2015, një vit që do të harrohet shpejt
Nga Sokol Balla
Fundi i një viti është edhe bilanci. Inventari i hyrjeve dhe daljeve. Në jetën publike dhe politike është impakti pozitiv apo negativ i individëve, partive apo kompanive. I vdekjeve dhe i lindjeve të mëdha. Sa më i vogël është një vend, aq më të vogla janë pasojat. Në një shkallë globale. Por ndonjëherë të ndërthurura me rrethanat, edhe një individ dhe origjina e tij kanë rëndësinë e tyre dhe impaktin e tyre rajonal apo global.
Merr për shembull Martin Shkrelin, njeriun e vetëdeklaruar “njeriu më i famshëm në botë dhe shqiptari më i famshëm beqar” (megjithëse për këtë të fundit unë kam pretendimet e mia). Ky aventurier i jashtëzakonshëm, pasi bleu të drejtat e një prej ilaçeve që luftojnë imunodeficencën, i rriti çmimin me 700 herë. Duke sjellë reagime të forta në gjithë botën si dhe nga dy prej kandidatëve për presidentë, ose me gjasë dy kandidatëve që do ndeshen nëntorin e ardhshëm për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Hillari Klinton. Tashmë i burgosur në të gjitha drejtimet Shkreli, njeriu që bleu kopjen e vetme ekzistuese Rap të grupit Wu Tan Clan (këtë e pëlqej edhe unë) për dy milion dollarë, ishte protagonist në Vitin 2015. Ky, ishte viti i tij.
Albin Kurti që dogji skenën politike të Kosovës, në kuptimin e parë të fjalës, sot gjendet në burg. Por zyrtarë të qeverisë tani po flasin se Asocacionet apo Zajednicat duhet të bëhen në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe planin Ahtisaari. Kujtoj se ky plan ishte dhe është në themel të rezolutës 1244 të OKB. Serbët por edhe Rusët e kundërshtojnë këtë rezolutë. Kurti kërkonte pikërisht respektimin e saj. Sot mund të jetë në burg, por impakti i tij është i pamohueshëm. Ky, është pra, viti i tij.
Kush mund ta mendonte se Erion Veliaj do t’ja ndryshonte faqen Tiranës kaq shpejt? I paragjykuar nga të tijtë dhe nga të gjithë si hija e Edi Ramës, ky 35 vjecar (sapo i mbushi tani në dhjetor), befas bëri të pamundurën. Ja kaloi Ramës që në gjashtë muajt e parë si bashkiak i Tiranës. Sfidoi të gjithë, ndryshoi gjithcka, nxorri burrin e mirë dhe nga lëvozhga e kalbur e Blendi Gonxhes, pastroi Tiranën, ngriti parkingje publike e private. Rregulloi rrugë dhe për fundviti na dhuroi një kryeqytet të paparë që na bëri të pendohemi të gjithëve ne, që harxhuam mijëra euro për të kaluar festat jashtë, kur festën më të bukur e dhuroi Tirana. Ky është viti i Erit.
Çuditërisht në fundviti ka edhe ndarje të hidhura. Në prag të krishtlindjeve na lanë Imzot Rrok Mirdita dhe miku i dashur I të gjithëve, Gjergj Filipi. Mungesa e tyre çuditërisht shton listën e njerëzve të mirë, që sa vjen e pakësohet, ndërsa të tjerë të ligj e makutë, vazhdojnë e zënë hije padrejtësisht mbi tokë. Mirësia, vuajtja dhe përulësia e këtyre dy njerezve do të na e bëjë jetën ne të gjallëve më të vështirë me mungesën e tyre. Ndaj ky vit, është edhe viti i tyre.
Do të doja shumë që ky të kishte qënë viti i Ramës, Bashës, apo i dikujt tjetër. Por e kam të pamundur t’ua jap atyre këtë atribut. Një kryeministër dhe një kryetar opozite, të dy të rinj në rolet e tyre, por që kaq pak duken të shkëputura nga mënyra e vjetër e politikëbërjes. Sigurisht që nuk mund t’u vihet shenja e barazisë, aq më shume që rolet dhe përgjegjësitë janë të ndryshme. Por i pari iu dorëzua shpejt arrogancës së pushtetit dhe pushtetit të korrupsionit material dhe moral dhe i dyti iu dorëzua shpejt modelit të Berishës, modelit të dhunës dhe Jo të propozimit të projekteve të Reja, apo të ofertës së Re, siç e quante ai vetë pak muaj më parë. Njeri mund të ketë fituar zgjedhjet këtë qershor, dhe tjetri partinë në 8 dhjetor, por vendi duket se nëse nuk humbi, as nuk fitoi nga fitoret e tyre të vogla individuale. 2015 nuk ishte viti I tyre.
Por ky, ishte padyshim viti i Ilir Metës. Njeriu i fortë që vetëquhet malësor Skrapari megjithëse është lindur e rritur në Tiranë, dominoi skenën politike këtë vit. Fillimisht me aferën Doshi nga e cila humbi qetësinë për shumë muaj, derisa shkaktoi Vorën, ose ngjarjen më të shëmtuar të zgjedhjeve lokale në qershor. Më pas afera CEZ e vuri sërish në qendër të vemendjes dhe për shkak se për këtë fajësoi Ramën, shkaktoi një furtunë në gotë në qeveri, duke pjellë vetëm një ministër të ri, Ylli Manjanin. 2015 ishte paksa edhe viti i këtij juristi gjuhëgjatë dhe të mprehtë që tani po përpiqet të bëjë përshtatësin e tensionit mes qeverisë dhe LSI për reformën në drejtësi. Pa sukses e parashikoj, veçse do djegë siguresën e vet. Por përpjekja ama, duhet përshëndetur. 2015 gjithsesi ishte viti i shefit të tij politik. Për keq sigurisht.
Sa i përket gjërave të tjera, nuk më kujtohet që diçka tjetër të ketë bërë lajm mes shqiptarëve të gjallë, pa harruar sigurisht impaktin e atyre të vdekur si Nënë Tereza, e cila tanimë është vetëm një hap larg Shenjtërimit të saj. Nuk më kujtohet të ketë ndodhur diçka tjetër mbresëlënëse në këtë vit, që të mbajë një gjurmë pozitive shqiptare. As politika, as ekonomia as jeta publike apo individë të thjeshtë nuk prodhuan diçka që të thuash: Kjo e bën Këtë vit që të kujtohet. Në fakt edhe Këtë vit nuk ndodhi ASGJE.
Ishte një vit për kujtuar, vetëm për harresën e shpejtë që do t’i vijë vetëm pak ditë më pas.
Gezuar!