Luftë bosëve të drogës apo të “fortëve” të lagjeve?

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një fushatë të ashpër kundër pasurive të grupeve kriminale. Në takimin me drejtuesit e institucioneve të sigurisë për luftën kundër kanabisit, Rama foli për sekuestrim të gjitha pasurive të pajustifikuara nga ana e personave të dyshuar për trafik droge. Me tone të ashpra, Kryeministri parashikoi ndalim dhe verifikim për çdo qytetar, që sipas të dhënave të policisë, rezulton se ka llogari bankare, biznese, shtëpi, makina dhe bën shpenzime të pajustifikuara.

“Makinat luksoze që sfidojnë ligjin, sfidojnë sigurinë publike, pasuritë e paluajtshme të këtyre shoferëve që zotërohen prej tyre, që janë të papunë luksi në këtë vend, llogari bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura me një historik rritjeje financiare, duhet t’i nënshtrohen një procesi kapilar dhe rigoroz verifikimi ligjor”,- tha ndër të tjera kryeministri.

Nisma edhe pse pozitive u lançua në formën e populizmit që karakterizon kryeministrin. Ai foli për dyshime dhe perceptime në opinionin publik dhe për “shfaqje të huaja” me makina luksoze të cilat policia duhet ti verifikojë. Parimisht ka të drejtë. Por aksione të tilla kanë nevojë për ligje strikte, prova dhe profesionalizëm nga ana e policisë, sepse mund të sjellin denoncime si në kohën e luftës së proletariatit, kur klasa punëtore demaskonte sjelljet borgjeze. Apo si këto denoncimet e komisariatit digjital, kur çdo person që ka inat komshiun përballë i bën foto, kur lëviz tendën apo dritaren, dhe ia nis policisë, e cila vjen me vrap për të marrë komshiun për në qeli! Ndërkohë që bandat kriminale bëjnë namin.

Gjithë shoqëria shqiptare e njeh fenomenin e të fortëve që jetojnë me trafiqe dhe me vrasje. Është një shfaqje që e shohin çdo ditë në rrugët e qyteteve dhe kudo. Në praktikën botërore goditja më e mirë që mund t’u bëhet trafiqeve është sekuestrimi parave dhe pasurive të tjera. Megjithatë, në qëndrimin e kryeministrit ka një pjesë që ngre shumë pikëpyetje. Ai akuzoi Policinë e Shtetit dhe strukturat e saj për neglizhencë të këtyre fenomeneve dhe mosndëshkimin e “të fortëve”. Gjithashtu deklaroi se këta që quhet “të fortë” e gjejnë forcën në komisariat. “Nuk e kanë forcën në një fuqi të papërballueshme që u buron nga ndonjë drejtim tjetër. Forca e tyre është brenda në komisariatin e policisë dhe aty do të fillojë lufta ndaj tyre”,- tha Rama.

Një deklaratë e tillë, tregon se ose Kryeministri nuk e njeh termin e krimit të organizuar, ose me fushatën që ka ndërmarrë ka parasysh vetëm të “fortët e lagjeve” dhe jo njerëzit që realisht janë në krye të krimit të trafiqeve. Nëse flasim për struktura kriminale që operojnë për 27 vitesh në Shqipëri, këto organizata e kanë burimin e “forcës” jo nga komisariatet, por direkt nga politika. Nuk janë oficerët e policisë dhe as shefat e komisariateve apo dhe drejtorët e rajoneve që tolerojnë krimin e organizuar. Mbështetja e bosëve të krimit vjen nga qendrat e pushtetit në Tiranë dhe nga përkrahja që politika u jep njerëzve të krimit. Ata janë edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Sepse është e pabesueshme që gjithë hashashi, që u mboll vitet e fundit në Shqipëri, u krye vetëm me dëshirën e shefave të komisariateve. Këta të fundit rezultojnë se kanë bërë denoncimet përkatëse tek shefat e tyre dhe tek kancelaritë e huaja, por ka qenë mbyllja e syve në qendrën e pushtetit ajo që solli gjelbërimin e Shqipërisë. Mbjellja e hashashit u frenua kur politika në Tiranë dha mesazhet e duhura dhe kur komisariatet e policisë u urdhëruan të veprojnë. Pra është e kotë të thuhet se droga u mboll nga që disa policë ishin pjesë me bandat. Çështja është shumë më e thellë se kaq. Është lart, në Tiranë, në politikë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI dje pas deklaratave të kryeministrit për këtë problem shkroi se është pikërisht Edi Rama kryemafiozi i bandave që kultivuan kanabisin. Kjo është akuzë shumë e rëndë, por faktet se si kanabisi lulëzoi vitin e kaluar kur ministër ishte Saimir Tahiri, miku më i ngushtë i kryeministrit, të krijon se akuza ka bazë.

Nëse duhet luftuar krimi, lufta nis nga bosët kryesorë që kanë mbështetje politike dhe ekonomike. Të tjerët janë ushtarët e pa rëndësishëm që vlejnë për të bërë show dhe për të pasuruar statistikat e qeverisë, por nuk e eliminojnë trafikun e drogës nga Shqipëria. Ka jo pak raste kur flitet për grupe shqiptare që bashkëpunojnë me mafien italiane dhe janë pjesë e trafikut të drogës nga Kolumbia. Në shumë pak raste hetimet kanë nxjerrë se kush janë bosët e vërtetë të këtyre trafiqeve.

Të gjitha qeveritë i kanë quajtur suksese kundër krimit kapjen e disa peshqve të vegjël, por asnjë herë nuk kanë guxuar të shkojnë tek kupola dhe aty ku lidhen fijet e krimit shqiptar me krimin ndërkombëtar.

Kapot janë në Tiranë dhe mu në mes të ish-bllokut, sapo dalin nga ministritë dhe Parlamenti!

A mund ti arrestoni këta zoti kryeministër?!

 Q.XH.

SHKARKO APP