Fati i ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri në dorën e Ilir Pandës, Sokol Sadushit dhe Ervin Pupes
Fati i ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri mbetet në dorën e tre gjyqtarëve të gjykatës së lartë. Ata janë Ilir Panda relator, kurse trupi gjykues plotësohet me Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe . Këta të tre do firmosin se cili do jetë fati i Sajmir Tahirit.
Në fillim shorti kishte caktuar Sandër Simonin, por ky njoftim (lexo me poshtë) e dërgoi dosjen e tij në një short të ri emrash. Ndaj Panda-Sadushi-Pupe do shkruajnë historinë në lidhje me dosjen më të bujshme të këtyre viteve.
Sajmir Tahiri njihet si një prej ministrave më të fuqishëm të PS, dikur mik personal i kryeministrit Rama dhe armik po personal i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Me Veliajn armiqësia vinte se cili do ishte zëvëndësi i Edi Ramës në krye të PS. Deri tani më afër marrjes së PS ndodhet Erion Veliaj. Nëse Tahiri fiton pafajësinë në gjykatën e lartë, atëhere ndeshja në PS merr përmasa të tjera mes Tahirit dhe Veliajt.
NJOFTIMI I GJYKATËS SË LARTË MË 10 QERSHOR
Pas emërimit të 4 gjyqtarëve të rinj në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, bazuar në urdhrin e Kancelarit të kësaj Gjykate, të gjitha çështjet penale ende të pashqyrtuara (mbi 5200 çështje ), që kanë patur si relator gjyqtarin e Kolegjit Penal të emëruar në mars të vitit 2020, janë rishortuar me qëllim shpërndarjen e tyre, në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë gjyqtarëve të këtij Kolegji.
Për shkak të veçorive të natyrës teknike që paraqet përdorimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, në procesin e rishortimit rezulton të jenë përfshirë gabimisht 43 çështje penale, për të cilat trupi gjykuesi mëparshëm, në dhomë këshillimi, ka vendosur kalimin në seancë gjyqësore ose mospranimin e rekursit, vendime të cilat nuk ishin pasqyruar ende në sistem.
Me qëllim garantimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, për të gjitha palët pjesëmarrëse në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe në respekt të qëndrimit të mbajtur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, si edhe praktika e kësaj gjykate, për të vijuar shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore nga i njëjti trup gjykues që e ka shqyrtuar paraprakisht në dhomë këshillimi, është urdhëruar nga Kancelari i Gjykatës së Lartë anulimi pjesërisht i shortit për çështjet penale të sipërcituara. Gjithashtu, janë pasqyruar menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vendimet që janë marrë në dhomë këshillimi për çështjet penale, si edhe relatori i çështjes konkrete.