Zgjedhjet në LSI, leksioni për PS-PD
Të dielën anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të votojë për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe delegatëve të Konventës Kombëtare. Në garë për kreun e LSI-së janë kreu i asaj aktual Ilir Meta, deputeti Përparim Spahiu dhe kreu i LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj.
Rikonfirmimi i kreut aktual Ilir Meta, duket si procesi më i natyrshëm i zhvillimeve të brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por ajo çfarë e bën të veçantë këtë proces zgjedhor ka të bëjë me frymën dhe zbatimin e disa parimeve të harruara tek partitë e tjera.
LSI është forca e parë politike që ka aplikuar sistemin e votimit brenda strukturave të saj me parimin “një anëtar një votë”. Ky model votimi është sanksionuar në statusin e saj që në vitet e para të krijimit të partisë. Më pas e njëjta ide u përdor dhe nga PS-ja me ardhjen e Ramës në krye të saj dhe nga PD-ja gjatë viteve të fundit. Edhe në këto zgjedhje, LSI-ja ashtu si dhe në vitin 2012 do të përdorë votimin “një anëtar një votë”, duke dëshmuar se i qëndron parimit të deklaruar para anëtarësisë. Pavarësisht kritikave që janë të pashmangshme në politikë, LSI-ja ka qenë një leksion për forcat e tjera në këtë pikë.
Partia Socialiste në vitin 2005 e zgjodhi kryetarin nga kongresi i jashtëzakonshëm dhe gara ishte vetëm formale. Në vitin 2009 tentoi të aplikonte parimin një anëtar një votë, ku përballë Edi Ramës kandidoi vetëm Maqo Lakrori. Në atë kohë vetë socialistët e quajtën një farsë këtë garë. Më pas nga parimi europian “një anëtar një votë”, PS-ja kaloi në ekstremin tjetër duke hequr fare të drejtën e garës. Rasti më konkret ishte ai i prilli të vitit 2016, ku zgjedhja e Ramës u bë jo me votim, por me referendum dhe ky kryesocialisti fitoi me mbi 95%. Prej kësaj mënyre jashtë normave demokratike iku dhe Ben Blushi nga PS. Çudia ishte se për herë të parë nuk u votuan kandidatë, por u votua pyetja: “Kur partia fiton zgjedhjet, mandati i kryetar ripërtërihet automatikisht?”. E gjitha kjo kinezëri elektorale u bë për të shmangur garën dhe për t’i hequr mundësinë e kandidimit Ben Blushit. Kjo farsë brenda partisë solli dhe ndarjen përfundimtare të Blushit nga PS dhe krijimin e partisë së re. Në 11 vjet drejtimi të PS-së, Edi Rama është zgjedhur vetëm një herë kryetar, sipas parimit “një anëtar një votë”, përballë Maqo Lakrorit.
E njëjta gjë mund të thuhet se ka ndodhur edhe në PD. Historikisht selia blu nuk ka pasur ndonjë herë shqetësim të respektojë mendimin e anëtarëve. E drejtuar për më shumë se 20 vjet me dorë të hekurt nga Berisha, në PD zgjedhjet dhe garimi normal mes kandidatëve brenda saj, as që mund të imagjinohej. Në vitin 2013, selia blu tentoi të testonte demokracinë e brendshme të saj kur në garë ishte Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Të gjithë e dinë si shkuan zgjedhjet, me lista të gatshme, presione dhe thyerje kutish. Por gjithsesi zgjedhje pati.
Ky është një historik i shkurtër i historisë së zgjedhjeve në vitet e fundit të dy partive të vjetra. Për partitë e tjera nuk mund të flitet as për zgjedhje dhe as për garë të brendshme dhe as për impakt të politikave të tyre të brendshme në shoqërinë shqiptare.
Ndryshe qëndron çështja me LSI-në. Si një ndër forcat kryesore politike në vend dhe si një parti që njeh rritje në çdo fushatë elektorale, demokracia e brendshme dhe standardet e saj marrin një tjetër vlerë. Sigurisht, te LSI-ja jo çdo gjë mund të merret si etalon i demokracive të brendshme të partive perëndimore, por në raport me PS dhe PD, diferenca është dukshëm pozitive.
Së pari, te LSI-ja gara nuk u bë formale dhe me emra anonim. Seriozitetin një gare ia japin kandidatët. Shezai Rrokaj është një profesor i nderuar që do i bënte nder çdo partie me aktivizimin e tij. Futja në garë e një intelektuali me kalibër të lartë dha idenë se zgjedhjet brenda partisë nuk janë vetëm një lojë politike. Po ashtu dhe një deputet me qëndrime të spikatura individuale si Përparim Spahiu ka rëndësinë e vetë në një garë brenda partisë. Deputeti kandidat ka parimet e tij strikte në raport me ato çka thotë publikisht. Spahiu e ka bindje se duhet që koalicione të ketë kushte strikte ndaj PS-së dhe të jetë pika numër një e koalicionit që Kryeministri duhet të jetë nga LSI për vitet 2017-2022.
Së dyti, zgjedhjet ishin test për debatin dhe demokracinë e brendshme në LSI. Asnjë kandidat nuk është ndaluar të marrë pjesë. Asnjë anëtari forumesh të saj nuk i është hequr e drejta e fjalës dhe as e drejta për të garuar, siç bëri PS-ja me Ben Blushin. Madje, Përparim Spahiu kur deklaroi ambicien për kryetar askush nuk ia hoqi këtë të drejtë, ndonëse ka manifestuar qëndrime të kundërta më kreun e partisë Ilir Meta. Tek partitë e tjera kemi parë që kandidatët edhe pse ndonjëherë formalë, janë bllokuar. U janë ndërprerë urat e komunikimi me mediat. U është ndaluar të thërrasin anëtarësinë në fushatë dhe u është hequr e drejta të kalojnë cakun e qëndrimeve që duhet të mbajnë. Fushata e LSI-së nxori në dukje se në këtë parti ka debate dhe ide që shkojnë edhe kundër qëndrimeve zyrtare të Partisë. Nëse ndjekë retorikën e kandidatit Përparim Spahiu, thuhet hapur se LSI-ja duhet të marrë drejtimin e Qeverisë, madje kërkohet një distancim i qartë me PS-në për të mos marrë kosto elektorale nga gabimet e Kryeministrit aktual. E njëjta gjë dhe me qëndrimet e Shezai Rrokajt kur kërkon hapjen e partisë tek shoqëria civile dhe afrimin e njerëzve dhe shtresave sociale që janë të papërfaqësuara në politikë.
Të gjitha këto debate, pavarësisht reagimeve pro dhe kundër, pavarësisht fituesit dhe problemeve që ka çdo fushatë brenda partisë kanë sjellë një stad të ri te LSI. Mbi të gjitha u kanë dhënë një leksion demokracie të brendshme dy forcave kryesore PS dhe PD, të cilat edhe pse kanë statute moderne, vazhdojnë të sillen njëlloj si në vitet ‘90.
Nuk ka rëndësi rezultati nesër në votime në LSI. Ajo që mbetet është se gara funksionoi, gjithsesi.