
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Partisë Demokratike, duke e akuzuar se vijon të mbetet peng i një drejtimi politik që i drejtohet dhunës sa herë i mbyllet rruga drejt pushtetit. Në reagimin e saj, Mila u ndal edhe te lajmi i mirë për Erjon Vishkullin, duke theksuar se shëndeti dhe jeta e një njeriu duhet të qëndrojnë mbi çdo interes partiak. “Përpara shëndetit të një njeriu, flamujt e partive duhet të ulen e jo të përdoren si fasho për plagë të tjera”, shkruan deputetja socialiste.
Postimi i plotë
Keqardhje për një Parti Demokratike që vazhdon të mbetet peng i një arkitekti dhune të cilit busulla politike i tregon vetëm zjarr e tym sa herë i mbyllet rruga drejt pushtetit.
Mes gjithë atyre fytyrave të ngrysura e të fashuara që disa prej tyre kishin insinuar sot, do të doja të shihja pak lehtësim për lajmin e mirë lidhur me Erjon Vishkullin, pasi përpara shëndetit të një njeriu, flamujt e partive duhet të ulen e jo të përdoren si fasho për plagë të tjera.
Ju fatmirësisht nuk keni nevojë për fasho, por duhet të hapni sytë e të shihni njëri-tjetrin se kush ju prin, ku ju çon dhe për karrigen e kujt po kërkoni të përvëloni perspektivën europiane të Shqipërisë!
Kush po u fliste sot juve në atë sallë, duke penguar normalitetin dhe duke derdhur retorikë linçuese me pretekstin se “mbrojnë” protestuesit? Ju kujtoj se asnjërin prej jush në PD nuk mund ta lërë të qetë pesha e 21 Janarit. Drejtësia, të cilën ne ende e presim, dhe ju jetoni në ankth e makth prej saj.