Energjia e rinovueshme, si renditet Shqipëria? EUROSTAT: Vijojmë të qëndrojmë mbi mesataren europiane

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria mbetet mes vendeve me peshën më të lartë të energjisë së rinovueshme në Europë. Në vitin 2024, rreth 43.1% e energjisë së konsumuar në vend erdhi nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrocentrale. Edhe pse në rënie të lehtë krahasuar me 46.6% në vitin 2023, niveli mbetet dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2024 ishte 25.2%.

Në krahasim me vendet e BE-së, Shqipëria renditet në të njëjtin grup me shtetet që kanë peshë të lartë të energjisë së gjelbër në konsum. Në Europë, pjesën më të madhe të energjisë nga burime të rinovueshme e kishte Suedia me rreth 63%, e ndjekur nga Finlanda me 52% dhe Danimarka me 47%. Në anën tjetër të spektrit, nivelet më të ulëta u regjistruan në Belgjikë me 14%, Luksemburg me 15% dhe Maltë me 16%.

Edhe në rajonin e Ballkanit, Shqipëria renditet ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së rinovueshme. Në vitin 2024, Serbia kishte rreth 25.9%, Maqedonia e Veriut 21.8%, ndërsa Kosova 18%. Vetëm disa vende të rajonit si Mali i Zi me rreth 41% dhe Bosnje Hercegovina me rreth 40% kanë nivele të krahasueshme, ndërsa shumica e ekonomive të tjera mbeten dukshëm më poshtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në nivel europian, përdorimi i energjisë së rinovueshme është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Në Bashkimin Europian, pesha e saj në konsumin final bruto të energjisë arriti në 25% në vitin 2024, nga 17% në vitin 2014 dhe vetëm 10% në vitin 2004. Objektivi i BE-së është që deri në 2030 të arrijë të paktën 42.5% energji nga burime të rinovueshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në rastin e Shqipërisë, një pjesë e mirë e këtij rezultati mbështetet në një trashëgimi energjetike që ka kaluar disa dekada. Niveli relativisht i lartë i energjisë së gjelbër lidhet kryesisht me prodhimin nga hidrocentralet, të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të prodhimit vendas të energjisë elektrike.

Në vendet me peshën më të lartë të energjisë së rinovueshme në Evropë, struktura e prodhimit lidhet ngushtë me burimet natyrore që ato kanë në dispozicion. Në Suedi, pjesa më e madhe e energjisë së gjelbër vjen nga biomasa, hidrocentralet dhe energjia e erës, falë pyjeve të shumta dhe rrjetit të pasur të lumenjve. Edhe Finlanda mbështetet kryesisht te biomasa nga industria e drurit, si dhe te hidrocentralet dhe energjia e erës. Ndërsa Danimarka është një nga liderët europianë në energjinë e erës, veçanërisht me turbinat e vendosura në det, të cilat mbulojnë një pjesë të madhe të prodhimit të saj të energjisë së rinovueshme.

SCAN TV

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?