Zjarrvënësi sharmant i Greqisë

Stop kursimeve, miliarda për të varfërit: me mesazhe të tilla del përpara votuesve Alexis Tsipras. Në fund të janarit, i majti mund të marrë drejtimin e qeverisjes. Rritja e tij do ketë pasoja- për mbarë Europën

Nga Giorgios Christides, Spiegel

Mesa duket, moderatorja televizive Anna Panagiotarea ka aftësi për të parashikuar të ardhmen. Në vitin 1990, gjaë një emisioni, ajo i tha një djaloshi me një model të çuditshëm flokësh: “Ti je vetëm 17 vjeç. Por një ditë do të të shohim prapë. Atëherë do jesh udhëheqës politik”.

Djaloshi me atë model flokësh ishte Alexis Tsipras- dhe brenda pak javësh mund të zgjidhet si njeriu më i fuqishëm në Greqi.

Këtë të martë dështoi votimi i tretë për presidentin. Ish- komisioneri i BE, Stavros Dimas nuk mori shumicën e nevojshme. Pasojat: Vendi shkon në zgjedhje të parakohshme në janar.

Në vitin 1990, Tsipras ishte akoma në shkollë. Në emisionin e Anna Panagiotarea, ai mori përsipër rolin e udhëheqësit në një protestë të nxënësve kundër ligjeve jopopullore të arsimit.

Sot, 40 vjeç, ai udhëheq një bashkim të të majtëve grekë, të quajtur Syriza. Imazhin e revolucionarit e ruan me kujdes. Ai mban kostum, por thuajse asnjëherë një kravatë. Por mbi të gjithë ai di shumë mirë se si të dalë kundër rregullave jopopullore. Kursi i tij kundër masave të kursimit, të imponuara nga jashtë, tërheq ndjeshëm votuesit. Në masë madje. Sondazhet më të reja tregojnë se Syriza është shumë përpara- madje qartazi më përpara partisë Nea Dimokratia, që drejton aktualisht.

Miqtë dhe kundërshtarët e tij bien dakord: falë karizmatikut Tsipras, një tufë me radikalë të majtë është kthyer në partinë më të dashur në vend.

“Nën drejtimin e tij, e majta është kthyer në një forcë qeverisëse,” thotë Christoforos Vernardakis, studiues i shkencave politike në Universitetin e Selanikut.

 

Kush do paguajë?

Kjo është ajo që shqetëson shumëkënd në Greqi. Kundërshtarët e tij paralajmërojnë: Tani nuk është koha për eksperimente politike.

Nëse i hedh një sy programit të Syriza-s, e kupton se aty nuk mungon diçka: Idetë radikale.

Përfaqësuesit e Syriza-s thonë për Spiegel se së pari do të adresohet kriza humanitare në vend. Partia e majtë thotë se kjo nënkupton një paketë me energji falas dhe ushqime për të varfërit si dhe deri në 300 mijë vende të reja pune.

Përvec kësaj, do të shfuqizohen të gjitha ligjet e miratuara nga parlamenti që nga viti 2010.

Kritikët kanë mbi të gjitha një pyetje: Kush do të paguajë?

Vetë Syriza thotë se këto shpenzime shkojnë në rreth 13.5 miliardë euro. Ministria e Financave e Greqisë i vlerëson nevojat financiare në 27.2 miliardë.

Nga do vijnë këto? Syriza thotë se ka gjetur një përgjigje: Do luftohet evazioni fiskal, të pasurit do taksohen më shumë dhe do menaxhohet më mirë çështja e borxhit. Pastaj ka edhe fonde të papërdorura akoma nga fondi i ndihmës dhe të tjera programe të BE. Syriza këmbëngul se nuk është i nevojshëm një borxh i ri.

Analistët thonë se kjo është vetëm një dëshirë. Greqia ka dështuar deri më tani në mbledhjen e borxhit tatimor, pse duhet që tani të ndryshojnë gjërat? Pastaj taksat e reja mbi pasanikët zor se kanë ndonjë sukses. Gjithsesi, vetëm 0.5 përqind e grekëve kanë të ardhura prej më shumë se 100 mijë euro në vit.

 

Linja e ashpër

Tërheqja e të gjithë ligjeve që prej vitit 2010- janë me qindra- do të jetë një detyrë gjigande, që do trondisë ekonominë greke dhe do trembë investitorët potencialë. “Ne shpresojmë për më të mirën, por presim më të keqen,” tha një industrialist për Spiegel.

Por të gjitha këto nuk janë asgjë përkundrejt projektit më të rëndësishëm të Syriza-s, atij për shkurtimin e borxhit. Tsipras beson se mund të bindë kreditorët e Greqisë që të heqin dorë nga fitimi i tyre. Europa nuk mund të lërë Greqinë të falimentojë, kështu përllogaritet.

Në qarkun e ngushtë të Tsipras thuhet se nuk rrezikohet marrja e një vendimi për daljen nga Eurozona. Burrështetasi i ri është i mjegullt. Njëherë thotë që monedha Euro nuk është tabu. Më pas betohet se do e mbajë Greqinë në Eurozonë.

Në partinë e tij nuk mungon linja e ashpër, e udhëhequr nga Panagiotis Lafazanis. Ata bëjnë presion duke kërkuar falimentimin, ndërsa flirtojnë me daljen nga Euro. Këta zëra kanë pushtet në Syriza. Nëse Tsipras do ndjekë një kurs të moderuar, ai rrezikon që të shkaktojë probleme të brendshme në parti.

Edhe pse nuk është zgjedhur akoma, Europa ka reaguar me nervozizëm. Disa orë pasi u mësua se do ketë zgjedhje të reja, erdhi paralajmërimi i parë nga jashtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaloi përkohësisht negociatat me Athinën. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble e bëri të qartë se do ishte shumë e vështirë për Greqinë nëse devijon nga masat shtrënguese.

Por për Tsipras, këto nuk i bëjnë shumë përshtypje.

Të hënën ai lajmëroi: “Së shpejti, paketat e shpëtimit dhe masat e kursimit do jenë dëborë e së djeshmes. E ardhmja ka nisur”.

SHKARKO APP