
Tre persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm pranë një kafeneje në qendër të Moskës, bëri të ditur agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke iu referuar burimeve zyrtare.
Ngjarja ndodhi në zonën e sheshit Kudrinskaya, duke shkaktuar panik mes qytetarëve. Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet rrethuan zonën, ndërsa në vendngjarje mbërritën forca të shumta të Ministrisë së Brendshme dhe ekipet e emergjencës.
Sipas Ministrisë ruse të Shëndetësisë, personat e plagosur janë transportuar në spitalet e Moskës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Deri tani nuk janë bërë publike detaje të plota mbi shkaqet e shpërthimit.
Ndërkohë, disa media dhe blogerë rusë kanë raportuar se pranë vendit ku ndodhi shpërthimi, në një restorant luksoz, zhvillohej një festë ditëlindjeje ku dyshohet se merrte pjesë komandanti i përgjithshëm i Forcave Hapësinore Ruse, Alexander Chaiko.
Megjithatë, këto raportime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet ruse dhe nuk ka ende të dhëna që të lidhin praninë e tij apo aktivitetin në restorant me ngjarjen. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të shpërthimit vijojnë.
