
Pas takimeve në Tiranë, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë në BE, Oliver Varhelyi është ndalur edhe në Kosovë. Ai u prit nga kryeministri, Albin Kurti, ndërsa fokusi kryesor ishte te lufta ndaj pandemisë koronavirus. Ata vizituan sallën sportive “1 tetori” në Prishtinë, për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit.
“Kosova do të marrë gati 100 mijë vaksina nga Pfizer, partneri ynë më i besuar në këtë luftë ndaj pandemisë. Me këtë kontribut i gjithë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohet me furnizimet e para, dhe ato që do të vijnë në qershor”, u shpreh Oliver Varhelyi.
Ai tha se do të punojë me qeverinë e Kosovës që ky shtet të marrë edhe më shumë vaksina, ndërsa Kurti premtoi se do të punohet pa pushim deri në imunizmin e plotë të 60 për qind të popullatës. ”Ne synojmë që të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të evitojmë me pjesën tjetër sipas planit. Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi”.
