Zëri i Amerikës: Venecia i jep të drejtë Presidentit Meta

Publikimi në media i draft opinionit të Komisionit të Venecias solli reagime të shumta për ruajtjen e konfidencialitetit. Palët që kanë kërkuar opinionin në Venecia, Partia Socialiste e para dhe më pas Presidenca janë të detyruara të mos komentojnë dhe publikojnë dokumentin paraprak, derisa të publikohet qëndrimi zyrtar. Zyrtarisht asnjë prej institucioneve të interesuara nuk e ka komentuar. Interesant është fakti se për konfidencialitetin sot ankohet Partia Socialiste, e njëjta që raportin e parë për 30 qershorin e shpërndau në media dhe reagoi publikisht ende pa ardhur raporti në Tiranë në rrugë zyrtare. Pavarësisht kësaj, etika e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe Komisionit të Venecias nuk do të thotë se vlen edhe për median. Media ka për detyrë të informojë publikun dhe atë që nuk e bëri pjesa më e madhe televizioneve në Tiranë, e bëri dje “Zëri i Amerikës” duke u dhënë të gjithëve një leksion gazetarie.
“Zëri i Amerikës” ka zbardhur në mënyrë të detajuar draft opinionin e Komisionit të Venecias, pra atë që mendojnë realisht juristët ndërkombëtarë për konfliktin qeveri-presidencë. Përfundimet e Komisionit të Venecias për këtë konflikt, as më shumë se as më pak e denoncojnë Parlamentin e PS për shkelje kushtetuese dhe nismën e qeverisë për shkarkimin e kreut të shtetit. Komisioni i Venecias, thotë se “veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arsye, nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit”.
Gjithashtu, dokumenti i Komisionit të Venecias argumenton se veprimet e kreut të KED, Ardian Dovroani kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën . Komisioni vë në dukej se institucioni i drejtuar nga Ardian Dvorani e ka kryer detyrën me mangësi, vonesa dhe një sërë interpretimesh të dyshimta ligjore. Sipas Komisionit të Venecias, “kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut”, thuhet në opinion paraprak. Ardian Dvorani, njeriu që sipas PS ka qenë “modeli i reformës në drejtësi”, në verifikimet ligjore të komisionit të Venecias del si juristi që ka shkelur një sërë ligjesh, madje aktori kryesor i konfliktit dhe bllokimit të Gjykatës Kushtetuese. Venecia thotë se KD çoi me vonesë dhe lista të mangëta tek Presidenca. Gjithashtu thekson se Dvorani përjashtoi nga mbledhjet Avokatin e Popullit dhe në mungesë të plotë transparence nuk publikoi asnjë procesverbal të mbledhjeve. Janë të gjitha akuza që kur deklaroheshin përditë nga Presidenti, PS i cilësonte si sajesa. Sot që i thotë Komisioni i Venecias, Dvorani duhet te sqaroi se për interes të kujt bëri lëmsh gjithë procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht të kryeministrit, por duhet ta pohojë para SPAK.
Komisioni i Venecias ka rrëzuar dhe projektin për betimin e gjyqtarëve dhe heqjen e kompetencave të Presidentit. Për këtë pikë ku Edi Rama u investua personalisht dhe sulmoi Presidentin, ndërkohë Komisioni i Venecias shprehet qartë se sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës Kushtetuese e fillon mandatin vetëm pasi bën betimin tek Presidenti. Raporti i Komisionit të Venecias hedh poshtë edhe lojën e PS-së që anëtari i kushtetueses të betohet edhe para noterit, por Venecia thotë prerë se “kjo do të thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek Presidenti. Betimi tek Presidenti është parakusht për marrjen e detyrës”. Venecia e cilëson aktin e qeverisë “Rama” anti-kushtetues dhe duke theksuar se “dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese”.

Komisioni i Venecias u thirr nga Partia Socialiste dhe më pas Presidenti i Republikës dërgoi informacion plotësues mbi aktet ligjore që ka marrë për Gjykatën Kushtetuese. Deri në publikimin e tij përfundimtar, nuk është çudi që qeveria “Rama” të lobojë me çdo mënyrë për ndryshimin e tekstit. Çfarëdo ndryshimi që do t’i bëhet më pas, kuptohet që do ketë “duart” e Rilindjes brenda, sepse ajo çfarë mendojnë realisht ekspertët ndërkombëtarë është thënë në opinionin paraprak dhe kjo ka më shumë rëndësi për shqiptarët.
Qëndrimet e Komisionit të Venecias janë vetëm këshilluese dhe jo detyruese për institucionet. Por në situatën kur mungon Gjykata Kushtetuese, del se Venecia ka marrë indirekt rolin e arbitrit. Ajo çfarë thuhet në dokumentin e Venecias jo vetëm i jep të drejtë kreut të shtetit, jo vetëm justifikon gjithë betejën disa mujore, manifestimin e 2 marsit dhe qëndrimet e ashpra të Ilir Meta, por është ligjërisht dhe moralisht fundosje e rilindjes dhe denoncim i grushtit të shtetit.
M. Xhani

SHKARKO APP