10 ndryshime që Edi Rama duhet të bëjë në mandatin e tretë
Rubrika: Vera e re në fuçinë e vjetër
Nga Roland Qafoku
Çfarë do t’i bëjë këtij superpushteti Edi Rama dhe Partia Socialiste që fituan më 25 prill? Jo vetëm qeverisje të mandatit të tretë. Jo vetëm shumicën në parlament. Jo vetëm të gjithë pushtetin lokal. Por gjithçka tashmë në Shqipëri është pushtet socialist. Atëherë që mandati i tretë të ketë efikasitet dhe të mos jetë formal, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama duhet të bëjë ndryshime në shkallë të gjerë që ta bëjnë atë sa më efikas. Janë të paktën 10 ndërhyje apo lëvizje që kjo mazhorancë duhet të bëjë gjatë mandatit të tretë në mënyrë që këto katër vjet të mos të shndërrohen në qeverisje sa për të kaluar kohën me një superpushtet me të cilin nuk ka çfarë t’i bëj, por një mandat që të tregojë që votën e popullit e ka merituar.
Të japë pushtet për të bërë shtet
Ka mbetur ende e freskët në kujtesën e politikës shqiptare slogani socialist pas fitores së zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997. PS jo vetëm fitoi zgjedhjet duke siguruar shumicën plebishitare pushtet, por nuk e përdori atë vetëm për vete. Kryeministri Fatos Nano nxori nga goja në atë kohë frazën e famshme “të japim pushtet për të bërë shtet”, e cila u përkthye në ndarje pushteti me partitë aleate. Kulmi ishte kur Nano emëroi kryetar Kuvendi Skënder Gjinushin, kryetar i PSD, një parti e vogël. Në kushtet aktuale kur PS ka marrë e vetme shumicën në parlament sigurisht që nuk mund të vendosë në krye të kuvendit përfaqësues të një partie tjetër, por ama duhet të llogarisë që me gjithë këtë pushtet të mos jetë vetëm me socialistë. Në Shqipëri ka jo pak figura që edhe pse i mbështesin forca të ndryshme politike, mund të afrohen të jenë pjesë e pushtetit. Por ka edhe figura publike intelektuale që nuk i përkasin asnjë force politike. Dhe detyra e poste të këtij lloji janë jo pak që nisin nga presidenti i Republikës të cilit vitin tjetër mbaron mandati, pavarësisht nisjes së procedurave për shkarkimin e tij, por edhe Avokati i Popullit, ILDKP, Kontrolli i Lartë i Shtetit e të tjerë.
Reforma politike në dobi të integrimit
Synimi i parë i qeverisjes së PS në mandatin e tretë është hapja e negociatave për anëtarësim me BE dhe më pas anëtarësimi në BE i Shqipërisë. Kjo do ishte arritja më e madhe e politikës shqiptare që pas rrëzimit të komunzimit. Po që të arrihet kjo doemos vendi kërkon bashkëpunim politik mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo ka një dukje shumë të vështirë edhe për kushtet që ndodhet opozita. Por bashkëpunim mes mazhorancës nuk do të thotë doemos bashkëqeverisje. Bëhët fjalë për një akt themelor, atë të integrimit të Shqipërisë dhe si e tillë Edi Rama dhe kjo mazhorancë duhet të gjejë mekanizmat për ta arritur këtë bashkëpunim. Sigurisht kjo nuk arrihet me thirrje formale, por me kërkesë të sinqertë, pa prepotencën e fitores së mandatit të tretë dhe e gjitha në funksionin të një kauze madhore.
Në qeveri edhe figura të djathta
Shumë pak besohet se do ndodhë që PS dhe PD të bashkëpunojnë në qeverisje. Kjo nuk mund të ndodhë për asnjë arsye. Por ama vetë PS dhe kryetari i saj Edi Rama mund të gjejnë figura që vërtetë mbështesin Partinë Demokratike dhe të djathtën por që nuk janë në strukturat e saj. Sa efiakse do ishte që në qeverinë e tretë Edi Rama të bëjë pjesë të kabinetit figura të tilla si Halim Kosova, Ilir Rusmali, Besnik Mustafaj e shumë të tjerë. Kjo do ti jepte shumë kredibilitet Ramës vetë por edhe qeverisjes së tij.
Jashtë qeverisë servilët e Ramës dhe prepotentët ndaj vartësve
Përbërja e qeverisë është ekskluzivitet i kryeministrit Edi Rama dhe vetëm ai e di se cili do jetë ministër në kabinetin e tretë të tij. Por Edi Rama duhet të dijë që në përbërje të kabineteve të deritanishme ka patur edhe figura jo shumë popullore deri edhe të urryera. Edi Rama ka aftësinë të kuptojë cili ministër bën servilin me të dhe prepotentin me të tjerë. Epo këta syresh nuk duhet të jenë më ministra. Ata janë turpi i Ramës, por edhe i gjithë shtetit tonë. Vetëm dy vjet kishte Rama kryeministër kur u dërgoi një letër ministrave që sipas tij i kishte zënë pushteti dhe kishin turkun në kokë dhe në bark. Imagjinoni se çka ndodhur me kësi tipash pas tetë vitesh? Në fakt vetë kryeministri ka thënë se nuk do ketë më ministra që do qendrojnë në detyrë më shumë se 5 vjet. Kjo do ishte një gjë shumë e mirë dhe me një llogari i bie që një numër ministrash duhet t’i thonë lamtumirë qeverisë. Kabienti ka nevojë për freskim por edhe një ndërthurje e përvojës me energjitë e reja. Por ama, jo kurrë më në kabinet persona që i thurin lavde Ramës dhe më pas gjithçka në mënyrën e funksionimit të tyre është prepotente. Këta nuk i duhen askujt.
Jo më drejtorët që kanë turpëruar shtetin
Në një nga daljet e fundit kryeministri Edi Rala lajmëroi se në qeverisjen e mandati të tretë prioritet i tij do jenë largimi nga detyra i atyre drejtoëve që kanë abuzuar me pushtetin dhe nuk kanë qene afikasë. Një e drejtë që mund të ndryshonte vetëm rokada e pushtetit. Në një situatë që PS mori mandatin e tretë këtë tipa drejtorësh nëse do vijojnë të jenë në atë detyrë, kjo do ishte vetëm një çmenduri. Ka drejtorë që kanë abuzuar aq shumë me detyrën sa këtë e pranon edhe vetë me gojën e tij kryeministri. Por çduhet të bëjë me ta dhe me kë duhet ti ndryshojë? Shqipëria ka plot potenciale që ta trajtojnë detyrën e drejtorit jo si çiflig por si një shërbim ndaj qytetëreve.
Një admministratë profesioniste
Ky duket se pritet të jetë basti i Edi Ramës. Në një administratë me afro 150 mijë nëpunës, mazhoranca ka rastin, madje edhe luksin, ta reformojë drejt profesionalizmit. Dhe ç’është më interesantja edhe këtë defekt kryeministri Edi Rama e pranuar vetë. Por e thëna nga e bëra janë shumë larg. E para që duhet të bëjë kryeministri është së pari të zhdukë nga administrata ata syresh që nuk shkojnë në punë dhe marrin rrogën. Ky është turpi më i madh që ndodh në shtetin shqiptar. A është në dijeni kryeministri? Sigurisht që e di, por asnjëherë nuk ka ndërhyrë. Ndoshta për arsye të krijimit të qefmbetjeve që përktheheshin në vota, apo edhe arsye të tjera, reforma në administratë është shtyrë “për një kohë tjetër”. Por këtë herë kjo Edi Ramës nuk i falet. Emërime në administratë nga deputetë dhe ministra, të afërm të tyre dhe që nuk shkojnë në punë, duhet të jetë sfida e madhe në radhë të parë me veten dhe më pas me vartësit e tij. Motra e ministrit, vëllai i deputetit, djali i zëvendësministrit, mbesa e kryebashkiakut, kushërira e drejtorit e të tjerë e të tjerë, që të vetmen meritë kanë se janë të tyre, nuk mund të jenë më pjesë e administratës. Këta lloj janë turpi i PS, turpi i mazhorancës, por mbi të gjitha janë turpi i shtetit shqiptar. Ah sa për ata që janë diplomuar jashtë, jo doemos, duhet të jenë pjesë e administratës. Shqipëria ka vërtetë nevojë që pjesë të administratës të jenë ata që janë studiuar jashtë, por së pari ata të vinë nga univeristete të mira, që janë diplomuar po me rezultate të mira dhe mbi të gjitha e meritojnë postin për efikasitetin që kanë në punë. Dhe e fundit por jo për nga rëndëisa, pjestarët e administratës duhet të kenë si kusht që duhet të shkruajnë dhe flasin mirë gjuhën shqipe. Shkresa zyrtare që na kujtojnë shqipen e Gjon Buzukut duhet të jenë tani e tutje pjesë e arkivimit. Ndryshe, një zyrtar që nuk njeh gjuhën shqipe dhe e shkruan atë keq, nuk duhet të jetë më pjesë e administratës. Kjo trupë duhet të jetë efikase, profesioniste dhe rezulatative dhe në shërbim të njerëzve, ndryshe kjo do ishte një dështim i madh i Edi Ramës.
Kantiere dhe jo më projekte në 3D
Unë kam tetë vjet që pres të ndërtohet një ishull në lumin Osum në Berat. Ishte shumë i bukur për be, projekti 3 D që paraqiti kryeministri Edi Rama në fillim të mandatit të parë në atë qytet. Por si ishulli i Osumit gjatë këtyre tetë viteve ka patur shumë projekte të bukura të shfaqura po në verisonin 3 D. Në mandatin e tretë Edi Rama vetë edhe qeveria duhet të heqë dorë nga projektet në letër dhe në projeksione të shfaqura në led ëall. Që nga shtatori Shqipëria duhet t’i ngjajë një kantieri të madh ndërtimi të patkën siç ka premtuar edhe vetë Rama dhe projektet në letër nuk duhet të shfaqen më. Tuneli i Llogarasë, rruga e Arbrit, autostrada e kaltër e të tjera projekte që duhet të përfundojnë në afate brenda këtij mandati që nis në shtator. Të tjerat janë vetëm fjalë.
Luftë reale serioze krimit
Basti i basteve të qeverisë së mandati të tretë duhet të jetë lufta ndaj reale ndaj krimit. Atij krimi që ditët e fundi ka dalë mbi ujë dhe po sfidon shtetin. Është mirë që ky shtet forcon rregullat e qarkullimit rrugor dhe vendos gjoba të rënda edhe për parkim të gabuar në rrugicat e lagjeve. Por kjo duhet bërë në përpjestim të drejtë me fuqinë e krimit. Policia nuk mund të vendosë gjobë të rëndë një shoferi që ka parkuar gabim makinën dhe të bëjë indiferentin kur disa të rinj luajnë me armë në një lokal në mes të Tiranës. Ky është koncepti më i gabuar i mënyrës së funksionuar të luftës ndaj shkeljes së ligjit. Vrasjet që janë rritur ditët e fundit duhet të marrin fund dhe strukutrat e policisë dhe të qeverisë duhet të kenë primar këtë luftë sidomos atë të krimit të organizuar që sjell gjithnjë krime të rrugës. Dhe për këtë kryeministri Rama në bashkëpunim edhe me drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu duhet të bëjnë jo pak ndryshime. Drejtorë qarqesh dhe sheaf komisariatesh që nuk kanë rezultate apo më keq nuk ndërhyjnë kur policët bëhen bashkëpunëtorë me krimin, nuk duhet të jenë më në ato detyra.
Luftë reale korrupsionit
Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të quhet kurrë e suksesshme kur shigjeton dhe godet funksionarët e dikurshëm të opozitës. Sukses është kur qeveria godet veten e vet. Godet ministrat, ish-ministrat, drejtorët dhe ish-drejtorët që kanë abuzuar dhe janë bërë pjesë e korrupsionit. Edi Rama nuk e bëri këtë gjatë dy mandate, por ka rastin që ta arrijë këtë sukses në mandatin e tretë. Që nga vitit 2013 kur PS erdhi në pushtet nuk kemi parë asnjë rast kur një ministër, apo drejtor i rëndësishëm të përfundojë matanë hekurave sepse abuzoi me paratë e shtetit, ky mandat është imperativ në këtë fushë.
Raporti me median
Sipas raporteve të fundit, Shqipëria ka bërë hapa prapa me lirinë e medias. Në progress-raportin e Parlamentit Evropian të 29 marsit të këtij viti shkruhej: Dënojmë dhunën, intimidimin, fushatat e shpifjes dhe presionin e tërthortë politik dhe ekonomik drejtuar gazetarëve, që cënojnë seriozisht lirinë e medias, nxisin vetë-censurën dhe minojnë rëndë përpjekjet për të nxjerrë në dritë krimin dhe korrupsionin”. Ky është një nga raportet më të këqia ndërkombëtare të qeverisë Rama. Atëherë ç’duhet të bëjë kjo qeveri? Sigurisht që edhe vetë Rama dhe vartësit e tij e dinë këtë por më e rëndësishme është se nuk duhet të diktojnë në media. Nuk mund ta fshehim këtë diktim dhe një gjë e tillë duhet të marrë fund. Dikush mund ta justifikojë këtë që këtë e bën edhe opozita, por raportet bëhen për qeverinë dhe jo për opozitën. Kjo duhet të marrë fund.
Gazeta Fjala.al