13 me 12

Nga Ilva Tare

Në këto 25 vjet përpjekje për të ndërtuar demokraci, pas rënies së komunizmit, shqiptarët kanë votuar dhe shpresuar tek dy kampet më të mëdha politike në vend për një qeverisje më të mirë se e mëparshmja. Që prej vitit 1991, e djathta ka mbajtur pushtetin për 13 vjet, përfshi edhe katër vitet me aleatin e majtë LSI. Ndërsa e majta ka kontrolluar pushtetin e vetme me përçarjet dhe betejat e saj me klientelizmin dhe korrupsionin për 12 vjet. Edhe e djathta ka pësuar çarje ndër vite, por asnjë nga të larguarit e djathtë nuk ka arritur të jetë një Ilir Metë. Përfaqësuesit politikë të shkëputur nga Partia Demokratike nuk kanë arritur të prodhojnë rezultat domethënës në elektorat duke mos qenë frymëzues dhe të besueshëm si një alternativë ndaj partisë së kontrolluar me dorë të hekurt nga Berisha. Edhe ish­Presidenti Topi që formoi një parti të djathtë ju desh të hynte në koalicion me të majtën për të mbijetuar.

Shkaqet për këtë realitet, politikanët e partive të krijuara si rezultat i shkëputjes nga partitë mëmë i kanë kërkuar te sistemi elektoral, i cili sërish arriti të thyhej nga Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Kapërcimi i Metës në gardhin e pushtetit me PD­në në 2009 ishte një lëvizje sa historike aq edhe gjurmëlënëse në krijimin e idesë se për të ardhur në pushtet duhet të kesh LSI­në me vete. Këtë bëri edhe Edi Rama në 2013­tën, duke gëlltitur gjithçka kishte bërë dhe thënë për ish-mikun e tij të rigjetur dhe duke u kritikuar ashpër për shkelje të moralit dhe parimeve, me të cilat kishte premtuar se do ta ndërtonte “Rilindjen” e tij.

Ditët e para të Gushtit kur politika dhe qytetarët duhet të ishin pushim, diçka po lëviz në pllakat

tektonike të pushtetit. Hatërmbetje të Metës me Ramën pas zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe takimi

Rama­Nano i pakonfirmuar zyrtarisht, por i bazuar tek burime, ka shkaktuar një debat publik në media dhe rrjete sociale. Edhe hipotezat për një përçarje të koalicionit PS­LSI apo ringjallje të koalicionit PDLSI po hidhen në treg si të mundshme nga analistë e botues të afërt me të tri partitë në fjalë. Ajo që nuk po debatohet është dobishmëria që mund të prodhojnë koalicione të tilla, nisur edhe nga gjykimi i së shkuarës.

Pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, Shqipëria ka pasur të njëjtat sëmundje, që tanimë janë kthyer në gangrena të pashërueshme. Nga drejtësia e korruptuar, shëndetësia e rrjepur deri në palcë nga afera korruptive, administrata e përdorur si mos më keq politikisht, si një leckë që ka fshirë pluhurat e defekteve të qeverisjes së radhës. Pa harruar arsimin dhe diplomat fiktive, shërbimet publike, nivelin e lartë të informalitetit, korrupsionin në dogana e tatime, dhe plagën më të rëndë të këtyre 25 viteve mungesën e llogaridhënies së qeveritarëve. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur vetëm në 13 vitet e sundimit të demokratëve apo edhe në 12 vitet e socialistëve. Të gjithë bashkë, kanë kontribuar që hallet e shqiptarëve të ziejnë në të njëjtin kazan pavarësisht partisë në pushtet dhe emrit të Kryeministrit të radhës.

Prandaj, debatet e së enjteve janë më së paku qesharake, ku me lehtësinë më të madhe deputetët

gishttregojnë si fajtorë për stadin problematik të zhvillimit të vendit palën kundërshtare. Asnjë nga kampet nuk e ka të drejtën morale ta bëjë këtë dhe nëse u ka mbetur ndonjë fije dinjiteti as nuk duhet të rreken ta luajnë këtë kartë. Edhe shifrat dëshmojnë në mënyrë kokëforte se përgjegjës janë si PD ashtu edhe PS, sikundër edhe LSI.

13 me 12 është një thuajse barazim i të qenurit përgjegjës për faktin që Shqipëria sot është ndër të fundit në rajon që qëndron në stolin e pritjes për hapjen e negociatave. 13 me 12 është dëshmi e faktit se klientët e pushteteve nuk kanë ndryshuar pavarësisht ngjyrës së logos fituese. 13 me 12 është fatkeqësisht balanca e papërgjegjshmërise dhe përgjegjësisë që duhet të mbajnë përpara qytetarëve dhe sidomos përpara drejtësisë politikanët që kanë abuzuar me të drejtën për t’i shërbyer publikut. 13 me 12 është një histori suksesesh të vogla, përpara dështimeve të mëdha.

Debatet e sotme se me kë duhet të bëhet PD­ja apo PS­ja për të mbajtur pushtetin duhet të

frymëzohen nga fakti se cfarë kanë prodhuar koalicionet e mëparshme dhe sa imune kanë qenë ndaj fenomeneve negative që kanë pengmarrë rrugëtimin europian të vendit. Nëse aleancat shihen si mundësi për t’u ngjitur në majën e pushtetit për të vazhduar punën e lënë përgjysëm të vjedhjes së pronës publike dhe abuzimit me ligjin ato janë të pavlefshme dhe të dëmshme për fatet e Shqipërisë.

Vendi ka nevojë për politikanë që japin shembuj personalë ndershmërie dhe kontributi të vlefshëm. Ka nevojë për parti që frymëzojnë, jo për formacione politike, që shfrytëzojnë. Në fund të fundit, këtij vendi i kanë mbetur pak burime të shfrytëzueshme. Ka ardhur koha që zhvillimi dhe ecja përpara në proceset integruese të shihet si alternativa më e mirë për qeverisjen e një vendi të vogël me emigracion të lartë për shkak të humbjes së shpresës së e ardhmja nuk do jetë peng i logove të partive. Për 13 dhe 12 vite pushtet PD dhe PSI bashkë le LSI nuk ja kanë dalë të kenë një bilanc të ndryshëm nga njëra tjetra kur vjen fjala për abuzim, korrupsion e klientelizëm. Atëherë, për çfarë vlen debati se çfarë të panjohurash ka ekuacioni i radhës i koalicionit, kur produkti është pothuajse i njëjtë?

(javanews.al)

SHKARKO APP