Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e vëmendshme ndaj çdo rreziku potencial mbi stabilitetin financiar
Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, politika monetare duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit në afatin e gjatë.
Ndërsa garantoi angazhimin e BSH-së për të qenë të vëmendshëm ndaj çdo rreziku potencial, me qëllim marrjen në kohë të masave të nevojshme, Sejko tha se përgjatë kësaj periudhe është ndërmarrë një proces gradual normalizimi i politikës monetare, duke treguar kujdes që shpejtësia e këtij normalizimi të sigurojë kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë të arsyeshme kohore dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik.
I pranishëm në konferencën për integrimin ekonomik evropian 2022, me temë “Politika ekonomike dhe monetare në kushtet e luftës, implikimet për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, të mbajtur në Vjenë, Guvernatori vuri në dukje faktin se projeksionet e skenarit tonë bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se stabiliteti financiar i vendit do të mbetet i pacenuar, edhe në prani të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.
“Nga analizat, sektori bankar shfaqet likuid, i mirëkapitalizuar dhe rezistent ndaj goditjeve, si në skenarin bazë ashtu edhe në skenarët teorikë më ekstremë. Kjo rezistencë pasqyron, ndër të tjera, efektet pozitive të reformave strukturore të ndërmarra në drejtim të përmirësimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, të konsolidimit të sektorit bankar, të fuqizimit të rrjeteve të sigurisë, si dhe të përmirësimit të sistemeve të brendshme të kontrollit të vetë bankave. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e vëmendshme ndaj çdo rreziku potencial mbi stabilitetin financiar, duke synuar marrjen në kohë të masave të nevojshme për garantimin e tij. Eksperienca e gjerë që Banka e Shqipërisë ka krijuar në administrimin e goditjeve në të shkuarën ofron një siguri më shumë për sektorin bankar dhe për vetë ekonominë shqiptare”, shtoi ai.
Për shkak të luftës në Ukrainë, prej muajsh çmimet kanë njohur rritje. Kjo ka sjellë edhe rritje të normës së inflacionit i cili në muajin tetor ka kulmuar në 8.3 për qind. Guvernatori Sejko vuri në dukje se ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria po ndikohet nga inflacioni i lartë, megjithatë ky nivel është një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon, ndërkohë që pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka një normë mesatare inflacioni prej gati 16%. “Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera në rajon, kursi nominal i këmbimit në Shqipëri ka vazhduar të mbiçmohet, duke zbutur transmetimin e goditjeve të çmimeve të jashtme në ekonominë e vendit. Monedha jonë, leku, është mbiçmuar mesatarisht me 2.5% kundrejt euros gjatë vitit 2022, për shkak të të ardhurave të forta nga turizmi, IHD-ve të larta dhe primeve të qëndrueshme të rrezikut në tregjet tona financiare vendase. Kjo sjellje është përforcuar më tej nga një konvergjencë e ciklit të politikës sonë monetare me atë të Eurozonës. Paralelisht me të, çmimi i rregulluar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri ka ndihmuar në absorbimin e presioneve të huaja”, shtoi më tej Sejko.