Zonja e Ruspave
Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtoresha e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar është figura më e frikshme në ditët tona për shumë e shumë kundravajtës. Gjithsesi, pas tagrit të madh, fshihet një natyrë e qetë dhe e vendosur, që ka marrë mbi vete një barrë të rëndë, e cila mund të thyente në mes edhe meshkujt më të fortë. Plot 1800 ndërtime në Tiranë, dhe qindra të tjera kudo nëpër Shqipëri, janë prishur deri më tani, ndërsa shumë të tjera syresh presin radhën. Aksioni i INUK-ut vazhdon me dorën e fortë, të një pushteti, që pretendon të heqë imazhin e anarkisë, gati patologjike të shqiptarëve.Abuzimi është vërtet shumë i madh dhe pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme që në radhë të parë, vetë qytetarët të sensibilizohen, kështu thotë për “JAVA”-n, kur e pyesim për katrahurën urbane, që sundon në vend. Është e bindur se do të vazhdojë derisa të ketë një lloj normaliteti. Kë quan normalitet? Kur s’ka kaos të tillë! Është e qetë dhe ruan pak humor, me sa duket si armë të shpërndajë dhe të lerë mënjanë tensionin e madh të punës. Edhe pse mediatikisht deri pak kohë më parë s’ishte e njohur, znj. Dallëndyshe Bici, ishte dukur shpesh në parlamentin shqiptar, krahas ministres Gjermeni për të prezantuar dhe mbrojtur juridikisht projekt-ligjet e Ministrisë së Zhvillimit Urban. Tagri dhe cilësia e punës, nuk i bëri të mëdyshojë, superiorët e saj, që pas dorëheqjes së paraardhësit Dajti, t’i propozonin këtë post. Dhe, ata që do të mendonin se beteja e INUK-ut, që po promovohej dhe nga fushata e kryeministrit do të fashitej këtej e tutje, mbetën të zhgënjyer. Znj. Bici jo vetëm që po e vazhdon këtë fushatë, por nga ana tjetër po i jep intensitet. Intervista me të ka qenë e vështirë, pasi, më shumë se në poltronin e drejtoreshës, këtë grua e gjen në terren. Dhe, për çdo ditë, gati në një qytet të ri. Afërmendsh, kush e shikon në qytetin e vet, tash e tutje, duhet ta parashikojë mirë se çfarë e pret kundravajtësin. Inspektorët e saj kanë evidentuar dhe janë ende në kërkim të ndërtimeve pa leje, ku deri më tash vetëm në Tiranë janë prishur 1800 ndërtime pa leje dhe përveç kësaj plot 2383 tabela te përmasave te ndryshme për reklamim, vendosur ne akset kombëtare po presin radhën të prishen. Ka një përgjigje të gatshme dhe për shumë njerëz, që po e pyesin hapur: Pse po prishni në mënyrë selektive? “Ne funksionojmë me shkresa dhe me plane veprimi. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë veprime selektike, sepse nëse do të vepronim kështu, sigurisht që do të na kthehej bumerang dhe qytetarët do të humbnin besimin, si tek Inspektorati si institucion, ashtu edhe te forca dhe respektimi i ligjit. Inspektoriati nuk bën asnjë diferencim dhe i trajton qytetarët të barabartë përpara ligjit”, thotë ajo. Sa do zgjasë? Beteja, megjithatë, sapo ka filluar…
Nga Drejtoreshe Juridike e INUK-t u emëruat drejtoreshë të këtij inspektoriati, me një forcë të jashtëzakonshme. Si erdhi ky kapërcim i juaji në detyrë me arsyetimin e vetë drejtoreshës së sotme?
Duhet t’ju them që në fillim që qeveria e re e mori detyrën në një moment jashtëzakonisht shumë të vështirë, – nuk i referohem vetëm situatën ekonomike, por mbi të gjitha asaj situate që prek direkt punën time, si më herët, ashtu edhe tani dhe që ka të bëjë me kontrollin e territorit. Prej vitesh ka patur një zhvillim të pakontrolluar, që ka sjellë një kaos të vërtetë dhe në disa raste investime që janë bërë pengesë, e në disa raste edhe shkaqe për konflikte, sesa kanë shërbyer në funksion të qytetarëve. Prandaj Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, që në nisje të punës, kur unë mbaja postin e drejtoreshës juridike, u përball me një fluks denoncimesh, që kishin mbërritur që në krye të herës, përmes portalit “stoprrënimit”, nga qytetarë të ndryshëm. Volumi i punës që në fillim ishte shumë i madh për të gjithë dhe sigurisht edhe për mua, si drejtuese e departamentit juridik, i cili merret me gjithe anën administrative, pasi në çdo veprim që ndërmarrim, kujdesemi maksimalisht për të respektuar ligjet në fuqi. Kalimi nga ajo detyrë në postin që kam aktualisht ishte i natyrshëm dhe aspak i sforcuar për mua, duke qenë se isha drejtuesja e një departamenti që ka trajtuar juridikisht dhe është marrë nga afër me çdo ndërhyrje që është bërë”.
A është e vështirë për një femër të drejtojë INUK-un pasi me prishjen e ndërtimeve pa leje në mbarë vendin po cenohen direkt qytetarë të shumtë gjë që i ka bërë shumë më të ndjeshme disa çështje sociale në vend?
“Në situatën aktuale për këdo do të ishte shumë e vështirë drejtimi i një Inspektorati të tillë, por unë mendoj se çdo funksion publik ka një peshë shumë të madhe përgjegjësie në rradhë të parë kundrejt qytetarit, e më pas edhe ndaj eprorëve të tu, deri te Kryeministri i vendit. INUK është i detyruar që në kushtet e një masakre të tillë me territorin dhe hapësirat publike të funksionojë dhe të marrë atë rolin që edhe mund të kritikohet nga disa qytetarë të përdorimit të fadromave për të prishur gjithçka që është lejuar të lulëzojë në gjithë këto vite, në mënyrë të paligjshme, në shkelje të rregullave, planeve, por edhe me leje abuzive. Por, në fund, pas rikthimit të çdo hapësire të lirë të uzurpuar në mënyrë të paligjshme, te qytetarët, unë jam e sigurt, që shumica e tyre, do të duartrokasin, pasi më në fund, në këtë vend, do të respektohet ligji”.
Kalimi i INUK-ut nga juridiksioni i Ministrisë së Territorit tek Ministria e Brendshme e bëri më të lehtë apo e komplikoi edhe më tepër punën e INUK-ut?
“Ndryshimi i juridiksionit mendoj se është bërë për të thjeshtuar dhe forcuar punën e inspektorëve në terren. Pasi në shumë raste, siç edhe mund ta keni parë, është nevojitur shoqërimi i inspektorëve tanë me forca të policisë për të garantuar mbarëvajtjen e punës, ndërkohë që në disa raste të tjera, pronarët e objekteve, qytetarët e kanë mirëkuptuar aksionin tonë dhe kanë ndërhyrë vetë për të prishur, ose larguar gjithçka të ndërtuar nga vetë ata në mënyrë të paligjshme. Mendoj se në cilësinë e kapaciteteve, burimeve njerëzore, kalimi në varësinë e Ministrisë së Brendshme e ka bërë më të unifikuar punën tonë në terren”.
A mendoni se e keni infrastrukturën dhe logjistikën e duhur për ta kryer punën tuaj?
“Që me marrjen e detyrës dhe nisjen e mandatit të qeverisë së re Rama, ne jemi përpjekur ta përmirësojnë infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për të kryer funksionet tona, por asnjëherë nuk mund të thuhet se nuk ka vend për t’u përmirësuar më tej. Gjetëm një situatë, ku Inspektoriati ishte thuajse jofunksional dhe shërbente vetëm për shpërblime partiake. Jam përpjekur që përveçse të veprojmë me vendosmëri dhe me forcën e ligjit në terren, edhe të përmirësojmë gradualisht infrastrukturën, por edhe kushtet e punës për punonjësit tanë”.
A po bën INUK prishje selektive siç akuzon PD-ja? A është një ngërç në prestigjin e punës tuaj ndërtimi i të afërmit të PS-së, Kokëdhima në Bregdet?
“INUK respekton ligjin dhe vetëm ligjin në çdo veprim që ndërmerr. Gjithçka është e dokumentuar. Ne funksionojmë me shkresa dhe me plane veprimi. Nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjëherë veprime selektike, sepse nëse do të vepronim kështu, sigurisht që do të na kthehej bumerang dhe qytetarët do të humbnin besimin, si tek Inspektorati si institucion, ashtu edhe te forca dhe respektimi i ligjit. Inspektoriati nuk bën asnjë diferencim dhe i trajton qytetarët të barabartë përpara ligjit”.
Që nga marrja e detyrës kush ka qenë për ju momenti më problematik gjatë prishjes së ndërtimeve pa leje?
“Nuk mbaj mend të kem patur ndonjë moment problematik që nga koha kur kam marrë drejtimin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar përsa kohë që veprimtaria e tij kryhet gjithnjë në respekt të ligjit dhe në funksion të qytetarëve”.
Deri në çfarë mase është abuzuar me hapësirat publike dhe sa do të zgjasë procesi i lirimit të tyre?
“Abuzimi është vërtet shumë i madh dhe pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme që në rradhë të parë qytetarët të sensibilizohen. Pasi nuk do të kishte realisht asnjë kuptim, nëse ne ndërhyjmë diku, ndërkohë që abuzohet diku tjetër. Për këtë nevojitet një bashkëpunim dhe një koordinim më i mirë edhe me strukturat e pushtetit vendor dhe mendoj se edhe ndarja e re territoriale do të sjellë një funksionim më të mirë të strukturave edhe në aspektin e kontrollit mbi territorin. Është e qartë se qeveria dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë ndërhyrë dhe do të ndërhyjnë për të vendosur ligjshmërinë, por duhen që të gjithë ta kuptojmë se gjithçka po bëhet për të mirën tonë të përbashkët, edhe pse fillimisht mund të ketë kosto. Ndërhyrjet do të zgjasin deri në vendosjen e ligjshmërisë dhe çlirimin e të gjitha hapësirave publike”.
Para se ti shkojë INUK-u tek dera, kush ka ndërtuar pa leje çfarë duhet të bëjë paraprakisht që të jetë në rregull edhe me veten edhe me shtetin?
“INUK nuk vepron asnjëherë i vetëm, por gjithnjë bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Të gjitha rastet do të trajtohen hap pas hapi dhe unë nuk mund të jap asnjë “formulë magjike”, pasi një rast ndryshon nga tjetri. Në mënyrë të përgjithshme mund të them se të gjitha ata që kanë shkelur ligjin apo kanë uzurpuar hapësira publike, duhen t’i çlirojnë, ose do të përballen me forcën e ligjit”.
Çfarë po ndodh me vijën bregdetare të vendit? Deri ku do të arrijë fadroma e INUK?
“Në vijën bregdetare të vendit nuk ka patur ndërhyrje përgjatë sezonit turistik për të mos krijuar probleme. Por në çdo pjesë të territorit do të ndërhyhet për të vendosur ligjshmërinë, por edhe në funksion të zbatimit të projektit ‘Rilindja e Qyteteve’. Çdo veprim i INUK do të kryhet gjithnjë në koordinim të plotë me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në funksion të zhvillimit urban të qyteteve”.
Ju keni deklaruar se janë prishur 1800 ndërtime në Tiranë dhe se janë duke u verifikuar edhe lejet apo legalizimet e objekteve që janë dhënë në kundërshtim me ligjin. A mendoni se ky aksion po përfshin edhe të “pafajshëm” që më parë u është thënë se janë konform ligjit ndërkohë që tani janë në kundërshtim me te?
“Ne do t’i shqyrtojmë rastet hap pas hapi dhe do të veprojmë gjithnjë në respekt të ligjit dhe me parimin e vetëm: kthimin e hapësirave të zëna te qytetarët”.
(marre nga revista Jawa). intervistoi: Ben Andoni