Zgjedhje e referendum për tre draftet PS, LSI dhe PD

Reforma në drejtësi po sjell ngjarje politike të cilat asnjë nuk i mendonte se mund të ndodhnin kaq shpejt. PS insiston në draftin e saj, gjoja me ekspertë të pavarur, Ministria e Drejtësisë ka paraqitur një draft konsensual  dhe që zgjidhte përplasjen mes PS dhe PD. Por që në krye të ministrisë është një ministër i LSI. Kurse vetë PD-ja nuk shkoi fare në komisionin e fundit, sepse PS-ja nuk i pranoi asaj numrin 93 vota për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese. Ndaj duket se nuk ka asnjë konsensus mazhorancë me opozitë, porse pikësëpari nuk shikohet të ketë konsensus as mes PS e LSI. Kjo e çon vendin direkt e në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mos po e luan vetë këtë lojë Kryeministri Rama, që duke e ditur mosmarrjen parasysh të draftit konsensual dhe të drejtë të Ylli Manjanit, do të sjellë rënien e qeverisë? Pra shkon në zgjedhje jo se gjoja ia kërkon PD-ja, por se nuk ka harmoni programore për drejtësinë me LSI. Pra Rama i jep një goditje aleatit të saj që t’i marrë vota, ndonëse nuk parashikon kundërgoditjen e Metës, i cili e rrëzon qeverinë dhe me PD, PDIU, PR,etj krijon qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje, por pa Edi Ramën kryeministër.

Fakti që ekspertët e “pavarur” të PS-së, me porosi të Edi Ramës, nuk pranuan të shqyrtojnë as draftin e Ministrisë së Drejtësisë, e hartuar me ekspertët me të mirë të kësaj ministrie, fakti që selia blu nuk merr pjesë në draftin përfundimtar, e kjo mbetet absurde, fakti se të gjitha palët janë gati të përleshen tregon se zgjedhjet e parakohshme nuk janë larg. Madje mund të caktohen në pranverë, nga muaji mars-prill. Dhe me këtë rast një rrugë e dy punë: edhe zgjedhje politike, edhe votim me referendum të draftëve të drejtësisë.

Por pse zgjedhje të parakohshme? Së pari, reforma në drejtësi është cilësuar nga ndërkombëtarët si testi kryesor për klasën politike. Është dokumenti që jo vetëm do të pastrojë radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por do të garantojë edhe dënimin e politikanëve. Reforma do të garantojë çeljen e negociatave për në Bashkimin Europian. Gjithashtu është provë për klasën politike nëse është e gatshme të lejojë drejtësinë që ta kontrollojë dhe dënojë. Dështimi i realizmit të reformës do të thotë automatikisht dështim i klasës politike,por veçanërisht e kryeministrit që ka përgjegjsinë kryesore edhe në këtë premtim për reformën në drejtësi. Ai ka thënë se “me çdo kusht e me çdo çmim” do ta miratojmë! Dhe “çmimi” është të shkohet tek populli për ta votuar reformën dhe qeverinë.

Së dyti, reforma në drejtësi është premtimi kryesore i kësaj mazhorancës. Në vitin 2013 Kryeministri Edi Rama premtoi se reforma do të kryhej në këtë mandat qeverisës. E premtoi si një qëndrim elektoral të mazhorancës PS-LSI, por edhe si një detyrim ndaj shqiptarëve. Në momentin që nuk gjendet konsensusi dhe reforma dështon, premtimi kryesor i mazhorancës bie. Nga ana tjetër, pyetja që shtrohet është; a ka më kuptim që koalicioni PS-LSI të vazhdojë i qetë qeverisjen dhe Rama e Meta të takohen çdo të premte si aleatë të ngushtë, kur realisht nuk bien dakord për reformën më të rëndësishme? Kur PS-ja dhe kryeministri as që duan t’ia dijnë për draftin e përgatitur nga specialistët e ministrisë së Drejtësisë, ministri e cila është pjesë e qeverisë, atëhere pse rrijnë nën një çati?

Të shkojnë në zgjedhje dhe populli jep viston e cilit draft dëshiron. Dhe në të njëjtën ditë bëhen edhe zgjedhje të parakohshme. Të huajt nuk harxhojnë investime në njërëz e në euro vetëm për zgjedhjet e parakohshme, por në një ditë shikojnë e vëzhgojnë edhe votimin e draftëve të drejtësisë. A duan ndërkombëtarët sistem drejtësie modern? Ku ka më mirë se sa populli në referendum ta votojë.

Zgjedhjet e parakohshme janë një zgjidhje dhe për vetë reformës në drejtësi. Opinioni publik këto ditë është bombarduar me drafte, propozime, ide dhe ligje që për pjesën më të madhe ngjajnë si leksione të jurisprudencës. Secila palë, PS, PD dhe LSI kanë nga një variant të tyren sesi e mendojnë se duhet drejtësia në Shqipëri. Në këtë situatë është më mirë që bashkë me zgjedhjet, pasi konsensusi deri më tani nuk duket, të bëhet dhe referendum për drejtësinë.

Fushata elektorale do të jetë edhe politike, sepse flitet se cila parti merr pushtetin, porse kryesisht do të mbizotëroj edhe një fushatë me specialiste e njerëz të mendjes juridike se do t’ju shpjegojnë për draftin e tyre, secila parti. Pra PS, PD dhe LSI kanë tre drafte dhe  përderisa nuk bien dakort le të shkojnë në popull të votohen.

Përgatituni pra edhe për zgjedhje të reja politike!

SHKARKO APP