Veza dhe pula. Drejtësia dhe demokracia
Nga Eduard Zaloshnja
Teksa është diskutuar shumë për 2/3, 3/5, dhe “vendet e rezervuara” të reformës në drejtësinë shqiptare, janë dëgjuar në mediat tona edhe zëra (më i shquari ndër ta Lubonja), që i mëshojnë idesë se, për sa kohë zgjedhjet në Shqipëri nuk sjellin në pushtet forca të reja vërtet demokratike, sado e mirë të bëhet reforma, ajo s’do të ketë vlerë. Në fakt, këto janë vetëm zëra, sepse nuk bëhet fjalë për një debat të mirfilltë rreth kësaj teme.
Në thelb, kjo është një pyetje filozofike e tipit “Cila ka ekzistuar e para, veza apo pula?” Dhe pas dështimeve të disa përpjekjeve demokratizuese në një sërë vende të botës, janë shtuar mendimtarët botërorë që i mëshojnë më shumë një drejtësie të pavarur nga politika, sesa zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Francis Fukuyama, ndoshta filozofi politik më i lexuar sot në botë, ka shkruajtur dy vëllime me nga 550 faqe rreth kësaj teme (seria Rendi Politik). Përfundimi kryesor në të cilin arrin Fukuyama, pasi analizon shtetet e ndryshme në 3000 vjetët e fundit, është se demokracia mund të lulëzojë vetëm në vende ku sundon ligji (por nuk sundohet përmes ligjeve), dhe ku administrata shtetërore është e ndërtuar në bazë të meritokracisë. Përndryshe, shkruan ai, demokracia s’është veçse një garë mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për të shfrytëzuar vendin në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata.
Edhe Fareed Zakaria ka shkruar dy libra rreth kësaj teme (Bota post-amerikane dhe E ardhmja e lirisë). Ai arrin në përfundimin se mund të flitet për demokraci liberale vetëm kur sistemi i drejtësisë funksionon i pavarur nga pushteti politik dhe kur ai shërben si një kontrollues dhe balancues i ekseseve të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë. Përndryshe, shkruan ai, kemi të bëjmë me një demokraci iliberale. Sipas Zakarias, demokracia liberale filloi të lulëzonte në Britani para 250 vjetësh, sepse atje ekzistonte një drejtësi e e rreptë dhe e pavaraur – edhe pse vetëm 5% e popullsisë kishte të drejtë vote atëherë.
Paddy Ashdown, ish-guvernatori de fakto i Bosnjës, duke reflektuar mbi përvojën e atjeshme, pas Marrveshjes së Dejtonit, ka shkruar se Perëndimi shpenzoi shumë para për të zhvilluar partitë, shoqërinë civile dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në Bosnjë. Dhe pati sukses në këtë drejtim. Partitë e OJQ-të u fuqizuan, dhe zgjedhje të lira e të ndershme u zhvilluan disa, duke prodhuar rrotacione pushteti, si në nivel qendror edhe lokal. Por korrupsioni dhe krimi i organizuar rritej nga viti në vit, me fuqizimin e partive dhe të OJQ-ve, si dhe me ndërrimet e pushtetit. Do të kishte qenë më mirë, ka thënë Ashdown, që të kishim shpenzuar një fraksion të parave që shpenzuam, për të përgatitur 10 prokurorë e 10 gjykatës të aftë e të ndershëm, që të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë mënyrë do të kishim hedhur themelet për ngritjen e një demokracie liberale.
Rreth kësaj teme jo vetëm është shkruar, por edhe është vepruar. Në shtete si Rumania, Kroacia, Bullgaria, Ukraina, Guatemala e Hondurasi, ku BE dhe/ose SHBA kanë interesa jetike për të ndërtuar demokraci liberale, Perëndimi ka ndihmuar fuqimisht për ngritjen e njësive speciale të hetimit dhe të akuzës, për të vënë pas hekurave figura shumë të larta politike, të korruptuara ose të lidhura me krimin e organizuar. Bazuar në këtë përvojë, SHBA dhe BE po ngulmojnë fort që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri.
Në kushtet aktuale, sado të lira e të ndershme, sado elektronike e biometrike të bëhen zgjedhjet vitin që vjen, PS-ja mbetet në pushtet, nëse LSI-ja nuk ndahet nga PS-ja. Ndërsa nëse LSI-ja ndahet nga PS-ja, PD-ja mund të vijë në pushtet me ndihmën e LSI-së, dhe pavarshisht lindjes së ndonjë partie të re.
Duke patur parasysh ekuacionin e mësipërm elektoral, edhe vendi nuk do të ketë ndonjë përfitim imediat nga zgjedhjet e reja. Nëse koalicioni PS-LSI nuk prishet, ai do të mbesë në pushtet, pavarsisht se sa të lira e të ndershme bëhen zgjedhjet. Ndërsa nëse LSI-ja rikthehet te koalicioni PD-LSI, ne do të rishohim një qeveri të ngjashme me atë të para tre vjetëve.
Siç ka thënë Fukuyama, në një vend ku nuk sundon ligji, demokracia s’është veçse një garë mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për të shfrytëzuar vendin në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata…
Respublica.al