Zgjedhjet lokale drejt dështimit
këto ditë duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve që do të mbahen pas rreth gjashtë muajsh për drejtuesit e rinj të pushtetit vendor. Por opozita dhe mazhoranca ende nuk kanë rënë dakord sesi do të shkojnë në këto zgjedhje vendore. Mazhoranca miratoi disa muaj më parë, vetëm me votat e saj dhe të PDIU-së reformën territoriale që shkriu pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave. Nga 374 njësi vendore për të cilat është votuar në vitin 2011, në zgjedhjet e ardhshme që sipas ligjit mund të mbahen në fund të muajit maj ose qershor, shqiptarët duhet të votojnë vetëm për 61 drejtues të pushtetit vendor. Kjo ndarje territoriale është bërë dhe shkaku kryesor që ka hedhur në diskutim variantin për mosmbajtjen e tyre. Partia Demokratike konfirmoi dje se me këtë reformë administrative nuk mund të ketë zgjedhje vendore. Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e ankesës së Partisë Demokratike, e cila kërkon as më pak a më shumë, por rrëzimin e kësaj reforme. Sipas PD-së, kjo reformë është bërë pa konsensus politik, pa miratimin e banorëve dhe në shkelje të Kushtetutës. Krahas padisë së bërë nga PD-ja për reformën territoriale, ka dhe një numër të konsiderueshëm kërkesash për referendume lokale. Ankesat janë të dirigjuara nga Partia Demokratike dhe nëse miratohen do të ketë referendume thuajse në 80 komuna dhe bashki, por gjithsesi nuk mund të flitet më për zgjedhje lokale. Edhe nëse bëhen zgjedhjet, që nuk mund të zhvillohen pa pjesëmarrjen e PD-së, asnjë nuk do t’i njohë, pasi vendi do futet në një krizë politike, e cila nuk dihet se si do të përfundojë.
Zgjedhjet lokale janë të rrezikuara edhe për shkak të afateve kohore që kërkojnë procedurat e tjera. Disa ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi ndryshimin e Kodit në disa prej neneve të tij. Amendimet në këtë ligj janë sugjeruar nga organizmat ndërkombëtarë, por edhe për të bërë këtë ndërhyrje koha nuk mjafton. Sipas Kushtetutës, ndryshimet në ligjin elektoral mund të bëhen vetëm 6 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve. Edhe nëse PD dhe PS bien dakord për rishikimin e Kodit Zgjedhor, sërish llogaritë nuk dalin, pasi afati prej gjashtë muajsh duket i konsumuar që tani. Telasheve me zgjedhjet vendore u shtohet edhe një tjetër problem, që lidhet me organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ ka sot 4 anëtarë nga 7 që duhet të ketë normalisht. Që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, në këtë komision mungojnë përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë, kryetari i institucionit është zgjedhur sipas formulës kur në mazhorancë ishte Partia Demokratike. Pra, ende pa hyrë në diskutimin e datës së zgjedhjeve, politika ende nuk ka përcaktuar se si do të jetë komisioni i administrimit të votave. Detaje të tilla ligjore mund të duken të parëndësishme, por nëse flasim për respektim të ligjit, duket se që tani të dyja forcat politike e kanë shkelur atë me të dyja këmbët.
Jashtë detajeve teknike, gjithnjë e më qartë po dallohet një skenar i opozitës për t’i çuar zgjedhjet drejt dështimit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për reformën territoriale do të jetë verdikti që do të përcaktojë nëse do të ketë apo jo zgjedhje lokale. Burime nga opozita thonë se drejtuesit e Partisë Demokratike po investohen fuqishëm tek Gjykata Kushtetuese, që anëtarët e saj të marrin një vendim në favor të selisë blu. Ish-kryeministri i vendit, por edhe ish-ministra të Partisë Demokratike që kanë patur peshë në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese gjatë qeverisjes të së djathtës, janë duke lobuar, apo e thënë thjesht, duke bërë edhe presion, që kjo Gjykata të rrëzojë reformën territoriale. Nëse një vendim i tillë merret nga Gjykata Kushtetuese, bashkë me bojkotin parlamentar, situata politike më shumë se e tensionuar, bëhet shpërthyese. Pavarësisht se për këtë reformë janë investuar miliona dollarë nga partnerët ndërkombëtarë dhe është bërë një punë disa-mujore për hartimin dhe vënien në zbatim të saj, PD-ja kapet vetëm pas argumentit politik, se nuk e ka votuar dhe nuk mund të pranojë një reformë të njëanshme. Gjasat janë që PD-ja të mos futet në zgjedhjet lokale, por as në parlament në janar, ndaj duket se horizonti nga blu tek selia demokrate do të kthehet në të zi, në rrebesh e furtunë. Ka edhe një skenar tjetër që PS-ja të tërhiqet për reformën territoriale dhe t’i japë PD-së atë çka kërkon ajo, por kjo do të ulte kredibilitetin e Edi Ramës si një politikan që zbythet para presionit. Por ndërkohë, Rama ka dhënë prova të qarta se nuk tërhiqet para asnjë presioni apo lajke, duke bërë disa reforma e vendime që asnjë kryeministër nuk ka guxuar t’i bëjë deri më sot.
Por këtë herë, përplasja me PD-në duket katastrofike, nëse ndodh. Selia blu nuk ka se ç’të humbasë më tepër, ndaj është për duel e përplasje.