Analizë mbi shifrat, përkundër propagandës të papërgjegjshme qeveritare*
Nga Bujar Nishani/
Ndërsa situata përkeqësohet prej virusit, qeveria shqiptare ndryshe nga çdo qeveri tjetër në vendet e prekura konsumon kohën që është një prej “ilaçeve” të mundëshme sot në lehtësimin e situatës me sulme ndaj opozitës dhe mallkime ndaj qytetarëve.
Prej ditësh opozita propozon masa konkrete dhe ofron ide konkrete të këtyre masave, por qeveria vijon jo vetëm ti injorojë propozimet e arsyeshme të opozitës por merr kohën e çmuar të tallet me to e të fyejë opozitën.
Ndërkohë jeta e qytetarëve shqiptarë përkeqësohet nga dita në ditë dhe rreziku nga infektimi rritet në përmasat e vendeve më të goditura.
Dy tregues janë evidentë në këtë situatë në Shqipëri.
1- Propaganda e gënjeshtërt qeveritare dhe
2- Situata kritike e shëndetit të qytetarëve që po përkeqësohet.
Propaganda shkon përtej asaj qesharakes që improvizon kryeministri i vendit me mizanskena, batuta, hakërrime.
Ajo shkon atje ku nuk duhet toleruar pasi shndërrohet në rrezik evident për jetën e shqiptarëve..
Monitorimi i situatës, në këtë rast me testime, tek individët vunerabël dhe grupet e historikut të të sëmurëve është në situatën e propagandës dhe jo seriozitetit.
Përtej rastit kur një media investigative demaskoi prezantimin e gënjeshtërt të kryeministrit i cili e paraqiste Shqipërinë si rastin më të mirë të testimeve të bëra krahasuar me vendet e rajonit tonë, le ti referohemi shifrave të vetë qeverisë të cilat nxjerrin zbuluar propagandën e saj të gënjeshtërt.
Referohemi dy prej raportimeve të bëra nga qeveria mbi testet e bëra.
Në njërin rast raporton se në 45 testime ka identifikuar 15 raste të infektuara, pra i bie që 33% e qytetarëve dolën të infektuar.
Në një rast tjetër në 35 testime ka identifikuar 13 raste të infektuar pra i bie 37% e qytetarëve të infektuar.
Po të bëjmë një krahasim të këtij proçesi me vendet e rajonit tonë shohim se Serbia në 374 testime ka rezultuar 72 raste të infektuara, pra 19% e tyre.
Në Bosnje-Hercegovinë në disa raste të raportuara kemi ; (117 të testuar me 9 të infektuar, pra 7,6% e tyre, në rastin tjetër 54 të testuara dolën 3 të infektuar, pra 5,5 % e tyre dhe në rastin tjetër 74 të testuar me 4 të infektuar, pra 5,4 % e tyre).
Në Malin e Zi, në 104 të testuar, rezultuar 22 të infektuar, pra 21,5 % e tyre.
Duket pra qartë se situata e përhapjes në Shqipëri (sipas algoritmit, që pëlqen të artikulojë kryeministri ) është shumë më e rëndë se në vendet e tjera të rajonit.
Kjo e ka arsyen e saj, tek mungesa e reagimit ndaj të ardhurve në Shqipëri nga Italia, por sot ajo nuk ka më vlerë, sot papërgjegjshmëria ka kaluar tek mungesa e testeve të nevojshme për ta izolouar virusin sa më shumë.
Pjesa e dytë, ajo e përkeqësimit të situatës në Shqipëri duket tek % e vdekshmërisë në raport me të identifikuarit si të infektuar.
(informacionet e mia të verifikuara tregojnë për vdekje të paraportuara nga qeveria).
Në Shqipëri, sipas raportimeve zyrtare te deritashme vdekshmëria në raport me të identifikuarit është shumë e lartë, 4,7%. Ndërkohë në rang botëror ajo është 4,3%, shifër që është e tillë për shkak të % së lartë në Itali dhe Spanjë.
Shqipërisë deri tani ja kalojnë në këtë mortalitet vetëm Italia, Spanja dhe Irani.
Në të gjitha vendet e tjera vdekshmëria është më e ulët se 4,7%.
Kështu Kina e ka 3,6 % , USA 1,1%, ndërsa në rajonin tonë ; Greqia 2,4%, Kroacia 0.3%, Serbia 0,8%, Maqedonia Veriut 1,4%.
Duke analizuar vetëm këto dy tregues kuptohet fare mirë se propaganda e gënjeshtërt ndaj qytetarëve dhe sulmet e ulta politike ndaj opozitës nuk janë as puna që duhet të bëjë qeveria dhe as masat e nevojshme që duhen marrë për të lehtësuar sa më shumë rrezikun.
Çdo ditë që kalon nuk kthehet më !
Çdo mungesë e veprimeve të duhura dhe paaftësi për të identifikuar masat e nevojshme do ti shtojë armiqtë ndaj shqiptarëve në këtë përballje me të keqen.
*Të dhënat janë marrë nga statistikat e buletinit të OBSH dhe vendeve përkatëse të dt. 23 mars 2020/ Të ringremë Shqipërinë