Forcat speciale ndalojnë dhe dhunojnë kryeredaktorin e gazetës KOHA JONE, Qamil Xhani

Kryeredaktori i Koha Jonë, Mili Xhani, gjatë shoqërimit nga policia

Kryeredaktori i gazetës KOHA JONE, Qamil Xhani është marrë me dhunë nga forcat speciale të policisë këtë të premte, datë 11 dhjetor 2020. Ai u arrestua te hyrja e redaksisë.

Kryeredaktori ishte në redaksi, por ka dalë sapo kanë ardhur makina me sirena policie, të cilët po rrihnin dy minorenë te rrugica e gazetës. Në këtë moment ka ndërhyrë kryeredaktori duke u përpjekur t’i filmojë forcat speciale që po dhunonin minorenët, por policët kanë prangosur menjëherë kryeredaktorin e KOHA JONË.

Ndërkohë që po i vinin prangat, harbutçe, jo vetëm kryeredaktori që i ka sqaruar se jam gazetar, por edhe zv/kryeredaktori Herion Mesi u ka thënë se “është kryeredaktor i gazetës KOHA JONE” duke iu treguar kartën e gazetarit.

Forcat e policisë e kanë tërhequr me dhunë në makinë kryeredaktorin e KOHA JONË duke e goditur në kokë dhe shpinë në furgon.

Më pas botuesi Nikoll Lesi ka telefonuar urgjent drejtorin e policisë së shtetit Ardi Veliu, të cilit ia sqaruar ngjarjen dhe i kërkuar llogari për këtë ndalim mu te dera e redaksisë së KOHA JONË.

Mësohet se celularin e kryeredaktorit policia e ka marrë dhe ka fshirë pamjet.

Kryeredaktori është mbajtur për 30 minuta në ambientet e komisariatit numër dy në Tiranë, se bashku me 50 protestues të tjerë që ishin ndaluar. Në ambientet e komisariatit i është kërkuar të firmosë një deklaratë ku të pranonte se ishte ndaluar për “Pjesëmarrje në tubim të paligjshëm”, ndërkohë që arrestimi dhe prangosja e tij është bërë te dera e gazetës “Koha Jonë”.

Pas më shumë se një ore nga momenti i ndalimit para kryeredaktori u la i lirë, ndërkohë që tha për redaksinë se “dola nga komisariati ku po kërciste druri mbi të ndaluarit”.

Momentet e arrestimit të Kryeredaktorit të “Koha Jonë” Mili Xhani

Në foto: Forcat e policisë te oborri i KOHA JONË

SHKARKO APP