Sondazhi, 43% e të anketuarve nuk parashikojnë më shumë se 50 euro shpenzime ditore
Shumica e shqiptarëve kanë bërë ose planifikojnë pushime verore këtë vit, me vetëm 18% që janë përgjigjur në anketë me “jo”. Në grupin e fundit, pamundësia ekonomike është arsyeja pse nuk kanë planifikuar pushime. Në lidhje me akomodimin, shqiptarët preferojnë apartamente kur janë brenda vendit dhe hotele kur shkojnë jashtë. Të paktën 43% e të anketuarve nuk parashikojnë më shumë se 50 euro shpenzime ditore për person. Në raportet gjinore, meshkujt bëjnë më shumë pushime, por femrat janë më dorëlëshuara. Në një kampion më modest ndaj totalit, bizneset shprehen me rezerva për shpenzimet e turistëve, duke i vlerësuar se të huajt që na vizitojnë janë “low cost”.
MONITOR/ Nertila Maho
Sezoni veror këtë vit është shoqëruar me zhvillime dinamike, por edhe polemika.
Në njërën anë, ishte fluksi i lartë i të huajve që shënuan një tjetër rekord në hyrjet e raportuara në publikimet zyrtare, teksa në anën tjetër, kërkesa rriti çmimet në gjithë bregdetin.
Ajo që u nënvizua nga operatorët turistikë ishte mungesa e theksuar e shtetasve të Kosovës, si rezultat i liberalizimit të vizave, të cilët zgjodhën tregje të reja për të eksploruar, por edhe zhvlerësimi i euros, që gjithashtu vlerësohet si një faktor me ndikim në këtë zbehje të interesit që po bëhet e dukshme nga java në javë.
Në sy ra edhe një tendencë më e ulët e vendasve për të pushuar në bregdetin shqiptar. Këta të fundit, sipas agjencive turistike në vend kanë shënuar rezervime rekord në vende si Greqia, Turqia.
Vala e panikut të çmimeve që ishte përgjithësisht e moderuar në disa rajone dhe ekstreme në disa të tjera duket se luajti rolin kyç në planet e pushimeve në tërësi.
“Monitor”, gjatë fundit të qershorit dhe korrikut, zhvilloi përmes aplikacionit ECR (Engaged Citizens Reporting) një sondazh se ku do të pushojnë shqiptarët këtë vit.
Sondazhi u plotësua nga 659 individë nga i gjithë vendi, duke dhënë një ide mbi tendencat e këtij viti sa u takon pushimeve, kohëzgjatjes, shpenzimeve, strukturave akomoduese, zonave më të frekuentuara.
Të anketuarit kanë renditur disa nga përmirësimet që mund të bëhen për ta bërë eksperiencën turistike më të mirë për pushuesit.
82% e të anketuarve do të pushojnë, pamundësia ekonomike arsye kryesore për ata që s’pushojnë
Sezoni turistik në vend arrin pikun e tij mes 15 korrikut dhe 20 gushtit, por ardhja e të huajve, sidomos nëpërmjet turizmit të organizuar, e ka shtrirë këtë sezon në përtej 100 ditëve.
Promovimi i Shqipërisë në rrjete sociale, apo media ndërkombëtare, ka bërë që interesi të jetë i lartë edhe gjatë pjesës së pranverës dhe vjeshtës por ato që njihen si pushime verore, që nisin në maj dhe mbyllen në shtator.
Individët që iu përgjigjën pyetjeve të sondazhit të “Monitor” raportuan se shumica kishin planifikuar pushime verore këtë vit. Të paktën 541 persona, apo 82% e të anketuarve, iu përgjigjën me “Po” kësaj pyetjeje. Pjesa tjetër, 18%, janë përgjigjur se nuk do të pushojnë këtë vit, duke renditur edhe arsyet.
Të paktën 20% e 118 individëve që nuk kanë planifikuar pushime kanë raportuar se kjo vjen si efekt i pamundësisë për t’u shkëputur nga puna, kurse 9% kanë dhënë arsye të ndryshme.
Në përgjigjet e të anketuarve dominon pamundësia ekonomike, që është shkaku kryesor se pse individët nuk kanë planifikuar pushime.
Të paktën 71%, apo 83 individë, janë përgjigjur se nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar pushimet verore këtë vit.
Rreth 94% zgjedhin bregdetin, shumica pushime deri në dy javë
Kur flasim për pushime verore, shumica kanë tendencën t’i kalojnë pranë detit, por përjashtim nuk bëjnë edhe zonat malore.
Tur-operatorët nënvizojnë se sjellja tipike e turistit shqiptar nuk është ajo e eksplorimit gjatë pushimeve verore, më shumë është qëndrimi pasiv, duke e menduar këtë si një kohë tërësisht çlodhje.
Të njëjtën sjellje, turisti shqiptar e shfaq edhe në zonat malore ku bujtina të ndryshme në vend apo agroturizmet, që kanë marrë zhvillim të vrullshëm vitet e fundit, raportojnë se të huajt duan të eksplorojnë dhe të bëjnë ecje në natyrë, ndërsa shqiptarët të shijojnë qëndrimin dhe ushqimin, duke mos tentuar të jenë aktivë.
Edhe në sondazhin e “Monitor”, të paktën 93.9% e atyre që janë përgjigjur se kishin planifikuar pushime verore, kanë zgjedhur që ato t’i kalojnë në zona bregdetare.
Një pakicë prej 2.6% kanë zgjedhur zonat malore dhe po kaq kanë zgjedhur qytete urbane. Në zona rurale kanë planifikuar pushime vetëm 0.9% e të anketuarve.
Sa i takon kohëzgjatjes së pushimeve, shumica duket se planifikojnë më shumë se një javë. Konkretisht, 61% u përgjigjën se kishin programuar 1-2 javë, ndërsa 27% më pak se një javë.
Një pjesë më e vogël prej 9% kishin planifikuar deri në 2-3 javë pushime, kurse një muaj dhe më shumë se një muaj, përkatësisht u përgjigjën 1% e të anketuarve.
Buxheti, shumica 500-1000 euro për person, kostoja faktori më i rëndësishëm i destinacionit
Shumica e shqiptarëve vlerësojnë se 500-1000 euro është shuma që planifikojnë të shpenzojnë për pushime.
Të paktën sipas anketës, 41% janë përgjigjur se ky do të jetë limiti i parashikuar i shpenzimeve për person.
Përzgjedhja e destinacionit, kohëzgjatjes së pushimeve, llojit të strukturës akomoduese të përdorur, transportit apo aktivitetet sociale dhe kulturore të përzgjedhura luajnë faktor kyç në përcaktimin e buxhetit.
Grupi i dytë më i madh sa i takon klasifikimit të buxhetit është ai që parashikon të shpenzojë mes 1000-2000 euro për person.
Pjesa me buxhet të limituar deri në 500 euro për person përfshin 21% të të anketuarve dhe ata me shpenzime më shumë se 2000-2500 euro për person përbëjnë 10% të të anketuarve.
Lidhur me shpenzimin ditor, 43% e shqiptarëve pranojnë se planifikojnë më pak se 50 euro për person, si shpenzim ditor, ndërsa 42% llogarisin që këto shpenzime të jenë mes 50-100 euro në ditë për person.
Pyetjes se cila është arsyeja kryesore në zgjedhjen e një destinacioni turistik, të anketuarit janë përgjigjur në masën 48.6% se kostoja është më i rëndësishmja.
Për 15.4% të të anketuarve, faktor i rëndësishëm në destinacionin ku do të pushojnë janë atraksionet kulturore dhe natyrore.
Ajo që bie në sy është zgjedhja e klimës si faktori i tretë më i rëndësishëm nga 11.7% e të anketuarve.
Një tendencë e tillë e lidhur me klimën në përzgjedhje është vënë re edhe në botë, ku individët po përpiqen të shmangin ato destinacione me temperatura të larta, të cilat dy vitet e fundit po thyejnë rekorde të njëpasnjëshme.
Siguria e destinacionit renditet si faktori i katërt dhe më pas vijnë shërbimi dhe të tjera me përkatësisht 0.7% dhe 7.7% të përgjigjeve.
Akomodimi, brenda shqiptarët zgjedhin apartamente, jashtë preferojnë hotelet
Akomodimi është një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të pushimeve verore dhe lloji i strukturës së përzgjedhur përcakton edhe përfitimet që vijnë me të.
Përgjithësisht për ata që pushojnë brenda vendit, tendenca duket se është ajo e apartamenteve që të japin lehtësi për të jetuar në kushtet e shtëpisë edhe me pushime.
Me këtë nënkuptohet lehtësia më e madhe për të menaxhuar vaktet, pra gatimin, larjen e rrobave apo elemente të tjera të ngjashme. Apartamentet vijnë gjithashtu edhe me përfitimin e një kostoje më të leverdishme kur bëhet fjalë në akomodimin e dy apo më shumë personave (familje).
Të anketuarit që janë përgjigjur se preferojnë një apartament përbëjnë 36%. Nga ana tjetër, në hotele zgjedhin të qëndrojnë 33% e të anketuarve.
Një pjesë më e vogël, rreth 13%, kanë zgjedhur si mundësi akomodimi qëndrimin te të afërmit gjatë pushimeve verore, pasuar nga 11% në shtëpi fshati dhe 3% në bujtina.
Krejt e kundërta ndodh me ata që pushimet verore i planifikojnë jashtë vendit.
Të paktën 43% e atyre që kanë zgjedhur një destinacion jashtë Shqipërisë kanë zgjedhur që të qëndrojnë në hotel, teksa 34% parapëlqejnë një apartament me qira.
Një grup prej 15% e të anketuarve kanë zgjedhur si opsion akomodimi resortet.
Menaxhimi i plazheve, mungesa e plazheve publike dhe ndotja akustike si shqetësime
Të anketuarit në sondazhin e “Monitor” kanë komentuar duke shprehur rezerva të përgjithshme për mënyrën sesi menaxhohet sot vija bregdetare.
Së pari, kjo duket se lidhet me mungesën e plazheve publike ose raportin e tyre shumë të ulët përballë amullisë së çadrave dhe shezloneve që krijohet çdo vit.
“Katrahura e menaxhimit të plazheve në vijën bregdetare shqiptare, kërkon ndërhyrje të matur dhe të përgjegjshme qeveritare.
Përvoja e deritanishme ka treguar dhe tregon se menaxhimi i vijës bregdetare në Republikën e Shqipërisë (ndonëse pronë shtetërore me ligj), është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet gjithnjë në rritje, me një sërë fenomenesh me efekte të shumta negative, që dëmtojnë rëndë sidomos interesin publik të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, të paktën në masën e mbi 85% të numrit të tyre.
Numri i stacioneve të plazheve publike në të gjithë vijën bregdetare, është më pak se 1% i numrit total të stacioneve të plazheve në shkallë vendi, ndërkohë që menaxhimi privat i plazheve në rreth 99% të numrit total të tyre, shoqërohet me shumë e shumë probleme, që dëmtojnë rëndë sidomos interesin publik, duke shkelur të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë”, – shprehet Zija Lika.
Një tjetër qytetar shprehet se në disa raste, pastrimi në bregdet lë për të dëshiruar. “Nuk mund të ketë cilësi në turizëm, kur nuk pastrohet bregu i detit.
Me ditë të tëra pa pastruar leshterikët te Shkëmbi i Kavajës, megjithëse Bashkia e Durrësit ka rritur taksën për çdo familje apo biznes”, – shprehet Bardhyl Cani. Një tjetër qytetar sjell në vëmendje zhurmat që krijohen.
“Plehrat, ndotja akustike, sidomos në Dhërmi, në hotelet buzë rrugës nuk flije dot nga makinat dhe motorët që lëviznin natën”, – nënvizon ai.
Një tjetër gjithashtu vlerëson se janë disa aspektet ku duhet të ndalet vëmendja “pastrimi i plehrave, sidomos nëpër fshatra, bregdetare (Dhërmi, Jal, Borsh, etj.), malore.
Rritja e kushteve nëpër hotele, sepse i kanë skandal, qoftë në ushqim, pastërti, shërbim. I referohem më tepër zonës Vlorë, Dhërmi”.