Nga Trieste në Tiranë, historitë e kompanive të famshme të sigurimeve

Tregu i sigurimeve në Shqipëri nis të zhvillohet në vitet ’20-‘30, kohë vendi njeh një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.

Në këtë periudhë, në qytetet kryesore të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Sarandë, Korçë apo Shkodër, hapin filialet e tyre disa prej kompanive më të njohura të sigurimeve në botë.

Janë fillimisht tregtarët shqiptarë ata që sigurojnë mallrat e tyre nga zjarri apo mbytjet për të vijuar me pas edhe me një zgjerim në ofertës së sigurimit, çka përfshiu thuajse të gjithë biznesmenët që zhvillonin aktivitet ekonomik në Shqipëri.

Shumica e kompanive të sigurimit ishin italiane ndërsa nuk mungonin dhe ato britanike. Në fakt, një pjesë e mirë e aktivitetit sigurues lidhej me nevojën e madhe që ishte krijuar nga fuqia punëtore e huaj për t’u siguruar,

Por cilat ishin kompanitë e huaja që erdhën në Shqipëri në ato vite?

Generali Assicurazioni

Më e njohura është “Generali Assicurazioni” e Triestes, një kompani shumë e njohur e themeluar në vitin 1831. Prezenca fillestare e kësaj kompanie në Shqipëri do të bëhej përmes agjentëve.  Përfaqësues i kompanisë ishte Vincenzo Rocco, i cili kishte një kompani në Durrës me 4 punonjës dhe që kishte aktivitet në fushën e shitjes së policave të sigurimit të jetës dhe nga zjarri.

Në kuadrin e politikës së ekspansionit ekonomik italian në Shqipëri, kjo kompani vendos të investojë në Shqipëri jo vetëm në fushën e sigurimeve por edhe në atë të pasurive të paluajtshme.

E ndërsa përfaqësinë e saj e kishte në Durrës sa i përket aktivitetit të sigurimeve, kompania vendos të krijojë një qendër të rëndësishme në Tiranë, ku po diskutohej një plan i ri urbanistik që premtonte një  boom të ndërtimeve në kryeqytet. E si rrjedhojë, “Assicurazioni Generali” realizoi atë që mund të cilësohet si investimi i parë madhor imobiliar privat në Tiranë.

Godina përfundoi në muajt e parë të vitit 1932. Në muajin korrik të atij viti u nënshkruan marrëveshjet e para të qerave. Ambientet e katit të parë u dhanë me qira për dyqane e për zyra të shërbimeve të tjera publike sikurse parashikohej në projekt ndërsa disa ambiente të tjera të kateve të mësipërme do të përdoreshin si zyra të kompanisë dhe si vend strehimi për Rocco-n.

Kjo godinë do të ishte “qendër tregtare” deri në vitin 1937 kur kontratat e qirasë për dyqanet do të anuloheshin e hapësirat iu dhanë Bankës së Napolit.

Ndërkohë, kompania gjatë kësaj periudhë zgjeroi veprimtarinë në fushën e sigurimeve duke hapur zyra veç Tiranës e Durrësit edhe në Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, Sarandë, Gjirokastër e Vlorë.

Kompania FIUME

Një rol të rëndësishënm në tregun shqiptar të sigurimeve ka luajtur edhe kompania Fiume. Kjo kompani hapi degë në të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e Shqipërisë. Qendra e kësaj kompanie ishte në Fiume, sot Rijeka e Kroacisë, dhe ishte e lidhur me Institutin Kombëtar të Sigurimeve në Itali.

Kjo kompani ofronte sigurime nga zjarri, shpërthimi i gazit, vjedhjet, rreziqet, transportet, përgjegjësinë civile kundrejt të tretëve e deri edhe sigurim nga rrufetë.

Kapitali i kompanisë ishte 12 milion lira. Përfaqësues i kompanisë për Shqipërinë ishte Francesco Giordano.

*Nga Kreshnik KUÇAJ

Shkrimin e plotë e gjweni në linkun e poshtëshënuar:

Nga Trieste në Tiranë/ Historitë e kompanive të famshme të sigurimeve! Sigurimi në bujqësi ekzistonte para viteve ’90

SHKARKO APP