“Zëri Amerikës” foli, RAI investigoi, ndërsa prokuroria nuk heton blerjen e votave

Nga Qamil Xhani/

Në kulmin e debatit mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri, një investigim i medias shtetërore italiane RAI i jep fund çdo dyshimi duke konfirmuar se zgjedhjet janë blerë me paratë e krimit. Gazetarët e RAI-t kanë udhëtuar drejt Shijakut, një nga qytetet më të përfolura muajt e fundit për trafikun e drogës. “Dosja 339”, banda e “Avdylajve”,  përgjimet e Vangjush Dakos dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë e kanë kthyer Shijakun në “kryeqytetin” e krimit. Ndaj dhe gazetarët italianë kanë shkuar në terren për të parë situatën në qytetin nga nisen për në Itali, armët dhe droga. Interesant është fakti se ndërsa flitet për trafikun e drogës dhe armëve, trafikanti që intervistohet e pranon hapur se paratë e drogës janë përdorur për të blerë zgjedhjet e shkuara dhe sipas trafikantit, do të blihen edhe ato të ardhshme.

Pas radios shtetrore të SHBA, “Zëri Amerikës” që hetoi, pas RAI që investigoi duke na transmetuar se si pranojnë me gojën e tyre në blerjen e votave, vetëm prokuroria shqiptare nuk po heton. Edhe ndonjë ambasador mbyll sytë.

“Natyrisht, marijuana, lekë, pushtet; pushteti blihet. Në zgjedhjet e fundit kështu ndodhi? Po. Ashtu siç do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme”,- deklaron për median italiane trafikanti i drogës nga Shijaku. Për të shpjeguar atë që ndodh në Shqipëri, televizioni italian u bën një përshkim të asaj që përfaqëson Shijaku dhe lidhjet e qeverisë më trafikun e drogës. “Shijaku është zona e Avdylajve, e supertrafikantëve, të arrestuar shpeshherë, që në telefon, para zgjedhjeve të fundit të 2017-s, flisnin për vota. Njëri prej vëllezërve Avdylaj, në përgjimet e zbardhura nga Zëri i Amerikës, organi zyrtar i Shteteve të Bashkuara, falënderohet nga Vangjush Dako, kryebashkiaku i Durrësit dhe sekretari rajonal i Partisë Socialiste, që qeveris vendin. Dosja e përgjimeve ka ngecur në prokurorinë e përgjithshme tashmë prej dy vitesh për shkak të lidhjes së hamendësuar me narkotrafikantët, për të cilën flet opozita parlamentare”,- thuhet në investimin e medias shtetërore italiane.

Kronika e RAI në pak minuta përmbledh atë që nuk kanë guximin ta thonë në sy as organizatat ndërkombëtare që paguhen për monitorimin e zgjedhjeve dhe as ambasadat e huaja në Tiranë, që flasin për çdo gjë, por jo për problemet reale. Një trafikant nga Shijaku bën “ekspertizën” e fushatave elektorale në vend duke e lidhur fituesin e zgjedhjeve me çmimin e hashashit dhe trafiqet e tjera. Trafikanti shpjegon çdo debat mbi demokracinë, programet, partitë dhe platformat nuk ka vlerë në zgjedhjet në Shqipëri. Çdo gjë nis me hashashin dhe pushteti i jepet atij që garanton bandat që të vazhdojnë punën të qetë.

Ajo që u shfaq në median italiane për shqiptarët nuk është ndonjë gjë e re. Qytetarët e dinë se çfarë ndodhi realisht në zgjedhje dhe si u kthye Shqipëria në një plantacion kanabisi. E reja në këtë histori është se fqinjët tanë dhe ndërkombëtarët po zgjohen. Për herë të parë po e kuptojnë se droga që vjen nga Shqipëria nuk është vetëm veprimtari bandash kriminale, por është një biznes gjysmë i ligjshëm që bashkëpunon me qeverinë. Praktikisht, trafikantët i sigurojnë votat qeverisë, ndërsa kjo e fundit u siguron paprekshmërinë në aktivitetet e tyre. Deklaratat e ambasadorëve të huaj në Tiranë që mbështesin gjithmonë qeverinë, duket se nuk bindin më as vendet që i kanë sjellë këtu ambasadorët. Sepse mjaftojnë pak minuta kronikë televizive për të rrëzuar gjithë raportet e OSBE për zgjedhjet dhe ato të Guardia Di Finanza për trafiqet. Duket se jo rastësisht, pas kronikës së RAI, zëvendësambasadori i OSBE në Tiranë u detyrua të pranonte se në zgjedhjet e fundit “vota u blenë, por nuk ndryshuan rezultatin”.

Një pohim i tillë edhe pse tenton të mos tronditë qeverinë aktuale kur thuhet “nuk ndryshuan rezultatin”, në fakt konfirmon atë që deklaron opozita se zgjedhjet u blenë me partë e drogës.

Në fillim “Zëri Amerikës” dhe tani televizioni Italian RAI po japin dokumenta e dëshmi se si janë blerë votat nga bandat kriminale për llogari të pushtetit si dhe  pritet t’i vjedhin edhe në zgjedhjet e ardhshme, qoftë vendore apo parlamentare.  Aktiviteti i drogës lejohet me kushtin që bandat të sigurojnë vota për pushtetin dhe kështu pushteti e krimi bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë, kurse disa ambasadorë rrijnë në pishinat e hoteleve të shtrenjta në Tiranë e pijnë verëra të shtrenjta e ku më pas bëjnë raporte me aromë pijesh në drejtim të qeverive të tyre.

Ndaj konflikti mes pushtetit dhe opozitës nuk ndalon pa krijuar një qeveri e cila të zhvillojë një palë zgjedhje të pa kontestuara nga asnjëra palë politike.

SHKARKO APP