
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Partisë Demokratike, duke e akuzuar se vijon të mbetet peng i një drejtimi politik që i drejtohet dhunës sa herë i mbyllet rruga drejt pushtetit. Në reagimin e saj, Mila u ndal edhe te lajmi i mirë për Erjon Vishkullin, duke theksuar se shëndeti dhe jeta e një njeriu duhet të qëndrojnë mbi çdo interes partiak. “Përpara shëndetit të një njeriu, flamujt e partive duhet të ulen e jo të përdoren si fasho për plagë të tjera”, shkruan deputetja socialiste.
Postimi i plotë
Keqardhje për një Parti Demokratike që vazhdon të mbetet peng i një arkitekti dhune të cilit busulla politike i tregon vetëm zjarr e tym sa herë i mbyllet rruga drejt pushtetit.
Mes gjithë atyre fytyrave të ngrysura e të fashuara që disa prej tyre kishin insinuar sot, do të doja të shihja pak lehtësim për lajmin e mirë lidhur me Erjon Vishkullin, pasi përpara shëndetit të një njeriu, flamujt e partive duhet të ulen e jo të përdoren si fasho për plagë të tjera.
Ju fatmirësisht nuk keni nevojë për fasho, por duhet të hapni sytë e të shihni njëri-tjetrin se kush ju prin, ku ju çon dhe për karrigen e kujt po kërkoni të përvëloni perspektivën europiane të Shqipërisë!
E kush na drejtohej sot në atë sallë, duke penguar normalitetin, e duke derdhur fjalorin linçues gjasme duke “mbrojtur” protestuesit, ju rikujtoj se asnjërin prej jush në PD nuk mund ta lërë të qetë pesha e 21 Janarit. Drejtësi të cilën ne ende e presim e ju në ankthe e makthe jetoni akoma prej saj.