Zoti Basha ! Si do të mposhtësh “kartelin e drogës”?
Edhe më optimistët në Partinë Socialiste nuk e kishin parashikuar fitoren e kandidatit të majtë në Dibër me mbi 4 mijë vota diferencë me kandidatin e djathtë. Ishin shumë arësye që e detyronin PS-në të shpresonte për një fitore minimale ndaj Partisë Demokratike. Të tjerë në PS ishin përgatitur për humbjen. Dhe nuk kishte pak në selinë rozë të cilët thonin në zë se “ e kemi të humbur”. I vetmi që besonte në utopinë e fitores ishte Damian Gjiknuri.
Selia rozë hyri në fushatë pas një skandali seksual që tronditi administratën në krejt vendin. PS-ja bëri premtime për punësimin, por në mitingje nuk merrnin pjesë gra. Fliste për ndërtimin e “Rrugës së Arbërit”, njëlloj sikur në pushtet të ishte PD-ja dhe jo kryeministri Edi Rama prej tre vjetësh. Edi Rama e luajti mirë lojën e kësaj rruge. I preku në interesin dibran të rrugës. U tha se “ unë do t’jua shtroj rrugën dhe nuk iki nga kryeministër pa e mbaruar”. Dhe dibranët besuan se rruga do realisht edhe tre vite të mbaroj, pra që Rama do jetë prapë kryeministër edhe pas 2017-ës. Këtë djallëzi kryeministrore dibranët e përkthyen në votë lokale për Ramën e tyre në Peshkopi. Këtu PD nuk sqaroi me fakte dhe argumenta se kush e filloi rrugën dhe pse Rama nuk e mbaron dot, por opozita iu fut monopatëve të fshatrave duke shkuar fshat me fshat.
Ndryshe nga PS-ja, PD-ja ishte e bindur në një fitore të madhe. Zgjedhja e kandidatit, Sherefedin Shehu, një politikan profesionist i ekonomisë, ishte lëvizja më e zgjuar politike e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Historia e zgjedhjeve në këtë bashki i jepte avantazh të dukshëm Partisë Demokratike. Rikthimi i disa figurave të larguara në fushatë, si Besnik Mustafaj etj, krijuan bindjen se e djathta po riformatohej duke shtuar radhët. Mbi të gjitha, gabimet e PS-së në qeverisje dhe harresa që i ishte bërë Dibrës nga kabineti “Rama” ishin motivet e një fushate që dukej e fituar në tavolinë nga PD-ja.
E megjithatë, fitorja i buzëqeshi bindshëm kandidatit të majtë, Muharrem Rama. Arsyet e fitores janë të shumta. Dibra nuk bëri përjashtim nga parimi i zgjedhjeve në Shqipëri se pushteti vendor shkon pas atij qendror. Fituesi i zgjedhjeve parlamentare zakonisht konfirmohet edhe në zgjedhjet lokale. Por më së shumti, fitorja nuk lidhet me llogaritë politike në Tiranë, sesa me pragmatizmin e fushatave vendore dhe interesin direkt votuesve. Basha tha mbrëmë në një konferencë shtypi në ora 20.00 se “ne humbën para kartelit të drogës”. Por pyetje lind se si do t’ia dalësh përballë këtij “karteli droge” në krejt Shqipërinë vitin e ardhshëm kur nuk ia dole në një bashki?!
Por duke lënë llogaritë e vogla të Dibrës, zgjedhjet e 11 shtatorit kanë dhe një faturë kombëtare. Një faturë, koston e së cilës i pari që do e ndjejë është kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nga mënyra si u bë fushata, si u investuan dy kampet PS dhe PD, zgjedhjet në Dibër ishin basti i Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Humbja e Ramës, apo manipulimi i zgjedhjeve do të kishte pasoja direkte në qeverisje dhe në fushatën e ardhme parlamentare të PS-së. Fitorja me 4 mijë vota diferencë nuk lë vend për manipulime.
Debati tani nuk është më në Dibër, por në Tiranë. Zgjedhjet e Dibrës, për nga paratë që u hodhën, ministrat që morën pjesën në fushatë dhe investimin personal të Ramës, në rast humbje apo vjedhje të dhunshme do quheshin “Vaterlo”-ja e Ramës. Njëlloj si Napolon Bonaparti, Kryeministri Rama rrezikoi që në një betejë lokale të humbiste gjithçka. Të humbiste Dibrën, koalicionin, standardet e zgjedhjeve dhe qeverisjen e ardhshme. Por nga Vaterloja e Ramës, kjo betejë elektorale, u kthye në “Vaterlo” për Bashën. Të paktën për momentin, por nëse nuk merr masa si opozitë për të përballuar “kartelin e drogës” së Edi Ramës, siç tha mbrëmë Basha pas humbjes, atëhere “karteli” do bëhet qeveri afatgjatë.
Rama konfirmoi se megjithë akuzat e pafund për qeverisjen, skandalet korruptive dhe seksuale, hashashin që gjelbëronte dhe në Dibër, koalicionin që nuk dihet sesi do vijojë mëtej ai votohet nga shqiptarët. Edhe me vota të blera nga droga, siç akuzoi Basha. Pavarësisht retorikës politike, në fund votat kanë rëndësi. Fituesi, si rregull, nuk gjykohet.
Ndërsa për Bashën, kjo humbje është shkundje e fortë e politikës së butë europiane. Në partinë që ka ngritur këto tre vite ka politikë moderne, por mungon ajo që i duhet një subjekti elektoral; fitorja, pra përballja dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën me anë të popullit opozitar. Basha hodhi në fushatë gjithë grupin parlamentar të PD-së. Investoi gjithë arsenalin e opozitës. Personalisht u kujdes që kishte një fitore dërmuese ndaj Ramës. Në fund, humbja që mori më 11 shtator është e pajustifikueshme. Është koha që Basha dhe PD të mendojnë seriozisht për një model tjetër, nëse duan të fitojnë. Nuk mjafton vetëm të akuzosh mazhorancën, të denoncosh afera dhe të thuash Rama nuk di të qeverisë, se ”droga bleu votën”,etj .
Populli duhet të ndjejë e të shoh se ka një Lider që të udheheqë dhe përplaset me “kartelin e drogës” në rrugë, në parlament ( është Saliu), në sheshin para kryeministrisë. Një Lider që kalon me popullin e revoltuar edhe pragun e kryeministrisë tek Bulevardi. Edhe që bllokon Bulevardin me demokratë ditë-natë krejt Sheshin.
Aq me humor e merr Edi Rama , PD-në dhe demokratët, aqsa ka filluar të tallet nëpër koridoret e kryeministrisë kur thotë se “edhe gardhin e hekurave ia hoqa kryeministrisë, pasi Luli dhe demokratët e Saliut nuk ua mban të kalojnë barin përreth kryeministrisë!”.
Ndaj nëse “karteli i drogës” siç tha Lulzim Basha fitoi në Dibër duke blerë varfërinë dhe duke e konvertuar në votë të rregullt në kuti, atëhere pyetje publike mbetet: SI DO TA RRËZOSH KËTË “KARTEL DROGE”?
Spiten Prulli