INSTAT publikon raportin: Shqipëria ka koston më të ulët të orës së punës në Europë
Për aktivitetet ekonomike Industri, Ndërtim dhe Shërbime, kostoja orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë në Shqipëri është më e ulët se në vendet anëtare dhe kandidate të BE.
Kostoja orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë në vendin tonë është 3,1 euro, sipas gjetjeve të raporti të fundit të INSTAT për koston e punës.
Më pas renditen shtete si Serbia dhe Bullgaria me kosto orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë përkatësisht 6,2 dhe 6,5 euro.
Norvegjia dhe Danimarka kanë koston mesatare orare më të lartë përkatësisht 47,3 dhe 45,3 Euro.
Kostot e punës përbëhen nga shpenzimet për paga dhe shpërblime, plus kostot e tjera siç janë kostot për kontributet e sigurimeve shoqerore dhe të kosto të tjera të paguara nga punëdhënësi. Pjesën më të madhe të kostos së punës e zënë kostot për paga e shpërblime, ndjekur nga kostot për kontribute dhe sigurime. Në vitin 2020, pjesa më e madhe e kostos jo për paga e shpërblime ishte më e lartë në Francë (32,1%)dhe Suedi (31,6%), ndërsa më e ulët në Lituani (2,9%) dhe Rumani (4,9%).
Sipas INSTAT, nga rezultatet e Anketës së Kostos së Punës, gjatë vitit 2020, vlerësohet se në Shqipëri në ndërmarrjet jo-bujqësore me mbi 10 të punësuar me pagë, kostoja mesatare vjetore për njësi pune me kohë të plotë është 827.534 lekë (përjashtuar praktikantët). Kostoja mesatare mujore për njësi pune me kohë të plotë është 68.961 lekë.
Gjatë vitit 2020 numri mesatar i të punësuarve kundrejt një page (me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme) për ndërmarrjet në studim është 376.099.
Nëse numrin e të punësuarve me pagë me kohë të pjesshme e konvertojmë në njësi pune me kohë të plotë atëherë numri i të punësuave në njësi pune me kohë të plotë është 373.659 persona.
Të punësuarit me pagë me kohë të plotë përbëjnë 97,6 % të të punësuarve dhe të punësuarit me kohë të pjesshme 1,9 %. Përqindja e praktikantëve e raportuar nga ndërmarrjet në studim është shumë e ulët 0,5%.
Ndërmarrjet jo-bujqësore me 10 të punësuar e më shumë, me numrin më të madh të të punësuarve me pagë, janë në sektorët e Industrisë Përpunuese, Tregtisë me Shumicë e Pakicë dhe Arsimit.
Numri mesatar vjetor i orëve të paguara të punës për një njësi pune me kohë të plotë është 2.362 orë, ndërkohë që numri mesatar i orëve aktuale të punuara për njësi pune me kohë të plotë është 2.118.
Struktura e kostove të ndërmarrjeve jo-bujqësore me mbi 10 të punësuar me pagë, për njësi pune me kohë të plotë është si më poshtë:
– 85,6 % e kostove janë për paga, shpërblime dhe shtesa të tjera;
– 14,1 % janë për kontributet e sigurimeve shoqërore (pjesa e punëdhënësit;
– 0,3 % janë për shpenzime të tjera si kosto e rekrutimit apo pagesa për veshje mbrojtëse për
– 0,1 % e kostos totale vjetore shkon për trajnim profesional dhe për taksat e punës;
– dhe -0,1 % subvencione të përfituara nga buxheti i shtetit.
Kostoja mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë rritet me rritjen e madhësisë së ndërmarrjes. Kostoja mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë është më e lartë në ndërmarrjet jo-bujqësore me 1000 e më shumë të punësuar me pagë, rreth 490 lekë dhe më e ulët për ndërmarrjet jo-bujqësore me 10-49 të punësuar me pagë, rreth 360 lekë.
Sipas aktivitetit ekonomik, kostoja mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë, është më e lartë në Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit 756 lekë dhe më e ulët në Aktivitetet e Akomodimit dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit 245 lekë, Industrinë përpunuese 272 lekë dhe Aktivitetet e furnizimit me ujë, aktiviteteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rregullimit 281 lekë.