Red Varaku: Lista e Ramës, listë detyrimesh ndaj bandave
Nga Red Varaku:
Lista e Ramës, listë detyrimesh ndaj bandave
Rama ka nisur spektaklin e prezantimit të kandidatëve për deputetë. Ajo që bie menjëherë në sy është fakti, që edhe këtë akt thellesisht politik, ai konsideron thjesht dhe vetëm një operacion piari pa substancë, një përpjekje për të mbuluar problemet e brendshme të kësaj partie, të cilat po dalin në sipërfaqe pikërisht tani.
Mjaftojnë emrat e blerjeve dhe largimeve të deritanishme për të kuptuar se Edi Rama është i pafuqishëm të ndryshojë substancën dhe po futet në këto zgjedhje me këmbë të lidhura.
Është e tmerrshme që një parti e madhe me histori dhe plot personalitete, të katandiset të ofrojë një listë, e cila tregon se sa peng i të shkuarës dhe llogarive të vogla është ai sot.
Me gjithë këtë rrumpallë ajo që bie në sy është heshtja dhe mungesa e një reagimi në PS. Kjo heshtje reflekton më së miri një shumicë të heshtur, e cila ndryshe nga opozita, ku shikojmë shpesh reagime, aty po hesht dhe pritet të hakmerret pa zhurmë dhe kjo mbase nuk duket, por ndjehet kudo.
Të gjithë kandidatët që pritet të vendosen në listë as në ëndërr nuk e kishin menduar që do të ishin kurrë në ndonjë listë partie, e jo më në PS, sikur Rama të mos kishte detyrime ndaj klaneve që ata përfaqësojnë.
Në të 12 qarqet e Shqipërisë e gjitha është kthyer një përleshje klanesh, që nuk respekton asnjë strukturë partie, një amalgamë të fortësh dhe idiotësh, një rezistencë e klaneve të korruptuara dhe bandave kriminale që kërkojnë garanci dhe që shpresat i kanë tek blerja e votave.
I dyzuar mes faktit nëse duhet të bënte një listë politike fitimtarësh apo një listë detyrimesh ndaj bandave, Rama ka vendosur pa mëdyshje të plotësojë listën e detyrimeve ndaj grupeve kriminale që po e mbajnë në pushtet dhe me të cilët ka marrë dhe mbajtur pushtetin, pavarësisht blerjeve mediatike si Bozo apo Çomo.
Është kjo arsyeja që të gjitha llogaritë elektorale apo sondazhet për mandatet e mundshme nuk kanë asnjë vlerë.
Shumica e heshtur brenda PS-së, ajo që nuk ndjen veten të përfaqësuar në asnjë kriter mbi të cilin janë ndërtuar listat në këtë parti, është dhe shumica politike e asaj partie.
Sipas informacioneve dhe emrave të larguar deri tani, jashtë listave po lihen kontributorët moralë të kësaj partie. Lista e deritanishme dëshmon problemin më të madh të PS, faktin që ajo ka mbetur peng i krimit dhe grupeve kriminale pa të cilat nuk bën dot asgjë.
Edhe pse e di mirë që humbjen e ka të sigurtë pikërisht për shkak të bashkëpunimit me këta individë , ai nuk ka rrugë tjetër, sepse nëse i largon sot, PS rrezikon të dalë forcē e tretë.
Për këtë arsye lista e Ramës duket se nuk do të jetë as listë fitoreje dhe as listë humbjeje, por listë borxhesh dhe detyrimesh. Me këtë qëndrim që nuk reflekton nevojën për të ndryshuar, rezultati i PS jo vetëm që nuk do jetë pozitiv, por kjo qasje pritet që të shkaktojë një humbje historike .