kontekstin ballkanik. Jo pak kritika pati ndaj Ramës në media dhe në opinionin publik, duke kërkuar një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë për Kosovën. Të përsëriste ato që tha në Beograd do të ishte një arrogancë e tepërt dhe një rikthim në debatin e 6 muajve më parë. Dhe kryeministri Rama duhet pranuar se ishte i qartë në cka kërkonte. E kontrolloi veten në mënyrë përfekte si mikpritës. Çështjen e Kosovës nuk e zgjidh as Serbia dhe nuk e ka zgjidhur as Shqipëria. Pavarësia e saj është një fakt i vendosur nga vendet e NATO-s, SHBA-ve dhe BE. Sherri Tiranë-Beograd për këtë çështje është vetëm një retorike për konsum lokal në vendet respektive. Edhe pse në fushatë elektorale Rama zgjodhi të jetë më i moderuar, duke zbutur në këtë mënyrë dhe gjullurdinë që mund të bënte kryeministri serb në Tiranë.
Por ndërsa tonet e komunikimit publik Rama-Vuçiç u zbutën, të paktën formalisht dje në Tiranë, ndryshe nga ka ndodhur me fqinjin jugor.Në konferencën me kryeministrin Vuçiç, teksa flitej për marrëdhëniet Tiranë-Beograd, Rama ka prekur në mënyrë direkte dhe marrëdhëniet mes Tiranës, Shkupit dhe Athinës. Janë ditët më të ngarkuara me qëndrime dhe deklarata nervoze mes Tiranës dhe Athinës, si dhe një klime të ftohtë mes Tiranës e Shkupit. Me Maqedoninë, Rama bëri një zbutje të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e saj në NATO, duke u shprehur se nuk ka përmendur asnjëherë fjalën ‘veto’ të Shqipërisë kundër anëtarësimit të Maqedonisë. Ndërsa me Greqinë, Rama ka bërë deklaratat më të forta të politikanëve shqiptarë gjatë viteve të fundit. I vënë në qendër të kritikave nga media greke dhe nga zyrtarë të qeverisë greke për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, Rama ka zgjedhur të godasë fort. Në pak rreshta, Rama i ka kujtuar Athinës se shqiptarët e zgjedhin vetë se cilin do kenë në Parlament, duke nënkuptuar se këto qëndrime të Athinës janë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Sipas Ramës, është e papranueshme që një vend fqinj të ndërhyjë në punët e brendshme duke iu referuar qëndrimeve të Athinës për largimin Vangjel Dules dhe zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Parlamentit. Deklarata vjen në kohën kur mes dy vendeve ka pasur reagime të ashpra lidhur me çështjen e kufirit ujor. Si pasojë e kësaj, kryeministri grek Aleksis Tirpas anuloi dhe vizitën që duhet të zhvillonte sot në Tiranë për të marrë pjesë në forumin ekonomik të Vjenës.
Pas deklaratave të Ramës ka ardhur dhe reagimi i Athinës. Në një deklaratë të ministrisë së Jashtme greke, qëndrimi i kryeministri shqiptar cilësohet si “zhvleftësim” dhe “rrëshqitje”! Në pak rreshta, diplomacia greke shprehet se politikanët shqiptarë duhet të kthehen tek arsyeja, duke përmendur dhe të drejtën ndërkombëtare. “Udhëheqja politike e vendit mik dhe fqinj po rrëshqet me fjalë dhe me vepra, çdo ditë. Kthimi tek arsyeja dhe në respektin ndaj legjitimitetit të së drejtës ndërkombëtare përbën rrugën më të sigurt për perspektivën europiane të Shqipërisë. Asnjë koment tjetër”, – thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke.
Edi Rama bëri mik fqinjin verior dhe shigjetoi armikun-mik të vjetër, Greqinë. Por kryeministri shqiptar më shumë vlerësohet në Europë e SHBA në raportet me Serbinë se sa me fqinjin problematik edhe për BE, Greqinë.
Dje u luajt pjesa e parë Shqiperi-Serbi e duket se doli barazim. Një barazim që i sherben të dyja paleve për të marrë driten jeshile tek Merkel.