
FC Tigres po mbyll vitin 2025 si një nga skuadrat më dominuese në futbollin amator, duke vendosur një standard të ri suksesi. Me 16 fitore radhazi, ku 9 janë regjistruar në kampionatin 9×9 dhe 7 në kampionatin e kalcetos 5×5, Tigres ka treguar vazhdimësi, organizim dhe mentalitet fitues në çdo format loje.
Në qendër të këtij projekti të suksesshëm qëndron Etis Hysa, ideatori dhe strategu i skuadrës, i cili ka arritur të bëjë një selektim të kujdesshëm të futbollistëve dhe një sinkronizim perfekt mes tyre. Menaxhimi i grupit, qartësia taktike dhe ndërtimi i një fryme kolektive kanë qenë çelësi i këtij rrugëtimi fitimtar gjatë vitit 2025.
Edhe pse forca e FC Tigres qëndron te loja në grup dhe kontributi i çdo futbollisti, disa emra kanë spikatur në ndeshjen e fundit. Aldi Rama, sulmues potent, shpërthyes dhe i saktë para portës, po konfirmohet si një aset i rëndësishëm i skuadrës. Ndërkohë, Markelian Ozuni, mesfushori nga Prrenjasi, është shndërruar në motorin krijues të Tigres, duke ideuar aksionet dhe duke realizuar super gola me gjuajtjet e tij të fuqishme.
Një tjetër pikë e fortë e skuadrës është sulmuesi Kledi Tola, i cili me fizikun e tij dominues dhe ftohtësinë para portës, është bërë i rrezikshëm në çdo aksion ofensiv. Finalizimi i saktë dhe goli në çdo ndeshje e kanë kthyer Tolën në një garanci për repartin sulmues.
FC Tigres sheh tashmë përpara: viti 2026 pritet të sjellë surpriza, me prurje të reja dhe ambicie edhe më të mëdha, ku objektivi kryesor mbetet fitimi i kampionatit. Për këtë herë u ndalëm te performancat më të spikatura të ndeshjes së fundit; në vijim, do t’ju njohim me të gjithë futbollistët që po ndërtojnë këtë histori suksesi të Tigres.
