Nëse merr më pak se 22500 lekë, sot je i varfër. Qeveria Rama ka gati strukturat për analizë statistikash
Nëse merr më pak se 22500 lekë, sot je i varfër. Varfëria në Shqipëri përsëri mbetet në nivele shqetësuese. Në kushte të tilla, kur vendi ynë renditet i 6-ti në Europë si më i rrezikuar nga varfëria, qeveria ka vendosur të marrë disa hapa që ta zbusin fenomenin. Për të analizuar treguesit kryesor në dokumentin e politikave të përfshirjes sociale përcaktohet se do të merren në konsideratë mosha, përkatësia etnike, vendndodhja, punësimi, të ardhurat, aftësia e kufizuar, gjinia dhe orientimi seksual].
Sipas sociologëve ka elementë që duhen shtuar për një analizim më të plotë të nivelit të jetesës së qytetarëve. ”Merret në konsideratë vlera e kalorive që i duhet një individi për të jetuar, një individ duhet të jetojë në familje merren parasysh kushtet e banesës, jetesa na kërkon një televizor me ngjyra, një lavatriçe. Nuk mjaftohemi me kaq, sipas treguesve europianë një familje duhet të ketë të përfshirë dhe një palë pushime”,–thotë sociologia Eris Dhamo.
Matja e nivelit të varfërisë në mënyrë të përgjithshme bëhet përmes disa anketave nga Instituti i Statistikave. Tashmë do të shtohen edhe një Grup Ndërinstitucional i Statistikave të Përfshirjes Sociale për të siguruar qëndrueshmërinë në përkufizime dhe në përdorimin e treguesve, si dhe një një Strukturë Burimore Teknike për analizën e varfërisë. Në fund të çdo viti do të ketë edhe një raport vjetor për përfshirjen sociale në kryeqytet dhe në rrethe. “Ndërhyrje trajnuese me fokus të qartë, të cilat do të forcojnë kapacitetet e administratës publike në nivel qendror dhe vendor, për të garantuar se përfshirja sociale është pjesë përbërëse e politikave në nivel kombëtar dhe vendor”. /A2cnn/