Zyrtarisht pa opozitë
Disa muaj më parë do ishte e pabesueshme, ndërsa sot është fakt i konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe gjithë partitë e opozitës nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. KQZ miratoi fletën e votimit, ku në lisë janë vetëm 15 parti. Që nga vendosja e pluralizmit politik në vend, kjo është hera e parë që Partia Demokratike dhe partitë e opozitës nuk janë si subjekt politik në zgjedhje.
Dita e djeshme ishte vendosur nga kryeministri Edi Rama afati i fundit për të zhvilluar negociata me Partinë Demokratike. Veç qëndrimit të Edi Ramës tashmë KQZ nuk ka më as kohë fizike për të rikthyer procedurat dhe të lejojë futjen në garë të Partisë Demokratike dhe opozitës. Në funksion të negociatave u bë dhe anulimi i zgjedhjeve ditën e dielë në Kavajë, por sërish palët nuk ndryshuan asgjë në qëndrimet e tyre për krizën politike. Në të vertetë anulimi në Kavajë u bë nga frika e kthimit të protestës në dhunë dhe shkatërrim të kutive të votimit.
Mungesa e PD-së në zgjedhje i ka dhënë që tani efektet në procesin zgjedhor. Anëtarët e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pranojnë se këto do të jenë zgjedhjet më problematike të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. Në momentin që opozita mungon, praktikisht bie gjysma e funksionimit të komisioneve zgjedhore. Praktikisht kanë rënë zgjedhjet, gjithnjë nëse PD-ja do ti lejojë të zhvillohen, sepse ka paralajmëruar se nuk do lejohen nga militantët e opozitës. Siç ndodhi në Kavajë, edhe me 18 qershor do shkohet drejt anullimit, sidomos pas demonstratës së ditës së shtunë datë 13 maj.
Mos futja e PD-së në zgjedhje automatikisht lë jashtë votimit me shumë se 1/3 e popullsisë. Edhe sikur të mos ketë provokime, një proces i tillë paralajmëron përplasje dhe kaos. Në bastionet e PD-së do të jetë e pamundur që socialistët të zhvillojnë një proces normal edhe sikur vetë PD-ja zyrtare të kërkojë të mos bëhet protestë, ndonëse zyrtarisht Lulzim Bash aka deklaruar se nuk lejojnë votime të tilla. Sikur të vijnë një dyzinë me monitorues të huaj, sado masa për ruajtjen e rendit të marrë Ministria e Brendshme 18 qershori, pa PD sot duket si dita e kaosit dhe jo si dita kur duhet të votojnë qytetarët. Por çështja e administrimit të procesit tashmë kalon në plan të dytë. Kjo pasi mungesa e opozitës vë pikëpyetje vetë zgjedhjet. Me 15 parti të mazhorancës qeverisëse dhe vetëm disa forca politike me profil opozitar si LIBRA, etj, 18 qershori do të jetë një ditë votimesh, por jo zgjedhje në kuptimin normal të këtij procesi. Në gjithë këtë situatë të paqartë dhe në prag shpërthimi, në vend të normalitetit dhe uljes së toneve, drejtuesit e partive kryesore i kanë hedhur dhe më shumë benzinë zjarrit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha më shumë se te dialogu e ka mendjen të protesta e së shtunës në Tiranë. Një tubim që PD thotë se do të jetë më i madhi dhe ku vetë demokratët i druhen daljes së situatës nga kontrolli. Dhe seriozisht rrezikon të dalë jashtë kontrollit.
Ndërsa Edi Rama nga qyteti i Beratit, në një takim me të rinjtë, tha se ka prerë çdo shans për negociata të mëtejshme me PD-në. Kryeministri e ka bërë fakt të kryer futjen në zgjedhje pa PD-në. Ai ka shtuar se “nuk bëhet nami” nëse opozita nuk hyn në zgjedhje.
E shtuna mbetet përballja reale e opozitës me Edi Ramën. Nëse arrin të fitojë të shtunën opozita me skenarët e saj, atëhere mbetet që të shtyhet edhe 18 qershori siç u shty Kavaja. Por nëse nuk ka shumë njërëz si dhe nuk ka rezistencë për të arritur qëllimin, atëhere Edi Rama marshon përpara, natyrisht drejt një gremine politike, ku do të bien brenda edhe PD, edhe PS.
Q.Xh.