13 vite në protestat me gaz lotsjellës dhe me fjalime pa shpresë

Nga Redjon Shtylla

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, për herë të parë kisha të drejtën të votoja. I kisha kaluar të 18-tat, dhe emri im ishte në listat e zgjedhësve. Për mua, si për shumë të rinj të asaj kohe, vota ishte simbol i përkatësisë, i një fillimi të ri, i besimit se demokracia ishte diçka që ndërtohej edhe me duart tona, edhe pse një votë me vendim dhe ideal nga familja. Kështu jemi rritur, me fjalët ”Liri-Demokraci”.

Por ajo ditë nuk më gjeti pranë kutisë së votimit. Universiteti ku kryeja studimet për gazetari më ofroi një mundësi që nuk refuzohej lehtë. Një internship në një televizion në Stamboll. Një ekran i madh, një metropol që e njihja vetëm nga librat dhe serialet, dhe mbi të gjitha, një shans për të parë nga afër se si funksionon media përtej kufijve shqiptarë. Entuziazmi ishte i madh. Ishte ëndrra e një studenti të ri që donte të bëhej gazetar, por ishte edhe një kompromis i heshtur me qytetarin brenda meje, që po linte pas një moment historik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga Stambolli si një i ri që me shumë mund gjeta pak internet dhe me një telefon të lodhur, zgjedhjet i ndoqa përmes Facebook-ut. Postime, statuse, foto, komente që shpërthenin në kohë reale. Partia Demokratike kishte humbur zgjedhjet. Sali Berisha dha dorëheqjen me një krenari, ku mbaj mend se më pikuan edhe disa lot. Fotot e lotëve të stafit të Berishës, të fytyrave të ngrira dhe të një epoke që po mbyllej, qarkulluan me shpejtësi. Ishte fundi i një kapitulli dhe fillimi i një tjetri për Partinë Socialiste, edhe pse atëherë pak kush e kuptonte sesa i gjatë dhe i lodhshëm do të ishte ky kapitull i ri. Që nga ajo kohë, Partia Demokratike hyri në një cikël protestash, që sot bëhen 13 vite. Jemi ballafaqur nga protestat për korrupsionin, ato për reformën në drejtësi. Protesta për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, qofshin ato parlamentare apo dhe lokale. Protesta për dorëheqjen e qeverisë. Protesta për zgjedhje të reja. Forma ndryshonin, sloganet gjithashtu, por skenari mbetej i njëjtë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Unë në atë kohë isha ende një i ri i frymëzuar, me një besim pothuajse naiv se fjala kishte peshë dhe se e vërteta. Në vitin 2015, fillova punë si gazetar në gazetën ”Koha Jonë”. Nuk ishte thjesht një punë; ishte hyrja ime e drejtpërdrejtë në një realitet gazetaresk. Që prej asaj dite, protestat e Partisë Demokratike u bënë pjesë e pandashme e punës. Nuk ishin më ngjarje për t’u ndjekur nga distanca, por me kamerën gati dhe me instinktin e një të riu që doja të fiksoja çdo moment, pankartë dhe situata që i shihja më parë në ekran, në lajme.

Kam raportuar pothuajse në çdo protestë. Kam qenë aty kur kryetar ishte Lulzim Basha, duke ndjekur një opozitë që kërkonte veten mes hezitimit dhe presionit, dhe jam sërish aty tani që Partia Demokratike drejtohet nga Sali Berisha, me një energji tjetër, më të ashpër, më konfrontuese, por po aq të mbushur me kontradikta. Kam parë turma që vinin nga rrethet me autobusë, me shpresë në sy dhe me flamuj në duar, dhe kam parë po ato turma që largoheshin në mbrëmje, të lodhura, të heshtura, shpesh të zhgënjyera, pa e ditur saktësisht çfarë kishin fituar.

Kam dëgjuar fjalime të zjarrta që ndiznin sheshet, që premtonin ndryshim, drejtësi, përmbysje, por që digjeshin brenda disa orësh nga realiteti i pamëshirshëm politik. Premtime që mbeteshin në ajër, parulla që humbnin kuptimin sapo mikrofonat fikeshin. Dhe unë isha aty për t’i regjistruar të gjitha, jo si militant, por si dëshmitar. Kam thithur gaz lotsjellës më shumë seç do të doja ta pranoja. Ka ditë që ende më kujtohet djegia në fyt dhe në sy, ajo ndjesi paniku kur nuk di nga të ikësh, kur turma shtyhet, kur policia avancon dhe gjithçka kthehet në kaos. Kam kaluar pranë flakëve, shisheve molotov që shpërthenin disa metra larg meje, kordonëve të policisë që mbylleshin si mure të ftohta përballë zemërimit të protestuesve. Kam parë njerëz të plagosur, fytyra të gjakosura, dhe kam parë edhe indiferencën e atyre që i përdorin këto skena si kapital politik.

Shëndeti më është rrezikuar më shumë se një herë. Ka pasur momente kur trupi më thoshte të largohesha, kur instinkti i frikës ishte më i fortë se çdo ideal. Por asnjëherë nuk jam larguar nga detyra. Sepse gazetaria, ashtu siç e kam kuptuar unë, nuk është komoditet. Është prani. Është të jesh aty edhe kur është e pakëndshme, edhe kur është e rrezikshme, edhe kur askush nuk të falënderon. Protesta e 24 Janarit 2026 ishte një tjetër kapitull në këtë kronikë të gjatë. E thirrur nga PD si një Protestë kombëtare, ajo mbante mbi supe retorikën e një përballjeje vendimtare. Me mjetet e punës në dorë, u pozicionova përballë Kryeministrisë e cila ishte e blinduar deri në detaj nga forcat e rendit. Garda, policia, barrierat metalike një simbol i qartë i një shteti që nuk pret dialog, por përplasje.

U vendosa pranë skenës së Partisë Demokratike. Jo rastësisht. Aty kapen momentet më të forta vizualisht: flakadanët që ndizen sapo Sali Berisha mbyll fjalën, thirrjet që shpërthejnë si refleks i komanduar, adrenalina e turmës që rritet për disa minuta. Por atë ditë, diçka ishte ndryshe. Sali Berishën e pashë të lodhur. Të shpërqendruar. Jo më figurën e dikurshme dominuese që i fliste turmës me siguri absolute, por një lider të rënduar nga koha, nga betejat e humbura dhe nga një histori që po e ndjek si hije.

Nga një i ri që nuk votoi dot për herë të parë, te një gazetar që ka parë demokracinë shqiptare më shumë në rrugë sesa në institucione. Një demokraci që shpesh protestohet, por rrallë ndërtohet. Një opozitë që proteston pa pushim dhe një qeveri që blindon veten, ndërsa qytetari mbetet spektator i një përplasjeje që duket se nuk mbaron kurrë, që thirret për protestë, por merr gaz, që thirret për protestë por që pas disa orësh merr sms: Falëminderit, do mblidhemi sërish.

Ky nuk është thjesht rrëfimi im personal, por edhe një mesazh që në 13 vite qytetarët kanë thithur gaz, janë goditur, burgosur dhe falënderuar për pjesëmarrjen dhe që thirren pa fund nga selia blu, siç po thirren edhe për datën 10 shkurt. Figura të PD, edhe lideri i tyre këtë herë e kanë ndryshuar retorikën dhe flasin për një skenar që flitet për qëndrim në sheshin përballë Kryeministrisë. Shqipëria ka parë një çadër kur kryetar i PD ishte Basha, po ashtu edhe qeveri teknike po kur Basha ishte në karrigen blu si kryetar. Me gaz që herët e fundit edhe u denoncua si i skaduar, populli nuk duhet të thirret dhe të falënderohet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?