
Paulo Dybala doli pozitiv ndaj koronavirusit disa ditë më parë, ndërkohë që tashmë është në karantinë të detyruar së bashku me të dashurën e tij, Oriana Sabatini. Nga izolimi ai ka dhënë një intervistë për kanalin e klubit duke treguar vështirësitë e tij.
“Pas disa simptomave të forta disa ditë më parë, tani jam mirë. Mund të lëviz dhe të bëj pak stërvitje. Kur provoja të bëjë diçka, më merrej fryma pas 5 minutash dhe isha i lodhur. Muskujt i kisha të lodhur dhe duhet të ndalesha. Për fat të mirë, tani unë dhe Oriana jemi më mirë”, tregon argjentinasi nëpërmjet Skype.
Më tej pak shaka për koleksionin e fanellave që ka grumbulluar në shtëpinë e tij.
“Kam shumë fanella edhe me emra të çuditshëm, por të gjithë kanë historinë e tyre. E kam pasion që t’i mbledh. Tre më të veçantat janë: Ajo e Buffonit në 120-vjetorin e Juventusit, si dhe të Messit dhe Ronaldos, dy lojtarë të jashtëzakonshëm”. /R.Lika-Koha Jone/
