
Ertjan Kofsha i ka dhuruar Shqipërisë medaljen e parë të artë në Kampionatin Europian të të rinjve dhe moshës deri në 23 vjeç në peshëngritje, që po zhvillohet në Durrës. Sportisti shqiptar u shpall kampion Europe në stilin e shkëputjes, ndërsa fitoi edhe medaljen e argjendtë në dygarësh.
Kofsha zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në këtë aktivitet europian, duke ngritur me sukses 167 kilogramë në stilin e shkëputjes. Ky rezultat i siguroi medaljen e artë dhe titullin e kampionit të Europës, duke e ngjitur sportistin shqiptar në majën e podiumit.
Në stilin e shtytjes, peshëngritësi kuqezi ngriti 200 kilogramë, por kjo peshë nuk ishte e mjaftueshme për ta bërë pjesë të garës për medalje në këtë disiplinë.
Megjithatë, rezultatet e tij në të dyja stilet i siguruan një tjetër sukses të rëndësishëm. Me 367 kilogramë të ngritur në total, Kofsha u shpall nënkampion Europe në dygarësh, duke fituar medaljen e argjendtë.
Kështu, sportisti shqiptar i shton koleksionit të Shqipërisë dy medalje të tjera në këtë kampionat, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare.
