2-3 Marsi i zi i ‘97! Rizgjedhja e Berishës, djegia e “Koha Jonë”

...në orët e para të 3 Marsit, njerëz që janë identifikuar, por që kurrë nuk janë dënuar dogjën redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Ndoshta, është përcaktuar më të drejtë në historinë e medias shqiptare se kjo mbetet ngjarja më e hidhur dhe e paprecedentë në ekzistencën e shtypit të shkruar. Gazeta “Koha jonë” e asaj kohe do të mbahet mënd për demaskimin e hapur të Berishës dhe pushtetit të tij të hajnisë…

Nga Ben Andoni

Histeria politike shqiptare e 2-3 Marsit të vitit 1997 është e denjë për një skenar filmash kushtuar ngjarjeve të post-demokracisë në vendet e Lindjes. Sa më shumë largohemi në vite, aq më ogurzezë ngjan kjo kohë, kur kujton se arkitektët e saj janë ende të gjallë dhe protagonistë sërish të së keqes së madhe në vend. Për fat të keq, Sali Berisha, personazhi kryesor i atyre ditëve jo vetëm nuk ka kërkuar falje, nuk është dënuar apo demaskuar por është ricikluar në pozicionin më të madh të Ekzekutivit, derisa pesë vjet më parë u hodh poshtë me votën masive popullore…

Po kjo valë e madhe popullore, që kulmoi pas rënies së skemave piramidale mori përsipër të rrëzonte një nga regjimet më të zeza në historinë e vendit tonë. Flitet për mandatin e dytë të drejtuar nga PD-ja asokohe. Në gjendjen kaotike, ku u përfshi i gjithë vendi, më 2 mars të vitit 1997, Kuvendi shqiptar shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ku përfshihej edhe ndalim qarkullimi nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes. Shqipëria do të mbillej me viktima të pafajshme, por jo sa të bindnin Berishën dhe PD-në të jepnin dorëheqjen nga mandati i grabitur i vitit 1996. Në ditët që do të vijonin do të liroheshin të gjithë kategoritë e të burgosurve, kurse depove të ushtrisë iu grabit një arsenal i tërë me mbi 650.000 armë luftarake, që po pjellin viktima edhe sot e kësaj dite për çdo javë. Në të njëjtën ditë, Kuvendi shqiptar miratoi Ligjin për bashkimin e Shërbimit Sekret me Ministrinë e Brendshme, ku Kryetari famëkeq i SHIK-ut Bashkim Gazidede u emërua kryetar i operacionit për normalizimin e situatës. Ato pak zëra opozitarë që mëtonin të ishin në radhët e PD-së mbyllën gojën prej drurit direkt, që iu dha por edhe frikës së likuidimit prej dyshes së frikshme Berisha-Gazidede, kurse në terren filloi një terror i paparë.

Pak orë më vonë, më 3 Mars, në një nga faqet më të turpshme të parlamentit shqiptar, me votat e maxhorancës fiktive, Berisha u rizgjodh si president me rreth 104 vota. Shpura e tij nuk u mjaftua me terrorin, por tashmë iu derdh edhe gazetarëve të huaj, që po ndiqnin prej ditësh situatën shqiptare. Vite më vonë, një nga protagonistët e këtij linçimi, bodigardi i Berishës, Izet Haxhia do ta tregojë me detaje për publikun këtë shtazëri dhe sesi festonin me bekimin e ish-presidentit duke shkrepur armë dhe duke demonstruar forcën, pa ditur se i kishin dhënë shtetit shqiptar një nga vulat më të turpshme të ekzistencës 105 viteve.

Dhe, kjo ishte më i e pakta. Pak orë më parë, në orët e para të 3 Marsit, njerëz që janë identifikuar, por që kurrë nuk janë dënuar dogjën redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Ndoshta, është përcaktuar më të drejtë në historinë e medias shqiptare se kjo mbetet ngjarja më e hidhur dhe e paprecedentë në ekzistencën e shtypit të shkruar. Gazeta “Koha jonë” e asaj kohe do të mbahet mënd për demaskimin e hapur të Berishës dhe pushtetit të tij të hajnisë, policëve të korruptuar, arrestimeve të pasens, por edhe shantazheve të përditshme të mostrave, që polli pushteti i asaj kohe.  Titulli i madh për gazetën e datës 3 mars 1997 ishte: “Berisha, duart me gjak!”  dhe realisht ish-presidenti famëkeq e tregoi metaforën se nuk vlente, pasi këtë herë duart e tij ishin shtrirë realisht si metastaza mbi të gjithë demokracinë e dobët shqiptare.

Në ditët tonë, shumë panegjirikë po mundohen t’i riciklojnë këto figura, mbi të gjitha Berishën, por 2-3 Marsi i vitit 1997 do të mbetet i paharruar, për ata që nuk e kujtojnë ose bëjnë sikur i kanë harruar se me sa vështirësi është rivendosur demokracia në ditët tona. Njerëz mos e harroni historinë, sepse dënimi i saj është i llahtarshëm! Paçka se mund të përjetësohet shumë bukur në filmat e të ardhmes.

Në foto: Redaksia e djegur e gazetës “Koha Jonë”, 3 mars 1997

Në foto: Redaksia e djegur e gazetës “Koha Jonë”, 3 mars 1997

Në foto: Ambientet e sulmuara me armë të gazetës “Koha Jonë”, 3 mars 1997

SHKARKO APP