Zyrtarisht, me firmë e vulë, Shqipëria është narko-shtet

Projekti i Edi Ramës për legalizimin e hashashit mjekësor nuk është në fazën e diskutimit, por është gati për tu miratuar. Në një video konferencë, kryeministri deklaroi sot se drafti konkret do të miratohet gjatë këtij sesioni parlamentar. Gjë që do të thotë se, maksimumi në fund të muajit qershor, Shqipëria do të lejojë me ligj mbjelljen e bimëve narkotike. Në këtë mënyrë debatet pro dhe kundër, mendimi i ekspertëve, kundërshtitë e opozitës dhe madje dhe refuzimi i ndërkombëtarëve për qeverinë nuk kanë asnjë vlerë. Në çdo vend të botë që ka ligj të tillë, opinionit publik i është lënë kohë të diskutojë, të debatojë dhe të analizojë se çfarë fitohet dhe çfarë humb një shoqëri nga një nismë e tillë. Edi Rama i ka rënë shkurt dhe pa asnjë lloj diskutimi publik dhe pa pyetur askënd ka vendosur të miratojë projektin më të diskutueshëm për shoqërinë shqiptare. Edhe pa u hedhur në diskutim një ligj i tillë, Shqipëria ka në Europë namin e vendit kryesor të prodhimit të kanabisit që u shtua gjatë rilindjes. Me miratimin e këtij ligji, falë Edi Ramës, tashmë mund të quhemi zyrtarisht narko shtet.
Lehtësia me të cilën Edi Rama e prezanton në publik një ide të tillë dhe kur thotë se do e miratoj për punë javësh është e frikshme dhe alarmante për degradimin e shtetit. Ky projekt shkatërron fillimisht besimin të drejtësia dhe parimin se në burg përfundojnë ata që bëjnë krime. Sipas Kodit Penal mbjellja e hashashit përbën krim. Shqipëria ka një ushtri të burgosurish për kanabisin. Nuk janë në burg ata që bënë trafikun e madh me tonelata, por burra dhe gra u arrestuan se mbollën disa rrënjë. Ka me qindra të rinj që po kalojnë vitet e tyre më të mira në burg, sepse për çështje statistikash i kanë kapur me disa gram hashash, ndërkohë që kanë lënë të kalojnë në dogana dhe porte maune me drogë, nën mbikqyrjen e shtetit. Sot kryeministri u tha se ata që janë kapur si përdorues apo kanë mbjellë për të shpëtuar nga varfëria e kanë hall burgun, ndërsa bosët që mbollën parcela dhe trafikuan tonelata, me ligjin e ri do të quhen investitorë seriozë!
Projekti i Edi Ramës nuk është vetëm një përmbysje e vlerave morale të shoqërisë, por dhe një lëvizje diabolike. Me zgjedhjet e reja që po afrojnë kryeministri u jep lejen fermerëve dhe biznesmenëve të lëndës narkotike që të mos humbin kohë dhe të nisin investimin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që brenda dy javësh Edi Rama ka gati edhe ligjin, edhe gjithë infrastrukturën për të hyrë në tregun gjigand të narkotikëve për arsye mjekësore.
Por më shumë se kaq, legalizimi i kanabisit duhet parë dhe si një amnisti për kanabizimin e vendit gjatë viteve 2013-2017. Mijëra hektarë drogë gjatë mandatit të parë të Rilindjes kishin pronarë biznesmenë, politikanë dhe njerëz shumë afër qeverisë. Një ish-ministër është nën hetim pikërisht për ndihmën që ka dhënë në trafikun masiv të drogës. Pas ligjit të kanabisit, a do të ketë gjyqtarë që do të hetojë qeverinë e Edi Ramës për lidhjet e saj me trafikun e kanabisit? Me logjikën e re të qeverisë për drogën, çfarë vlerë ka të hetosh një trafik që tashmë do të quhet i ligjshëm. Ndaj legalizimi Edi Ramës nuk i sjellë vetëm vota dhe para më shumë, por i mbyll dhe shumë dosje të qeverisë, hetime, përgjime dhe akuza që flasin pikërisht për hashashin.
Droga tashmë është shfaqur në mënyrën flagrante si një projekt qeveritar. Historiku i Rilindjes me hashashin dhe tezat që kanë ardhur nga PS-ja për këtë projekt një ditë do t’a sillnin debatin në këtë pikë. Për rilindjen dhe Edi Ramën nuk ka më asnjë tabu dhe droga tashmë do jetë sheshit. Çështja është kur do të reagojë shoqëria shqiptare? Legalizimi i hashashit nuk është zhvillim ekonomik, por projekt për narko shtet. Në diskutim nuk janë më parimet, por rreziku i shkatërrimit të të ardhmes dhe të rinisë shqiptare.
Që tani në shumë zona fshatare kanë filluar të prishin ullishtat dhe bahçet me pemë se kanë dëgjuar se do të fillojë zyrtarisht lejet për kanabis. Pra e shkatërron bujqësinë dhe gjithçka ky projekt i qeverisë, duke e përqëndruar në pak duar kultivimin e ku do mbushen Shqipëria me drogë dhe Europa e pushtuar nga bandat shqiptare të kokainës.

SHKARKO APP