Arsyet pse bizneset po fitojnë shumë apo pak
Fitimi është arsyeja apo qëllimi pse një ndërmarrje ekonomike ekziston. Për bizneset shqiptare viti 2018 nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket fitimeve. Për një pjesë të tyre, ato u bënë më të mundimshme për tu realizuar. Ndër arsyet kryesore “të mundit” për të realizuar fitime, aktorët e tregut listojnë: rritjen e konkurrencës, zhvlerësimin e euros për eksportuesit, informalitetin dhe konkurrencën e pandershme, rritjen e taksave apo edhe ndryshimin në strukturimin e ekonomisë. Aty ku leku “fitohet” më lehtë, aktorët nuk përjashtojnë as mundësinë e pastrimit të parave.
Për të gjithë prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve në Shqipëri, norma e fitimit ishte 8% në 2018-n, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm. Një ndërmarrje për çdo 100 lekë shitje, realizon një fitim prej 8 lekësh. Megjithatë prej vitit 2013, normat më të larta të fitimit janë realizuar gjatë 2015-s dhe 2016-s, me një pikë përqindje më të lartë, ndërsa më të ulët gjatë periudhës 2013-2014.Norma e fitimit për prodhuesit e të mirave në vitin 2018 arriti në 11%, rreth 3 pikë përqindje më shumë krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, prodhuesit e shërbimeve ulën normën e fitimit për të dytin vit radhazi, në 7%.
Ndarë sipas sektorëve ekonomike, ku INSTAT i grupon në 10 grupe të mëdha, për vitin 2018, normat më të larta i kishte industria nxjerrëse dhe energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve me përkatësisht 14 dhe 13%. Gjithashtu të dy këto sektorë reflektuan rritjen më të lartë në krahasim me një vit më parë. Për sektorin e energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, normat më të larta u nxiten prej energjisë dhe gazit, me një nivel prej 15% në 2018-n. Ky vit ishte i mbarë për prodhuesit e energjisë për shkak të motit të mbarë me reshje.
Nga ana tjetër, normat e fitimit për shërbimet, të cilët renditet sektori i tretë për nga madhësia, shënuan ulje me 2 pikë përqindje në raport me një vit më parë, nga 14% në 12%. Normat e fitimit për industrinë përpunuese as vitin 2018 nuk arritën që të kapin një shifër dyshifrore, duke mbetur në nivelin e 9%, rreth 1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Fitimet më të mundimshme mbetën për sektorët e akomodimit dhe shërbimit ushqimore dhe tregtisë.
Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimore, uli normën e fitimit nga 17% në 2013-n në 7% në vitin 2018.
Kurse tregtia, ku përfshihen aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, realizoi një normë fitimi prej vetëm 6%, më i ulëti sipas sektorëve për 2018-n.
INSTAT bën ndarjen e ndërmarrjeve edhe sipas aktivitet, ku bizneset grupohen gjithsej në 31 aktivitete kryesore.
Në 2018-n bizneset me normën më të lartë të fitimit ishin ato të aktivitetit të postës dhe magazinimit me një normë fitimi prej 21%, ndjekur nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme me një normë prej 18%.
Të tjera aktivitete me një normë fitimi dyshifror janë: Arsimi me 11%, tregtia dhe riparimi i automjeteve me 11%, tekstilet dhe veshjet me një normë prej 10%, aktivitetet në sektorin e transportit me 10%.
Sektori i shërbimeve realizoi një normë fitimi prej 12%, por aktivitetet me normën më të lartë ishin shërbimet e informacionit dhe shërbimet profesionale me një normë prej përkatësisht 17 dhe 16%.
Patundshmëria, ku “fitohet” paraja më lehtë
Bizneset me aktivitet në fushën e pasurive të paluajtshme, bazuar në të dhënat e INSTAT mbi të ardhurat nga shitjet dhe fitimi, raportuan një normë fitimi prej 19%. Thuajse një e pesta e të ardhurave që ato kanë realizuar nga aktiviteti ka përbërë fitimin e tyre.
Vitet e fundit numri i bizneseve që operojnë në këtë fushë ka pësuar rritje të ndjeshme dhe sipas operatorëve më të mëdhenj në vend kjo ka ndodhur për shkak të barrierave të ulëta për hyrësit e rinj. Po ashtu edhe barrierat ligjore, pasi për të hapur një agjenci nuk kërkohet licencë.
Në vitin 2018 numri i ndërmarrjeve aktive që merren me aktivitete të pasurive të paluajtshme ishte 588, duke shënuar një rënie të lehtë prej 4% në raport me një vit më parë. Prej 2013-s, rekordi i bizneseve që operonin në këtë sektor u arrit në vitin 2017, vit i cili përkon edhe me lulëzimin e ndërtimit në Tiranë. Ndërsa në 2013 numri i bizneseve që operonin në këtë aktivitet ishte 325 dhe në total ishin të punësuar 1316 individë, sipas të dhënave të INSTAT.
Në 2017-n operonin në këtë sektor 614 biznese ku ishin të punësuar 1890 agjentë. Juliana Nela, broker në agjencinë Remax, thotë se norma e fitimit të larta janë për zyrat e vogla dhe nuk përjashton as faktin që pas tyre mund të shërbejnë edhe për pastrimin e parave. Sipas saj kompanitë franchisë, të cilat janë nën emrin e kompanive ndërkombëtare, kanë marzhe të ulëta fitimi, për shkak të pagesave të larta që kryejnë për kompaninë mëmë.
Ndërkohë që një pjesë të mirë të të ardhurave të realizuara nga aktiviteti (rreth 40-50%) shkojnë si pagesa për agjentët. Në të njëjtën kohë thonë që kanë kosto të larta administrative, ku ndër më kryesoret është qiraja, veçanërisht për agjencitë imobiliare që janë buzë rrugëve. Po ashtu edhe një qarkullim të lartë të agjentëve.
Edhe Jonian Antoni, drejtues i Century 21, shpjegon se nëse flasim për normë ngarkese mbi koston, agjencitë e pasurive të paluajtshme nuk kanë kosto blerje, prandaj norma e ngarkesës është 100%, por nëse flasim për normë absolute, agjencitë kanë kosto të shumta, sidomos ato që janë marka globale dhe të strukturuara profesionalisht: Më poshtë ai liston disa prej tyre:
– 40% deri 50% agjenti bashkëpunues
– 20% TVSH
– 3% deri 5% kosto marketingu
– 10-15% kosto qira & taksa ambienti
– 2% kosto te pa parashikuara
Sipas përllogaritjeve të tij në total për agjencitë e pasurive të paluajtshme norma absolute në mesatare do të varionte nga 10% deri në 15% të xhiros vjetore.
Fitime të qëndrueshme për ndërtimin
Sektori i ndërtimeve prej vitesh ruan një normë fitimi që luhatet nga 10-12%, të paktën që prej viti 2013 nuk ka pasur ndryshime të mëdha për kompanitë, që operojnë në këtë sektor. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018 norma e fitimit për bizneset me aktivitet në fushën e ndërtimit ishte 11%, me një rritje prej 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë.
Ndërtimi është një tjetër sektor me peshë në ekonominë shqiptare, ku vetëm në 2018-n përgjigjej për mbi 45 mijë të punësuar dhe rreth 3,600 ndërmarrje aktive në vend. Prej 2013-s, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e ndërtimit ishte më i lartë në 2015-n me 3,827 subjekte. Ndryshe ka ndodhur me numrin e të punësuarve, i cili prej 2013-s është rritur me 34%, duke reflektuar njëkohësisht formalizmin me deklarimin e të punësuarve, por edhe zgjerimin e kompanive. Në 2018-n numri i ndërmarrjeve u rrit, pas dy vitesh që pësonte rënie.
Vitet e fundit, sektori i ndërtimit, veçanërisht i segmentit të ndërtimit të objekteve rezidenciale, ka qenë në lulëzim. Me rikthimin e lejeve të ndërtimit pas vitit 2015-s, sektori rriti aktivitetin, veçanërisht në Tiranë. Megjithatë ndërtuesit shprehen se operojnë me taksa të larta, të cilat janë reflektuar në çmimet e apartamenteve në Tiranë. Fillimisht ishte taksa e infrastrukturës, e cila nga 4% e kostove të ndërtimit u bë 8% e çmimit të shitjes, për më tepër duhen paguar në fillim të nisjes së projektit.
Së fundmi ndërtuesve iu është shtuar edhe një taksë e re, e strehimit social, e barabartë me 3% të sipërfaqes së objektit që ndërtojnë. Në vitin 2020, taksa 3% e strehimit social, si dhe sigurimi i detyrueshëm i pallateve deri në 10 vjet nga ana e ndërtuesve, pritet që të ndikojë drejtpërdrejtë në çmimet e apartamenteve. Për më tepër, nisur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili la të pastrehë me mijëra qytetarë, qeveria do të kërkojë vjeljen e taksës së strehimit social që në nisje të ndërtimit, çka pritet që të sjellë vështirësi edhe me likuiditetet e firmave të ndërtimit, të cilat do t’ju duhet të paguajnë paradhënie 3% të sipërfaqes së godinës me çmim tregu. Për aktorët kryesorë të sektorin të ndërtimit në vend 2020 pritet që të jetë një vit sfidues.
Një tjetër barrë i është shtuar ndërtuesve, sikurse është sigurimi për 10 vjet i sigurimit të detyrueshëm të pronës. Ky sigurim i detyrueshëm bën fjalë për 1% të çmimit të tregut të banesës, e cila e paguar për 10 vjet, do të thotë që ndërtuesi duhet të paguajë 10% të çmimit të referencës. Sokol Kika thotë se kjo është një barrë që në momentin e parë po rëndon te ndërtuesit, pasi ata nuk mund të reflektojnë te kontrata që janë lidhur tashmë me blerësin, por padyshim që për apartamentet që do të shiten në të ardhmen kjo do të thotë rritje e çmimit.
Më e vështirë të fitosh për fasonët
Në krahasim me vitin 2013 realizimi i fitimeve u bë më i vështirë në disa sektorë dhe aktivitete të ekonomisë. Një prej tyre ishte edhe sektori i tekstileve dhe veshjeve. Bizneset qe operojnë në këtë sektor panë një rënie të normave të fitimit me 5 pikë përqindje. Në 2013 një kompani me ketë fushë aktivitet priste që për çdo 100 lekë të ardhura, të merrte 15 lekë, sot merr 10. Edhe bizneset që operojnë në sektorin e lëkurës dhe këpucëve kanë pakësuar normat e tyre të fitimit. Në 2018 ata realizuan një normë fitimi prej 7%.
Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë, thotë se arsyeja kryesore e rënies së normave të fitimit lidhet me rënien e vazhdueshme të euros përkundrejt lekut, një zhvlerësim me të paktën 13% në dy vitet e fundit, e cila nuk ka arritur të transferohet në çmimet e kontratave me porositësit e huaj. Në të njëjtën kohë ka ndodhur edhe rritja e pagave, ku ai përllogarit një pagë mesatare neto prej 32 mijë lekësh. Megjithatë ai nuk lë pa përmendur edhe prezencën shumë të lartë të informalitetit, ku shumë ndërmarrje punojnë totalisht ose pjesërisht në informalitet dhe po shkatërrojnë tregun me çmimet për minutë të punës.
Sektori fason ka një kontribut të madh në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT vetëm sektori i tekstileve dhe veshjeve kishte mesatarisht gjatë vitit 29,789 të punësuar, apo rreth 5% më shumë se një vit më parë. Që prej 2013-s, numri i të punësuarve është rritur me gati 80%, ndërsa norma e rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive ka qenë vetëm 20%, çka do të thotë se ka pasur një zgjerim dhe formalizim të sektorit në këtë periudhë. Megjithatë ky zgjerim, edhe për arsyet e sipërpërmendura, nuk është reflektuar njësoj tek normat e fitimit të kompanive tekstile.
Po ashtu edhe në sektorin e lëkurës dhe këpucëve vitet e fundit ka pasur rritje të të punësuarve dhe kompanive aktive. Sipas të dhënave të INSTAT në 2018-n ishin 25,656 të punësuar dhe 240 ndërmarrje aktive. Numri i ndërmarrjeve që operonin u rrit me 44%, ndërsa i të punësuarve me 83% në krahasim me vitin 2013.
Rritja e konkurrencës në sektor gjithashtu ka qenë një faktor që ka ushtruar presion në uljen e çmimit për orë minutë të punës, e cila ka ndikuar në uljen e normës të fitimit në sektor. Shtuar kësaj, operatorët e mëdhenj thonë se edhe presioni nga konkurrenca është shtuar ndjeshëm, pasi me rritjen e pagave, Shqipëria humbet avantazhin konkurrues të kostove të ulëta.
Ulen fitimet për restorante
Restoranteve duket se nuk iu ka ecur edhe aq mirë së fundmi. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se bizneset e shërbimit ushqimor kanë njohur rënie të normës së fitimit me 11 pikë përqindje. Duke analizuar të dhënat në vite, në vitin 2013 një biznes i shërbimit ushqimore kishte një normë fitimi prej 19%, pra rreth 1 e pesta e të ardhurave ishte fitim për biznesin.
Duket se konkurrenca e lartë në këtë sektor, me rritjen e numrit të restoranteve, ka ulur normat e fitimit në 8%. Në total në Shqipëri operojnë mbi 17,500 biznese që ofrojnë shërbime ushqimore. Numri i tyre ka shënuar rënie në raport me një vit më parë me 4%.
Megjithatë duhet thënë se numri tyre ka shënuar rritje prej 34% nga 2013-a, e cila reflekton një ashpërsim të konkurrencës çka ka sjellë edhe ulje të normat për bizneset që operojnë në sektor. Edhe sektori i shërbimit ushqimor është një prej kontribuuesve të mëdhenj në punësimin në vend. Vetëm për 2018-n numri i të punësuarve ishte mbi 47 mijë, me një rritje prej gati 60% në krahasim me një vit më parë.
Sa pak fitojnë hotelet
Bizneset me aktivitet akomodimin, ku përfshihen hotelet, bujtinat, etj, kishin një normë fitimi prej vetëm 2% në vitin 2018. Të dhënat historike nga INSTAT tregojnë se normat e fitimit kanë rënë edhe për njësitë akomoduese, ku krahasuar me vitin 2013 janë rreth 6 pikë përqindje më pak.
Në vitin 2018, ndërmarrjet që operonin me aktivitet në fushën e akomodimit patën një rritje dyshifrore prej 13.4%, duke arritur në një numër total prej 1459 strukturash. Krahasuar me vitin 2013 numri i tyre është dyfishuar.
Arsyet kryesore lidhen me rritjen e industrisë së turizmit, ushqyer edhe nga kërkesa e të huajve, por edhe nga formalizimi i sektorit nëpërmjet lehtësirave fiskale.
Të dhënat reflektojnë edhe rritje të numrit të të punësuarve në sektorin e akomodimit, ku vetëm për 2019-n ishin të punësuar mbi 9000 vetë, apo rreth 15% më shumë se një vit më parë. Megjithatë duket se bizneset që merren me akomodimin, pavarësisht lehtësirave fiskale, kanë norma të ulëta fitimi.
Fatos Çerenishta, administrator i Fafa Group, ndër më të mëdhenjve në vend për strukturat hoteliere, tha për Monitor se normat e ulëta të fitimit, të paktën për segmentin ku ai operon, lidhen me çmimet e ulëta që ata aplikojnë për të tërhequr turistët e huaj. Sipas tij ata janë të detyruar të mbajnë çmime të ulëta për të qenë konkurrues me rajonin. Deri më tani çmimet e ulëta kanë qenë arsyeja kryesore pse janë tërhequr turistët e huaj në Shqipëri. Në të njëjtën kohë kostot operative mbeten të larta.
Edhe pse normat e kthimit për bizneset në sektorin e akomodimit janë të ulëta, vetëm 2%, Çerenishta thotë se sektori është potencial dhe paraqet një mundësi të mirë për investitorët.
Interesi për të investuar në hotele është vënë re edhe në lejet e ndërtimit të dhënë për ndërtimin e hoteleve. Numri i lejeve të ndërtimit ne hoteleri ka nisur të rritet me shpejtësi në dy- tre viteve të fundit. Në vitin 2017 lejet u dhanë 53 leje për hotele, nga 11 leje që ishin dhënë në vitin 2011.
Me të njëjtat ritme është rritur edhe sipërfaqja e re që do të ndërtohet. Në vitin 2018 kanë marrë lejen për të ndërtuar 122 mijë metër katror sipërfaqe hotelerie me një rritje 37 për qind në raport me vitin 2017.
Hovi i madh për ndërtimin e hoteleve nisi qysh në vitin 2017 dhe më pas vijoi edhe më 2018 si pasojë e lehtësimit të investimeve në hoteleri.
Menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbi kapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit tha në një intervistë të mëparshme për Monitor se në Tiranë ka një treg të mbingopur për shërbimet e hoteleve të mëdha me 4-5 yje.
Agjencitë e udhëtimit
Fitimet nuk kanë qenë aspak të lehta as për agjencitë e udhëtimeve, duke u rreshtuar ndër bizneset me normat më të ulëta të fitimit. Sipas përllogaritjeve të Monitor, për çdo 100 lekë shitje ato fitonin vetëm 4 lekë gjatë 2018-s.
Fitimet janë bërë të vështira për kompanitë edhe pse shqiptarët po udhëtojnë më shumë.
Sipas Marjen Ramës, përfaqësues i agjencisë Explorer Travel and Tours, agjencitë e udhëtimit kanë normat më të ulëta, pasi agjencia aplikon një tarifë shërbimi shumë modeste në krahasim me vlerën e biletës apo paketës së udhëtimit. Sipas tij, tarifa është fikse pavarësisht vlerës, e cila varion nga 3 euro për transaksionet b2b deri në 25-30 euro për transaksionet b2c.
Viti 2018 duket se nuk ka qenë aspak i mbarë për agjencitë e udhëtimit, numri i të cilave ra me rreth 10% në krahasim me një vit më parë. sipas të dhënave të INSTAT, në 2018-n numëroheshin 923 biznese aktive nga mbi 1000 që ishin një vit më parë. Megjithatë në 2013-n numri i tyre ishte vetëm 682 agjenci. Nga ana tjetër numri i të punësuarve ka shënuar vetëm rritje, madje edhe gjatë vitit 2018, i cili regjistroi pakësim të bizneseve me këtë fushë aktiviteti. Ky fakt reflekton se disa prej agjencive kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, ndërsa kanë dalë nga tregu ato më të voglat.
Gjatë 2018-s ishin të punësuar 2811 individë, apo rreth 4% më shumë se një vit më parë. Një tjetër arsye për normat e ulëta të fitimit sigurisht është edhe rritja e konkurrencës, jo vetëm nga agjencitë, por edhe nga metodat alternative. Tashmë me rritjen e aksesit në internet banking dhe më rritjen e numrit të posedimit të kartave të kreditit, shumë individë zgjedhin që biletat dhe pushimet t’i rezervojnë vetë online.