A është ekonomia në këmbë? Shteti mban rritjen, prodhimi dobësohet

Teksa viti 2025 po mbyllet, ekonomia shqiptare duket se ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm rritjeje, me një shifër rreth 3.5%, që në pamje të parë sugjeron stabilitet dhe rezistencë ndaj tronditjeve të jashtme. Megjithatë, një analizë më e detajuar tregon se kjo rritje mbështetet kryesisht në veprimtarinë e shtetit dhe jo në forcën reale të sektorëve prodhues.

Treguesit e fundit të Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë se administrata publike dhe të ardhurat fiskale kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike, ndërsa sektorë kyç si bujqësia, industria përpunuese dhe ajo nxjerrëse vazhdojnë të japin kontribute negative për të tretin vit radhazi. Kjo situatë reflekton probleme strukturore, investime të pamjaftueshme, kosto të larta prodhimi dhe mungesë të fuqisë punëtore.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, shprehet se: “Nëse nga rritja totale e vitit 2024 përjashtohet kontributi i shtetit, rritja reale bie në rreth 2%, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë. Kjo tregon qartë se ekonomi nuk po ngrihet mbi sektorët e vetprodhuar, por mbi shpenzimet publike dhe taksat neto.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas ekspertit tjetër, Klodian Muço, institucionet ndërkombëtare parashikojnë një rritje të ngjashme për vitin 2026, rreth 3.5%-3.7%, por nënvizojnë nevojën e reformave strukturore. “Fokus i veçantë duhet të vendoset tek sektorët prodhues, për të luftuar papunësinë dhe për të rritur ofertën e fuqisë punëtore, që janë elementë kyç për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë,” shprehet Muço.

Swiss Digital Mobile Reklama

Analiza sugjeron se pa investime strategjike dhe politika stimulimi për industrinë, bujqësinë dhe sektorin nxjerrës, rritja ekonomike e Shqipërisë mbetet e varur nga veprimtaritë e shtetit dhe nuk pasqyron fuqinë reale të ekonomisë private. Kjo situatë nënvizon nevojën urgjente për politika që të forcojnë bazën prodhuese të vendit dhe të rrisin qëndrueshmërinë ekonomike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?