Statistikat tregojnë se si po tkurret blegtoria
Numri i gjedhëve në vitin 2018 është 467.318 krerë, duke shënuar rënie me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017, raporton INSTAT. Në vitin 2018, numri i të leshtave është 1.863.837 krerë, duke shënuar një rënie me 3,2% krahasuar me vitin 2017.
Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 73,3% ndaj totalit të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2018 është 917.155 krerë, duke pësuar një rënie vjetore me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 97,5% ndaj totalit të tufës.
Në vitin 2018, numri i krerëve të derrave është 184.133 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me rreth 2,2%, krahasuar me vitin 2017. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 35,9% dhe Shkodër me 27% ndaj totalit të gjithë krerëve. Pjesa më e madhe e blegtorisë është e përqendruar në Qarkun e Fierit, i cili ka rreth 14% të totalit të krerëve të bagëtive, apo rreth 131 mijë krerë bagëti, prej të cilave 63 mijë janë gjedhë dhe 28 mijë janë bagëti të imëta. Pas Fierit renditet Qarku i Elbasanit, i cili përgjigjet për 11%, apo me rreth 100 mijë krerë bagëti, ku më shumë se gjysma e tyre janë gjedhë.
Korça ka rreth 10% të stokut të bagëtive në vend, ku numërohen sipas statistikave të publikuara nga INSTAT rreth 38 mijë gjedhe dhe 34 mijë bagëti të imta. Në të tre këto qarqe, numri i bagëtive ka qenë më i ulët në krahasim me një vit më parë.
Në veri, pjesa më e madhe e bagëtive janë përqendruar në Shkodër ku të dhënat e fundit tregojnë se numri i bagëtive është 80 mijë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë gjedhë. Pas Shkodrës në veri renditet Dibra me 70 mijë krerë bagëti.
Edhe prodhimet blegtorale, në rënie
Prodhimi i qumështit në vitin 2018 është rreth 1,14 milionë tonë, duke shënuar rënie me rreth 1%, në krahasim me vitin 2017. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2018 është: qumësht lope 85,1%, qumësht dele 7,4% dhe qumësht dhie me 7,5%.
Në 2018, prodhimi i qumështit nga lopët është 973.526 tonë, ose 0,9% më pak, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi, në vitin 2018 është 2.916 kg për krerë, duke u rritur me 2,4%, krahasuar me 2017.
Prodhimi i qumështit nga delet, për vitin 2018, ka pësuar rënie me rreth 2,5%, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 61,8 kg për krerë, duke shënuar rritje me 0,6%, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i qumështit nga dhitë në vitin 2018 është 0,9% më i ulët se një vit më parë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit të dhive në nivel vendi është rreth 123 kg për krerë, duke u rritur me rreth 2 %, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 161 mijë tonë, duke u rritur me 0,1%, në krahasim me vitin 2017.
Rënie ka shënuar edhe prodhimi i mishit, veçanërisht ai i lopëve, ku në 2018-n u regjistruan rreth 3000 tonë më pak.
Përplasja e shifrave
E ndërsa statistikat e blegtorisë tregojnë se numri i bagëtive u ul sërish, për të tretin vit, të dhënat e publikuara për blegtorinë flasin për rritje të prodhimit të foragjerëve, të cilat shërbejnë si lëndë e parë për blegtorinë. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i foragjereve për vitin 2018 ishte 7,050 mijë tonë, nga 6,600 mijë tonë që u regjistrua një vit më parë.
Ekspertët e bujqësisë, por edhe aktorë në këtë sektor, thonë se duhet të flasim me rezerva kur interpretojmë statistikat e bujqësisë apo blegtorisë, apo t’i lexojmë ato duke parë edhe shifrat që vijnë nga të dhënat e tërthorta, si importet, të cilat kanë marzh gabimi më të ulët. Vlerësimi i numrit të krerëve është bazuar në lëvizjen e blegtorisë për secilën kategori të gjedhëve, të leshtave, të dhirtave dhe derrave. Vlerësimi i prodhimit të qumështit nga lopët është bërë duke u bazuar në numrin mesatar vjetor të tyre, që rezulton nga lëvizja e blegtorisë dhe në rendimentin mesatar të qumështit për lopë të kalkuluar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
I njëjti arsyetim është ndjekur edhe për prodhimin e qumështit nga delet dhe dhitë. Vlerësimi për prodhimin e mishit për secilën kategori është bazuar në përllogaritjet e bëra për lëvizjen e blegtorisë, pra në numrin e krerëve të skartuar dhe në peshën mesatare për krerët e therur.