10 ngatërresat me fjalën reformë….
Nga Lutfi Dervishi
Nëse do të kishte dënim për keqpërdorim të fjalës reformë- jo burgjet e Shqipërisë, por as ato të Rusisë nuk do të kishin kapacitet për të mbajtur fajtorët.
Reformë është fjala më e (sh)përdorur në epokën 25 vjeçare të tranziconit. Por sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet abuzimi me “reformën”. Edhe në google po ta vendosësh fjalën e gjorë… të dalin menjëherë mbi 10 sugjerime: reformë në drejtësi, reformë në arsim, reformë në bujqësi, reformë në shëndetësi, reformë në ekonomi, reformë sport, reformë zgjedhore, reformë në tatime, reforma e pronësisë, reforma në biznes…etj
Abuzimi me fjalën reformë nis nga aksionet dhe fushatat.
1. Fushata dhe reforma
Gjatë muajve të fundit kemi dëgjuar nisjen e shumë fushatave/aksioneve, lojërat e fatit, aksion për ndërtimet pa leje, aksioni antiformalitet etj. Fushatat dhe aksionet si rregull kanë një ditë nisje me shumë bujë dhe shuhen si uji i dalë nga shtrati që kthehet sërish aty ku ishte…
2. Zbatimi ligjit dhe reforma
Nëse një njeri nuk pi duhan në ambientin ku nuk lejohet, nëse dikush paguan në rregull faturën e dritave dhe të ujit, nëse dikush nget makinën duke zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor, nëse shitësi të jep kuponin tatimor, – këtu kemi të bëjmë me zbatimi ne ligjit. Janë të lavdërueshme dhe të duartrokitshme në çdo kohë, përpjekjet dhe rezultatet e arritura, një pjesë shumë të dukshme , por nuk kemi të bëjmë me reforma. Thjesht po zbatohet ligji dhe këtu nuk po shpikim rrotën.
3. Seminari dhe reforma
Janë dhjetëra lajmet që në mënyrë të përsëritur kumtojnë çdo ditë fjalën reformë nga tryezat e seminareve, workshopeve, dhe duket se reforma është një proces që nis në orën 10:00 në hotel Tirana dhe përfundon në 19:30 në edicionin kryesor të lajmeve.
4. Konferenca e shtypit dhe reforma
Lexo pikën 3.
5. Gjobat dhe reforma!
Projektligji ri për procedurat tatimore ka edhe fjalën burg! Gjobat e larta që si rregull shtojnë korrupsionin, po mendohen si zgjidhje për të mbushur arkën e shtetit! Mjaftojnë dy gjoba dhe një biznes të vogël të mbyllë qepenat për të mos i hapur më! Qëllimi gjobave është të mbushë arkën e shtetit dhe të disiplinojë biznesin e vogël… Por gropat në buxhet, siç e tregojnë edhe shifrat hapen ën dogana dhe tatime! Duke përdorur një metaforë të vjetër, qypat me vaj ikin në dogana dhe ushtria e isnpektorëve vrapon pas kokrrës së ullirit në tezgat e tregut çam!
6. Kasa fiskale dhe reforma!
Për shtatorin për shembull u raportuar një rritje e frikshme e numrit të kuponave tatimorë të lëshuar nga biznesi! Vuuuu, propaganda dhe një togfjalësh që sa herë e dëgjoj më dalin dhëmbët jashtë: ‘po bëjmë shtet’!!! E vërteta, janë rritur kuponat, por janë arkëtuar më pak lekë! Tani merre kuponin futet në ujë të zier, lëre 30 minuta dhe jepja si çaj çdo mëngjes drejtoreshës së tatimeve!
7. Shifrat dhe reformat…
Mark Tweni thotë se shifrat i kemi në dorë, problem janë faktet!
Ka edhe raste kur shifrat janë kokëfortë: psh për 9 muaj vetëm në Gjermani kanë kërkuar azil 45 mijë shqiptarë! Por edhe për këtë e kemi përgjigjen e gatshme: ‘janë shqiptarë që kanë ikur nga Greqia’! Sikur kjo të ishte e vërtetë, nuk do t’i kthenin në Rinas, por në Athinë!
8. Premtimet nuk janë reformë!
Premtimet për 300 mijë vende pune, për ulje të çmimit të energjisë, për uljen e TVSH-së për ushqimet, për…. I ka marrë era që në momentin që kanë dalë nga goja! Ajo që të bezdis është deklarimi se ke i hapur 120 mijë vende pune! Se si mund të hapen 120 mijë vende pune, kur ekonomia rritet 1% kjo mbetet misteri më i madh pas UFO-ve, ose biem dakord për shifrën 120 mijë nëse qeveria kërkesën për azil e quan hapje vendi pune!
9. I fortë me të dobëtin…
Kemi kryer kaq arrestime, kemi futur në burg kaq persona, kemi ndëshkuar kaq e aq…. E vërteta lakuriqe është se në të gjithë aksionet e nisura janë ndëshkuar të dobëtit, të varfrit, të pamundurit…
10. Facebook dhe reforma!
Ka një garë të anëtarëve të qeverisë se kush poston foto dhe grafikët më të mirë! Çdo ditë! Dhe më e bukura kur nisin i bëjnë lajka dhe shpërndajnë postimet e njëri tjetrit…sikur qeveria të kishte në jetën e përditshme të njëjtën përkushtim që ka ndaj realiteti virtual! Atëherë po, fjala Rilindje nuk do të mbetej vetëm fjalë!
Për herë të parë në këto 20 vjet
Kjo është shakaja më e madhe që shqiptohet tërë seriozitet! Retorikë që përsëritet kudo, mirë në Kuvend dhe në media, por harrojnë dhe ua thonë edhe të huajve që nuk janë shumë familjarë me estradën politike këtu! Pyetja sot është e thjeshtë: një njeri që shkon në spital, është më mirë sot apo 3 vite më parë? Biznesi ndihet më mirë sot apo 3 vite më parë? Njerëzit kanë më shumë shpresë sot apo tri vite më parë?!
Shtet do të thotë sundim i ligjit për të tërë, rregulla të barabarta, gjykata të pavarura, transparencë, llogaridhënie, media e lirë, dhe institucione të pavarura!
Po reforma?
Reforma – ishte loja, – thuhej tek ‘Dueli heshtur’!
Syri.net