Zgjedhjet pa opozitën sjellin vetëm KONFLIKT
Në mënyrë paradoksale disa ndërkombëtarë po mendojnë se stabiliteti i vendit garantohet me kryeministër Edi Ramën. Në fakt, është e kundërta. Kriza u prodhua nga Edi Rama dhe vazhdimi i qeverisjes së tij është shkaku që prodhon destabilitetin më të madh në vend. Ambasadorë, ndërhyni me mendje e logjikë për një zgjidhje të gjithëpranueshme, sa nuk është vonë! Ndërkombëtarët e kanë zgjidhjen se strehohen nëpër ambasadat e tyre, kurse populli në përplasje mund të shkojë në gjakosje. Ndërhyni, se flitet për popullin e thjeshtë!
Po vjen furishëm 30 qershori, data e dekretuar për zgjedhjet vendore. Le të hamendësojmë për një moment se çfarë do të ndodhë në 30 qershor 2019, nëse Edi Rama çon PS-në në zgjedhje vetëm me “partizat” e Rudina Hajdarit dhe Ralf Gjonit, duke tentuar të asgjësojë opozitën reale dhe vetë demokracinë në vend. Në orën 07:00 gjysma e qendrave të votimit nuk mund të zhvillojnë zgjedhje, pasi qytetarët janë mbledhur para tyre duke bllokuar komisionarët. Ndërkohë brenda qendrave, komsionerët e PS-së vazhdojnë të mbushin kutitë me vota fallso, pasi nuk ka kush i kontrollon. Ndërkohë protestues që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht nga PS dhe as nga Rudina, Kujtimi apo Ralfi, nuk e pranojnë këtë farsë dhe do të kenë djegur kutitë e votimit, do të kenë rrahur komisionerët dhe këdo që pretendon se këto janë zgjedhje normale. 30 minuta më vonë, policia do të ketë nisur sulmin ndaj protestuesve me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Por gaz nuk ka për të gjithë Shqipërinë! Por edhe nëse çojnë gaz nëpër hyrjet e qendrave të votimit, prapë situata do të kthehet si situatë lufte. Në Tiranë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Durrës, Fier, Gjirokastër, etj. do të ketë filluar përplasja e hapur fizike mes policisë dhe protestuesve. Një orë më vonë Sandër Lleshi dhe Olta Xhaçka marrin urdhër nga Edi Rama që të nxjerrin ushtrinë për të shmangur destabilitetin. Bashkë me trupat speciale, blindet dhe tanket në rrugë, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe “fitoren” e thellë të PS-së me 99% të votave. Vëzhguesit e huaj që kanë ardhur për të monitoruar standardet elektorale do të numërojnë të plagosurit, apo edhe më keq… dhe NATO dhe BE do të detyrohen të dërgojnë ushtrinë për të shmangur luftën civile! Pas kësaj nuk kemi më as zgjedhje dhe as shtet! Larg qoftë një vit 1997!
Por për fat të mirë, deri tani, një skenar i tillë është vetëm fantazi. Opozita nuk ka një plan të tillë, por askush nuk garanton se qindra mijë shqiptarë apo më shumë se gjysma e popullsisë, do të pranojnë që pushteti të tallet si në kohën e Enverit me votën e tyre. Askush nuk dëshiron që kjo gjë të ndodhë, por pyetja është çfarë po bëjnë politika, qeveria dhe ndërkombëtarët që, pikërisht, kjo të mos ndodhë? Çfarë po bëjnë gjithë përfaqësuesit e klasës politike, duke nisur nga kryeministri, për të shmangur ata që i frikësohen të gjithë? Në vend të ulen tonet, të jepen variante për zgjidhjen dhe në vend të të menduarit dhe vepruarit si shtetar, pothuaj të gjitha palët, për dreq edhe disa ndërkombëtarë po shkojnë në mënyrë qorre drejt konfliktit dhe përplasjes që sjell pasoja fatale për Shqipërinë. Të enjten, qeveria “Rama”, me sponsorizimin e vetë kryeministrit dhe në shkelje të Rregullores së Parlamentit (që ka vlerën e ligjit) urdhëroi krijimin e grupeve parlamentare me deputetët që njihen si të blerë po nga qeveria. Biznesmenët e koncesioneve afër qeverisë kanë marrë urdhër të hapin thesin për financimin e kësaj opozite të re që synon të kthehet në parti! Mediat qeveritare kanë nisur të japin si lajme kryesore fjalimet idiote dhe pa shqipe të saktë të deputetëve që nuk i mbështesin më as familjet e tyre, e jo më elektorati i djathtë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka nisur të zgjedhë kandidatët e PS dhe po shkon me vetëdije drejt një procesi shkatërrues për të ardhmen e vendit. Nuk ka më Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë që të ndalojë këtë maskaradë. Nuk ka më parlament legjitim që të kontrollojë lajthitjet ligjore të qeverisë dhe nuk ka më as ndërkombëtarë që të thonë se kështu nuk vazhdohet më. Në mënyrë paradoksale disa ndërkombëtarë po mendojnë se stabiliteti i vendit garantohet me kryeministër Edi Ramën. Në fakt, është e kundërta. Kriza u prodhua nga Edi Rama dhe vazhdimi i qeverisjes së tij është shkaku që prodhon destabilitetin më të madh në vend. Ndërhyni me mendje e logjikë për një zgjidhje të gjithëpranueshme, sa nuk është vonë! Ndërkombëtarët e kanë zgjidhjen se strehohen nëpër ambasadët e tyre, kurse populli në përplasje mund të shkojë në gjakosje.
Ndërhyni se flitet për popullin e thjeshtë!