
Skënderbeu ka marrë një pikë në transfertë ndaj Vorës, në një sfidë dramatike të javës së pestë të Abissnet Superiores, që përfundoi me rezultatin 1-1.
Vendasit e gjetën golin të parët në minutën e 33-të. Bernard Karrica ekzekutoi saktë një goditje dënimi, duke kaluar Vorën në avantazh. Situata u komplikua për vendasit në pjesën e dytë, pasi në minutën e 63-të Kashari u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Vorën me 10 lojtarë.
Skënderbeu shfrytëzoi epërsinë numerike dhe shtoi presionin në kërkim të golit të barazimit. Megjithatë, korçarëve iu desh të prisnin deri në minutën e 96-të për të gjetur rrjetën.
Pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari akordoi një penallti për Skënderbeun. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Bismark, duke vendosur shifrat përfundimtare 1-1.
Me këtë rezultat, Vora shkon në 4 pikë dhe renditet e teta, ndërsa Skënderbeu mbetet me 3 pikë në vendin e parafundit të tabelës.
