Turizmi dhe ndërtimi nxisin ekonominë, prodhimi humbet terren
Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë te sektori i shërbimeve, ndërsa pesha e prodhimit në ekonomi po vijon të bjerë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit tregojnë një tendencë të qartë: turizmi, ndërtimi, tregtia dhe pasuritë e paluajtshme po marrin rol gjithnjë e më të madh në rritjen ekonomike, ndërsa sektorët prodhues po përballen me vështirësi.
Industria, e cila konsiderohet një nga shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe rritjen e eksporteve, ka shfaqur shenja dobësimi. Prodhimi industrial ka shënuar një tkurrje prej afro 5%, ndërsa shitjet kanë rënë me më shumë se 3%. Në të njëjtën kohë, është ulur edhe numri i të punësuarve në këtë sektor, duke reflektuar sfidat me të cilat përballen bizneset prodhuese.
Edhe industria nxjerrëse, që për vite ka kontribuar ndjeshëm në ekonominë e vendit, ka regjistruar rënie të konsiderueshme. Ndërkohë, shërbimet vazhdojnë të mbeten motori kryesor i aktivitetit ekonomik. Turizmi po njeh zgjerim të vazhdueshëm, me hotele, restorante dhe aktivitete të lidhura me vizitorët që po rrisin të ardhurat dhe punësimin.
Një nga sektorët me performancën më të fortë mbetet tregu i pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave zyrtare, aktiviteti në këtë fushë është rritur me mbi 30%, duke treguar orientimin në rritje të ekonomisë drejt investimeve në prona dhe ndërtim. Edhe punësimi po ndjek të njëjtën prirje, me sektorin e pasurive të paluajtshme që kryeson rritjen me 22.5%, i ndjekur nga hoteleria me 9.4%, agjencitë e udhëtimit me 3.7% dhe transporti me 3.3%.
Rritja e aktivitetit ekonomik është shoqëruar edhe me rritje pagash në disa sektorë. Megjithatë, ekspertët vërejnë se pas shifrave pozitive fshihet një sfidë strukturore: ekonomia shqiptare po krijon më shumë të ardhura nga shërbimet sesa nga prodhimi i mallrave.
Për këtë arsye, zhvillimi i industrisë dhe bujqësisë është vendosur në fokus të institucioneve, të cilat po kërkojnë gjithashtu një rol më aktiv nga sektori bankar për të mbështetur investimet dhe zgjerimin e aktiviteteve prodhuese në vend.
KOHA JONË SONDAZH

