Rritje e qëndrueshme e tregut të sigurimeve vullnetare, zgjerim edhe i kontratave
Tregu i sigurimeve vullnetare vijoi të zgjerohet gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, duke shënuar ritme pozitive rritjeje në pothuajse të gjitha portofolat. Tendenca konfirmon interesin në rritje të individëve dhe bizneseve për mbrojtje financiare më të gjerë, si dhe një stabilizim të strukturës së tregut.
Sipas të dhënave paraprake, primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 8,4 miliardë lekë, me një rritje prej 6,79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i kontratave u rrit në të njëjtën linjë, me 6,58%, çka tregon se rritja nuk është vetëm në vlerë monetare, por edhe në zgjerim të bazës së klientëve.
Rritje ka pësuar edhe segmenti i sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës, me një ecuri pozitive prej 4,97%, çka reflekton rritjen e kërkesës për mbrojtje ndaj riskut të pronës, përgjegjësive dhe forcave të natyrës.
Portofolat e “Pronës, përgjegjësive dhe garancive” siguruan mbi 3,58 miliardë lekë gjatë periudhës, duke mbajtur peshën kryesore në tregun e Jo-Jetës. Brenda këtij grupi, sigurimi nga “Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë” zuri vendin kryesor me 67,07% të të ardhurave totale, i ndjekur nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme, me 23,25%. Ky dominim tregon se bizneset po i kushtojnë më shumë vëmendje menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së aseteve.
Ndërkohë, portofoli i “Zjarrit dhe forcave të natyrës” regjistroi një rritje të qëndrueshme, si në vëllimin e primeve të shkruara bruto me 4,53%, ashtu edhe në numrin e kontratave, me një rritje të fortë prej 9,92%. Ky rezultat lidhet edhe me ndërgjegjësimin në rritje për pasojat e fenomeneve klimatike.
Tregu i sigurimeve të aksidenteve dhe shëndetit arriti të gjenerojë rreth 1,201 miliardë lekë, një rritje prej 2,67%, ndërsa kërkesa për produkte të kujdesit shëndetësor privat vijon të jetë e qëndrueshme.
Segmenti i sigurimeve të Jetës ka shënuar një nga performancat më të forta në treg, me primet që arritën 1,862 miliardë lekë, një rritje e ndjeshme prej 13,87% krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim i atribuohet zgjerimit të ofertave të paketave afatgjata të kursimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për planifikimin financiar.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

