
Në seancën plenare këtë të enjte, në Kuvend nuk do të jenë 23 deputetë të PD-së, pasi janë të përjashtuar për shkak të bllokimit të seancave të mëparshme.
Por PS-ja do të kalojë në votim projektligje me rëndësi të lartë. Projektligji për lojërat e fatit, tashmë i ndryshuar pritet të marrë votën e socialistëve në seancë plenare, duke i hapur zyrtarisht rrugë ushtrimit të këtij aktiviteti vetëm online. PS-ja do të ngrejë kartonin jeshil edhe për projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç përafrimit me legjislacionin e BE, ka si qëllim përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera.
I vetmi ngërç që mund të krijohet është nga dekreti i presidentit për dekoratat, ligji i parë i kthyer për shqyrtim nga Bajram Begaj, i cili kundërshtoi marrjen e kompetencave nga ana e qeverisë për dhënien e dekoratave. Për votimin e këtij dekreti do të duhen 84 vota, që e vetme PS-ja nuk mund t’i sigurojë. Nuk dihet nëse votat do ti japë PD-ja e Bashës.
