Nga ekspertët e teknologjisë së informacionit, te juristët, inxhinierët dhe ekonomistët, qeveria paralajmëron tjetër rritje pagash

Pagat në administratë për disa profesione si teknologji-informacioni, jurist, inxhinier apo ekonomist do të rishikohen me qëllim që të bëhen konkurrente dhe që të tërhiqen drejt administratës publike ekspertët më të mirë. Për këtë qëllim, qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës projektligjin “Për qeverisjen elektronike”.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur për mediat se, qeveria ka nisur një studim të plotë të tregut sa i përket profesioneve të veçanta, që lidhen me zhvillimet teknologjike apo dixhitale, si punonjësit e AKSHI-it, AKCESK apo ASIG.“Ky pr/ligj vjen në kuadër të zhvillimeve elektronike që vendi ka pasur, dixhitalizimit të proceseve dhe shërbimeve, por edhe për të rregulluar një pjesë të mirë të sektorit, sa i përket marrëdhënieve të kompanive shtetërore dhe atyre private.
Qeveria ka nisur një studim të plotë të tregut sa i përket profesioneve të veçanta, që lidhen me zhvillimet teknologjike apo dixhitale, si punonjësit e AKSHI-it, AKCESK apo ASIG që shumë shpejt do të arrijnë të menaxhojnë edhe imazherinë e dronëve dhe satelitëve por pa lënë mënjanë juristët, inxhinierët që sot në tregun privat apo ndërkombëtar trajtohen në forma të ndryshme”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku. Punonjësit e IT, por edhe inxhinierët, juristët apo financierët, tha Balluku, sot në tregun privat marrin paga më të larta se ato në administratën publike.“Për të hapur këtë treg dhe bërë të konkurueshëm edhe brenda administratës shtetërore ne do të na duhet të bëjmë rregullime ligjore, ku përfshihet edhe mënyra e trajtimit. Sot në treg, ne konkurrojë në këto profesione, në mënyrë shumë të vështirë për shkak të nivelit të ulët të pagave me sektorin privat”, tha Balluku.

Nga ky muaj, 160 studentë do të përfitojnë pagë mujore 34 mijë lekë

Ndërkohë nga ana tjetër, nga 166 aplikime, vetëm 160 studentë nga programet prioritare me notë mesatare 8.5 dhe ekselentë me mesatare 9.5, do të përfitojnë pagën minimale. Mirëpo, për të marrë paratë çdo muaj, ata duhet që të ruajnë rezultatet dhe të punojnë në administratë 3 vite pas përfundimit të universitetit, Në të kundërt, sipas Drejtorit të Agjencisë së financimit, Artan Spahiu, ata do detyrohen që të gjitha paratë e përfituara t’i kthejnë mbrapsht. “Nëse student nuk përmbush detyrimet dhe nuk mban notën, ai nuk do ta përfitoje mbështetjen për vitin pasardhës. Në rast se student do që ta marrë diplomën menjëherë pas diplomimit, apo ka gjetur një punë më të mirë, do duhet që të ktheje mbështetjen financiare që ka përfituar.
Studenti duhet të bëje përpjekjet për tu punësuar. Mund të ndodhe që ai mund të mos punësohet, por përpjekjet duhet të bëhen dhe do monitorohen”, tregoi Spahiu. Marrëveshjet mes studentit, universitetit dhe Ministrisë së Arsimit do të nënshkruhen që këtë të enjte, ndërsa pagesat do të llogariten që nga nisja e vitit akademik 2022-2023.“Përfitohet që nga momenti i regjistrimit të studentit në program, pavarësisht se marrëveshja në vitin e parë do të firmoset në muajin shkur”, tha Spahiu. Aplikimet më të shumta janë nga Mjekësia, informatika dhe mësuesia.“49 kërkesa nga universiteti i mjekësisë, 16 nga universiteti Politeknik dhe 6 nga universiteti i Tiranës janë studentë ekselent. Studentët nga programet prioritare, janë 31 nga universiteti i Tiranës, 21 nga Politekniku, 25 universiteti Bujqësor, 9 universiteti i Vlorës, 6 universiteti i Shkodrës dhe 2 nga universiteti i Elbasanit”, deklaron Spahiu. Nëse paga minimale do të rritet, atëherë shtesa reflektohet edhe tek pagesa që do të marrin studentët.“Studenti duhet të pajiset me numër llogarie, ku universiteti çdo fillim muaji disburson shumën. Verifikimi i frekuentimit të vitit do të bëhet në tetor të vitit pasardhës dhe do sjellë vërtetim që ka ruajtur detyrimet”, përfundoi Spahiu. Pagën minimale 34 mijë lekë, studentët do ta përfitojnë për tre vitet e bachelorit dhe 2 vitet e masterit.

SHKARKO APP