Pushtete autokratike me vel demokracie si vel nusërie…

Nga Tonin Çobani –
E përgëzova me një SMS të shkurtër mikun tim Agron Gjekmarkaj për shkrimin e publikuar sot lidhur me shqiptarët që qeveria e tyre nuk po i lë të shkojnë nëpër shtëpitë e veta, qoftë edhe për t’u vetëkarantinuar, si të gjithë shqiptarët e tjerë kanë bërë gjatë kohës së shtetrrethimit të madh, pavarësisht se kaluan të vetizoluar shtatë e katërmbëdhjetë dit, e nuk dihet se sa do të zgjasë pritja e tyre për fare pak liridalje në natyrë.
Sot nuk po merret vesh ku mbaron Kovid-19 dhe fillon politika , ku mbaron politika dhe fillon krimi. Sido që t’i hedhësh, ata janë të tre kulmet e një trekëndëshi (si ai i Bermudeve) që mbetet i njëjtë dhe agresiv pafundësisht. Është e kotë të shkërmoqësh numrin tre. Ai është i pjesëtueshëm veç me veten e vet. Përndryshe shumëfishat e tij të bllokojnë mushkëritë. Nuk është politika ajo që i agravoi viruset. Është krimi. Nuk është as ekonomia. Është përsëri krimi. Gjithmonë krimi.
Nuk ka faj as Kovidi pse e gjet të papërgatitur sistemin shëndetësor në Shqipëri e gjetke nëpër Evropë e më përtej. Është krimi dhe vetëm krimi që nuk do t’ia dijë as për të drejtën e të tjerëve për të jetuar, as për sisteme shëndetësore e as për politika qeverisëse apo, siç e quan opozita, keqmenaxhim, PPP apo tenderim. Është krimi më i keq se keqmenaxhimi, PPP-të dhe të gjitha tenderat e paligjshëm të marrë së bashku. Krimi njeh vetëm menaxhimin e vet, PPP-të dhe tenderat e veta. Ata e bëjnë më krenar dhe më të fortë deri në thellësi.
Edhe politika nuk është keqmenaxhim. Nuk është as mbyllja e bizneseve të vogla (e të mëdha) apo falimentim i tyre. Është ende më keq. Krimi i ka vënë pritë kudo njeriut të virusepsur ose në pritje të virusepjes. Ashtu si virusi nuk do të ketë më ku të zhvillohet, kur Kovid-19 do të mos ketë më ku të përhapet, atëherë krimi do të thotë ç’i bëra vetes. Atëherë edhe Trekëndëshi i Bermudeve nuk do t’i ketë më misteret e veta.
Ndoshta pandemia është prova jonë, prova e ne shqiptarëve. Të shpërndarë në katër shtete nën pushtetin e katër e më shumë qeverive. Pushtete autokratike me vel demokracie si vel nusërie, prandaj, siç e thua ti miku im, nuk ndodh asgjë…

SHKARKO APP