
Sali Berisha hedh akuza të forta ndaj Tom Doshit, duke pretenduar se ai po ushtron presion ndaj deputetëve për të mbështetur propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Nga Kuvendi, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të mos i nënshtrohen presioneve politike dhe të votojnë në interes të zonave që përfaqësojnë.
“U bëj thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit e Pukës, si dhe përfaqësuesve të zonave të tjera, që të zgjedhin dinjitetin, karakterin, nderin dhe përfaqësimin e qytetarëve, para Tom Doshit dhe Edi Ramës”, deklaroi Berisha. Kreu i PD-së, u ndal edhe te pasojat politike që do të ketë miratimi i Reformës Territoriale. Ai paralajmëroi se nëse PD rikthehet në pushtet, emrat e deputetëve që do të votojnë pro reformës do të bëhen publike në mënyrë simbolike.
“Propozoj bashkisë Divjakë, Bashkisë Durrës, që të ngrenë që nesër shtyllat e turpit për të shkruar me gërma të zeza emrat e këtyre tradhtarëve të zgjedhësve të tyre”, u shpreh Berisha. Ai kritikoi gjithashtu propozimet që prekin ndarjen territoriale të disa zonave, duke përmendur Divjakën, Klosin, Manzën, Sukthin, Rushbullin dhe Ishmin.
Në përfundim, kreu i demokratëve përsëriti paralajmërimin e tij për deputetët që do të mbështesin reformën: “Nesër PD në pushtet do ngrejë shtyllat e turpit për ju”. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë dhe strukturat shtetërore për atë që e cilësoi si “dhunë e terror” ndaj kryetarit të Bashkisë së Memaliajt, duke e lidhur situatën me rezultatin elektoral të qytetarëve të kësaj bashkie.
